Loading...

Çështja e pensioneve është aq e rëndësishme për shqiptarët e Italisë sa dhe e panjohur për opinionin publik italian.

Nga data 5 shtator një peticion publik po përpiqet të nxisë sensibilizimin dhe mbështetjen e qytetarëve italianë, krahas shqiptarëve, në mënyrë që situata të zhbllokohet.

Faktet
“Italia ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe në fushën e sigurimeve shoqërore me shtete të ndryshme (nga Argjentina në Kanada dhe Quebec, Tunizia, Izraeli, Turqia, Republika e Bosnjës dhe Hercegovinës, Republika e Maqedonisë, Republika e Serbisë dhe Vojvodina)”, lexojmë në peticionin që gjendet në internet, i cili vazhdon:

“Ndër këto marrëveshjeve, për fat të keq, mungon Shqipëria”. Në Itali komuniteti shqiptar është i integruar dhe është pjesë e strukturës shoqërore dhe prodhuese. Sot ky komunitet përbëhet nga më shumë se 430 mijë persona, mbi 70% e të cilëve me leje qëndrimi afatgjatë.

Qytetarët shqiptarë po ndërtojnë në Itali të ardhmen e tyre dhe atë të fëmijëve të tyre, duke punuar këtu prej gati 30 vitesh, veçanërisht në ndërtim dhe në bujqësi.

Deri tani, një pjesë gjithmonë e më e madhe e punëtorëve vuan nga fakti që nuk ka asnjë marrëveshje midis Italisë dhe Shqipërisë për njohjen e kontributeve të pensioneve. Punëtorët shqiptarë në Itali në moshën e pensionit ose afër saj, kanë paguar kontribute si në Shqipëri (përpara se të emigronin) ashtu edhe në Itali.

Mungesa e një marrëveshjeje midis dy shteteve nuk i lejon ata të arrijnë pensionin as në vendin e nisjes e as në atë të mbërritjes, duke dëmtuar kështu atë fashë të popullsisë që ka sakrifikuar më shumë që sot të rinjtë italo-shqiptarë të jenë aq mirë të përfshirë në jetën italiane.

Angazhimi për arritjen e marrëveshjes

Iniciativa dhe peticionit vjen pas vitesh në të cilat italo-shqiptarët janë përpjekur ti bëjnë të njohur opinionit publik këtë problem për të rritur sensibilitetin e institucioneve të vendit të tyre por edhe të Italisë. Shoqatat dhe shumë individë, përfshirë edhe një pjesë e pensionistëve të prekur drejtpërsëdrejti, kanë organizuar konferenca dhe kanë ndërmarrë protesta.

Pala shqiptare në plan zyrtar shpreh gatishmëri. Por për t’i dhënë forcën e nevojshme kërkesës diferencën e bën komuniteti italo-shqiptar, që ka mundësinë dhe aftësinë të ngrejë zërin e të dëgjohet nga vendimmarrësit në Itali. Kjo është shtysa nga e cila lind peticioni.

Një akt i rëndësishëm politik u krye nga Senatori i qendrës së majtë Tommaso Nannicini, i cili me anë të një kërkese parlamentare në muajin shkurt 2019 angazhoi Qeverinë italiane të aktivizonte një marrëveshje dypalëshe me Shqipërinë. Senatori është edhe ndër firmëtarët e parë të peticionit, që u publikua nga Gerarta Ballo, prej vitesh aktive në çështjet e Diasporës dhe kandidatja e parë italo-shqiptare në zgjedhjet europiane. Ballo kandidoi me qendrën e majtë, ku edhe ka lobuar për çështjen e pensioneve, siç nënvizon Senatori Nannicini sot në profilin e tij Fb.

Me formimin e Qeverisë së re Conte, që merr votëbesimin këto ditë, qendra e majtë hyn në Qeveri, duke rritur kështu shanset e përfshirjes së marrëveshjes në aktet e ardhshme politike.

Peticioni

Pikërisht në datën e betimit të Qeverisë së re PD-M5S të udhëhequr nga Giuseppe Conte – 5 shtator 2019 – është hedhur në internet ky peticion, duke kërkuar “që të negociohet dhe miratohet sa më shpejt Marrëveshja Itali-Shqipëri në mënyrë që ti garantojë punëtorëve njohjen e një të drejte themelore: Pensionin”. Sfida është që secili prej nesh ta nënshkruaj peticionin, ta përhapë atë dhe të shpjegojë rëndësinë e tij. /Albania News/

Loading...
Loading...
Loading...