Loading...

Ambasadorja e Kroacisë në Shqipëri, Sanja Bujas Juraga në intervistën e parë televizive në emisionin “PASSPORT” të gazetarit Arbër Hitaj thotë se është moment i duhur që Shqipëria të hapë negociatat me BE, pasi ka bërë proges të dukshëm.

Për Ambasadoren zbatimi i “Vettingut” në reformën në drejtësi do të luajë një rol vendimtar në këtë aspekt.

Më tej ajo sqaron se Shqipëria ka bërë shumë progres, sidomos në disa kapituj, ku vendet e tjera të rajonit kanë probleme si kapitulli 23 dhe 24.

Ambasadorja kroate thotë se vendi i saj ishte kritik me qëndrimin e Presidentit të KE, Jean Claude Juncker kur deklaroi se Serbia dhe Mali i Zi kanë bërë më shumë reforma për anëtarësim, duke i vlerësuar këto deklarata si të dëmshme për besueshmërinë e institucioneve të BE-së.

Në lidhje me bashkëpunimin ekonomik, Ambasadorja thotë se mund të bëhet më shumë sidomos në turizëm, apo edhe në rritjen e shkëmbimeve tregtare.

Më tej ajo vlerëson komunitetin e shqiptarëve në Kroaci, ku sipas saj shifra shkon në mbi 20 mijë, duke nënvizuar se është zgjedhur edhe një deputete nga ky komunitet në Parlament.

A besoni se Shqipëria do të hapë negociatat me Bashkimin Europian në pranverën e vitit 2018, a është koha e duhur për vendimmarrje?

Do të thoja “Po”, është momenti i duhur. Personalisht mendoj se është koha që Shqipëria të hapë negociatat me BE, jo vetëm sepse e meriton, por bazuar edhe në progresin e dukshëm. Duhet angazhim më i madh në implementimin e reformës në drejtësi, për të parë shëmbuj konkret si po funksionon “vettingu”. Shqipëria ka bërë shumë progres në disa kapituj, si atë 23 dhe 24 më të vështirët lidhur me shtetin e së drejtës, ndërsa janë disa shtete në rajon që kanë hapur negociatat, por kanë ende shumë probleme në këtë aspekt.

Nëse Shqipëria do të ecë mirë në reformën në drejtësi janë mundësitë, por do të jenë vendet e BE-së që do të vendosin. Kjo periudhë do të jetë shumë intensive me shumë takime, shumë lobim, do të kemi në janar dhe Presidencën bullgare të BE-së, pra 6 muajt që vijnë janë shumë të rëndësishme dhe Shqipëria mund të bëjë shumë.

Shumë vende të BE janë mbështetëse. Hapja e negociatave do të sillte ndryshim të madh në shoqërinë tuaj. Jo vetëm në reformën në drejtësi, por edhe sektorë të tjerë. Praktikisht do të sjellë ambient shumë pozitiv për biznesin.

Kujtojmë që anëtarësimi në NATO që u bëmë pjesë së bashku, nuk solli vetëm zhvillim në siguri, por solli edhe besimin në biznes.

Edhe reformat që kërkohen tani do të sjellin më shumë biznes dhe do kalohet faza e tranzicionit.

Loading...
Loading...
Loading...