Loading...

Nga Shkëlzen Henkoja

Kur unë dëgjova këtë histori u drithërova. Është një nga ato rastet kur jeta tregohet e pamëshirshme për fatet e njerëzve krejt të pafajshëm.
Djali quhet Stejsi, është 16 vjeç, motra e tij Besajda 14 vjeçe. Janë nga fshati Trashovicë i Gramshit. Stejsi dhe Besajda jetojnë me gjyshin e tyre të verbër 88 vjeç.
Babai i tyre ndërroi jetë para 3 vitesh , ndërsa nëna mizore i braktisi 3 muaj më parë për shkak të varfërisë.
Për dy të miturit nisi sfida e mbijetesës. Me lot ndër sy Stejsi tregon për vështirësitë. Ai shprehet se sapo ka përfunduar klasën e nëntë dhe se tani do të kujdeset për motrën më të vogël dhe për gjyshin e verbër. Thotë se duhet të punojë dhe pranojë çdo punë vetëm për ti siguruar ilaçet gjyshit të sëmurë.
Edhe Besajda qan me ngashërime. Ajo tregon se është e detyruar të shesë plehun e lopës në qytet për të fituar ndonjë lek, 1000 lekë të vjetra një thes.

Banesa ku fusin kokën është një gërmadhë e vërtetë. Para një viti shtëpinë e goditi rrufeja dhe e shkatërroi akoma më shumë. Ngjan si një mallkim…
Ndihmën ekonomike ia ndërprenë para 3 muajsh. Ndërs e vetmja e ardhur është pensioni i gjyshit të cilat më shumë shkojnë për ilaçe.
Ëndrra e Stejsit është që të bëhet elektricist, ndërsa Besajda ka dëshirë të jetë doktoreshë. Por këto ëndërra duket se janë shuar këtu në një ndërtesë të rrënuar mes pyllit dhe maleve në fshatin Trashovicë.
Kryebashkiaku i Gramshit ka thënë se nuk është në dijeni të rastit, por ka premtuar se do të merret personalisht.
Fjalët prekëse të të miturve le të shërbejnë si një apel për ndihmë për këdo që u jep atyre sot një shans në jetë, një akt që ata nuk kanë për ta harruar sa të jenë gjallë. Por njëkohësisht le të shërbejë edhe si një mesazh për të gjithë bashkëmoshatarët e tyre që ndoshta bëjnë një jetë shumë herë më të mirë. Infoelbasani.al

Loading...
Loading...
Loading...