Loading...
Loading...

 

Një tjetër histori e veçantë mbërrin në redaksinë tonë nga Dumreja. Bëhet fjalë për një djalë i cili tregon se si u largua nga shtëpia kur ishte i vogël, pasi e rrahu babai. Që nga ajo kohë nuk ka komunikuar me prindërit, por pas 15 vitesh kthehet dhe i bën surprizën e jetës duke i kërkuar edhe ndjesë për pritjen e gjatë, transmeton infoelbasani.al.

Përshëndetje! Unë jam nga një fshat i Belshit. Kur isha 15 vjeç, bëra një gabim në shtëpi dhe për këtë babai më rrahu duke më dhënë një shpullë. Nuk e fala dot në atë kohë, ndaj vendosa të “hakmerresha” duke u larguar pa e njoftuar për në Greqi. Ashtu bëra. U lidha me ca shokë të mi dhe u nisa në këmbë në emigrim. Vuajta shumë por më në fund u sistemova me një punë në afërsi të Selanikut. U lidha me një pronar, që në fakt më ka trajtuar si djalin e tij. Ai me gjeti punë,  më strehoi dhe kështu kaluan vite me radhë.

Vazhdova ta mbaj inatin me babain që më ndëshkoi në atë kohë. Ishte krenaria e moshës kur vetja të duket burrë.  Përfundimisht nisa të ndërtoj jetën time në Greqi. Aty njoha një vajzë që më vonë u bë bashkëshortja ime.  Vitet kaluan. Me ndihmën e pronarit fitova edhe dokumentat pra fitova nënshtetësinë. Me fitimet e mia bleva dhe një shtëpi.  Edhe për martesën nuk i njoftova prindërit e mi. Isha i bindur që babai do të më kundërshtonte. Shkuam dhe bëmë një celebrim të thjeshtë në kishë.  Një vit pas martese erdhi në jetë djali ynë.  Tani është rreth 4 vjeç. Por gjithnjë më ka munduar ajo që u bëra prindërve. Edhe pse ai më ndëshkoi në atë kohë, nuk krahasohet me ndëshkimin që ua ktheva unë duke humbur çdo kontakt me ata. Nuk kam qenë asnjëherë i qetë. Deri sa një ditë vendosa ti kërkoj ndjesë babait. Dhe ashtu bëra sivjet në verë.

Mora bashkëshorten dhe djalin dhe shkova në shtëpi. Çfarë tju tregoj. Lot dhe gëzim. I kërkova falje. Iu ula në gjunjë pasi tani që kam djalë e kuptoj se çfarë do të thotë fëmijë. Plaku nuk e besonte që ishte bërë me nip. Kjo ishte dhurata më e madhe. Kisha grumbulluar dhe ca të holla gjatë këtyre viteve dhe ia dhashë që ata të kalojnë të lumtur pleqërinë.  Kjo ishte historia ime. Tani ndjehem i çliruar dhe do të vij më shpesh në vendlindje. Faleminderit.

Infoelbasani.al

Loading...