Loading...

Peshëngritësi shqiptar Briken Calja është rikonfirmuar kampion Europe në stilin e shkëputjes, por jo edhe në stilin e shtytjes dhe në dygarësh. Megjithatë peshëngritësi shqiptar mori medalje ari në stilin e shkëputjes, ku ngriti 156 kg, në provën e dytë dhe dështoi me 160 në të tretën.

Më pas në stilin e shtytjes, dështoi në provën e parë për të ngritur 183 kg, të cilat i ngriti më pas në provën e dytë. Në provën finale, tentoi me 188 kg, por për pak nuk ia doli të pozicionohet dhe u mjaftua me medaljen e argjendtë të stilin e shtytjes dhe dygarësh. Në përfundim të garës, Briken Calja ka postuar medaljet në profilin e tij në Facebook, shoqëruar me një status emocionues.

“Një medalje ari dhe dy argjendi! Rezultat historik dhe një ndjenjë krenarie e papërshkrueshme teksa këto dy vite arritëm të ngremë flamurin shqiptar në majat e Evropës. Ju falenderoj të gjithëve për mbështetjen nga i pari e deri tek i fundit. Mbështetja juaj është krenaria ime më e madhe.

I jam mirënjohës të gjithëve që më ndenjën pranë dhe më mbështetën. Do të vazhdoj të luftoj që himni i vendit tim të ndëgjohet në pedanet e krejt botës mbarë. Faleminderit, faleminderit, faleminderit! Brikeni”, shkruan në statusin e tij Briken Calja.

Loading...
Loading...
loading...