Loading...

Po afrojnë datat për provimin e maturantëve të cilët nuk arritën të kalonin në një apo disa nga provimet gjatë sesionit të parë në qershor. Po ashtu të drejtë kanë për të dhënë provimin dhe nxënësit e mbetur vjetor, të cilët nuk arritën të kalonin vitin për tu bërë pjesë e provimeve të maturës.

Provimet kësaj radhe kanë nga 3 ditë diferencë mes tyre, ku provimi i parë, ai i gjuhës së huaj nis me datë 27 gusht, tha për Report Tv, Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi.

“Me datën 27 gusht është provimi i parë, që është gjuha e huaj, i cili do të pasohet më pas me datën 30 me provimin e dytë, gjuha shqipe dhe letërsia. Me datën 3 shtator është matematika dhe mbyllet gjithçka me datën 6 ku janë lëndët me zgjedhje”-u shpreh drejtoresha e QSHA

Maturantët do tu nënshtrohen 4 provimeve, ku secili do të zgjasë nga 2 orë e 30 minuta. Sipas drejtoreshës së QSHA, procedura do të jetë e njëjtë, si për maturantët e sesionit të parë, edhe për ata që nuk mundën të kalonin në provime por ndryshimi i vetëm është se këta të fundit do të testohen në një ambient të përbashkët pavarësisht shkollave ku kanë studiuar.

“Por ndryshe nga sesioni i parë, duke qenë se numri i maturantëve është më i kufizuar, vetë zyrat vendore arsimore marrin masa që ata ti grupojnë në një mjedis të caktuar që mund të jetë një shkollë, pra gjithsesi ata duhet ta marrin informacionin tek shkolla menjëherë se ku do të jetë mjedisi i tyre i provimit. Mund te qëllojë në shkollën ku ata janë por mund dhe të zhvendosen, kjo është diçka që ata duhet ta verifikojnë, por gjithmonë brenda qytetit të tyre. Duhet ta verifikojnë në drejtorinë e shkollës ku ata kanë dhënë tre vitet e shkollës së mesme”- tha Vrapi

Nga data 19-21 shtator, maturantët të cilët do të kalojnë provimet në sesionin e dytë, do të kenë mundësi të plotësojnë formularin për të përfituar vendet vakante në fakultete.

Deri më tani , nga maturantët që u janë nënshtruar provimeve në qershor, kanë rezultuar mbetës 4100 prej tyre. Kujtojmë se në të gjithë Shqipërinë u janë nënshtruar provimeve mbi 36 mijë maturantë.

Loading...
Loading...
Loading...