Loading...
Loading...

Ka hapur siparin në Elbasan panairi i 22 tregtar i Ditës së Verës. Ashtu si çdo vit ky panair u çel në ambientet e Pallatit të Sportit ndërsa dhjetëra biznese zgjodhën të prezantojnë produktet e tyre. Panairi tregtar organizohet nga Dhoma e Tregtisë në bashkëpunim me Bashkinë e Elbasanit.

Panairi u përshëndet nga Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla, Kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini, Prefekti Gledian Llatja, deputetë e pushtetarë të tjerë vendorë. Në fjalën e tij Balla theksoi zhvillimin e madh që po merr Elbasani ku dhjetëra biznese të mëdha kanë zgjedhur ta zhvillojnë aktivitetin e tyre pikërisht në këtë zonë:

“Kryeqyteti i Ditës së Verës është Elbasanit dhe në këtë ditë ftoj të gjithë të vizitojnë Elbasanin gjatë kësaj jave feste. Me vjen mirë që në këtë panairi gjej shumëllojshmëri. Me vjen mirë që Elbasani dita ditës po shtohet me kompani të huaja që prodhojnë këtu. Pashë kompani të prodhimit të tubacioneve, por ka edhe kompani të makinerive. Kompani të mëdha të prodhimit të makinave, madje edhe Bugati prodhon pjesë këmbimi në Elbasan dhe ky është një hap i rëndësishëm që ne hedhin drejt shtimit të vendeve të punës” tha Balla.

Kryetari i Bashkisë dhe Prefekti uruan qytetarët ndërsa ftuan miqtë që t’i bashkohen kësaj feste në Elbasan. “Elbasani ka Ditë Vere. Mëvjen mirë që verë ka edhe biznesi. Këtu sot dominon prodhimi dhe industria, ç’ka tregon se po ecet në rrugë të mbarë. Më vjen mirë po ashtu që këto kompani kanë zgjedhur Elbasanin për t’u promovuar” tha Sejdini.

“Në këto panaire ne jemi rritur dhe nuk mund ta konceptojmë Ditën e Verës pa të. Para disa vitesh panairi ishte qendra e Ditës së Verës, por tashmë Bashkia e Elbasanit ka organizuar një sërë aktivietesh të larmishme” theksoi Llatja. Në Elbasan është çelur gjithashtu Panairi i Librit i cili organizohet për të tretin vit, ndërsa aktivitetet kulmojnë me koncertin e madh të Natës së Verës i cili mbledh në qendër të Elbasanit mijëra njerëz për të pritur së bashku stinën e ngrohtë.

“Dita e Verës ka vetëm një Kryeqytet dhe ai është Elbasani dhe në larminë e aktiviteteve nuk mund të mungonte dhe Panairi i Librit. Në këtë panair gjendet libra dhe botime cilësore dhe ftoj të gjitha ata që do të vizitojnë Elbasanit, të mos e humbasin edhe këtë panair. Elbasanit ofron një ofertë të plotë turistike me rastin e Ditës së Verës, qoftë përsa i përket traditës së festës, kulinarisë, apo organizimeve kulturore dhe sportive. Elbasani mbetet gjithashtu kryeqendra e dijes në Shqipëri” shtoi Balla nga Panairi i Librit.

Loading...
Loading...
loading...