Loading...

 

Sezoni turistik ka nisur dhe specialistët e objekteve të kultit vijojnë të përkujdesen për këto vende të cilat janë itinerare turistike mjaft të vizituara që ndërthurin kultin, kulturën dhe bukuritë natyrore.

Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës inspektuan kishën e Shën Kollit, Grabovë e Sipërme, Gramsh. Synimi kryesor ishte evidentimi i problematikave për të vazhduar më tej me hartimin e projektit të restaurimit.

Kisha e Shën Kollit është ndërtuar rreth shekullit XVIII. Si shumë kisha orthodokse është me orientim lindje-perëndim. Hyrja kryesore është nga jugu. Përmasat janë afërsisht 25x20m.

Muratura është prej guri të zonës dhe çatia është e mbuluar me rasa guri, sikurse dhe banesat tipike të zonës. Përbërja e kishës është me një nef kryesor, një nef të jashtëm në anën jugore, dhe një narteks në anën perëndimore.

Në brendësi të kishës ka veshje druri, të pikturuara në nivelin e tavanit. Mbi portën hyrëse kryesore është një afresk origjinal i kishës me sip rreth 1mX2m.

Grabova, perlë e natyrës dhe historisë

Historia

Grabova është një nga vendbanimet më të hershme në Shqipëri. Grabovarët do të mbahen mend për mjeshtëritë e tyre në punimet me dru, përpunimin e bulmetit dhe të ndërtimeve. Grabova ka qenë një fshat mesjetar i krijuar në shekullin e X. Sipas gojëdhënave, në kohën e lulëzimit, Grabova kishte rreth 2000 familje dhe një e katërta e saj, e ka braktisur zonën brenda një dite në shekujt XVII-XVIII.

Në periudhën e Mesjetës fshati Grabovë e Sipërme (atëherë qytet me 12.000 banorë) ka qenë në lulëzim të plotë i ndërtuar krejtësisht nga vendasit. Dëshmi të gjalla janë dhe sot prania e tri urave me gurë, njëra prej tyre e periudhës antike si dhe Kisha e Shën Nikollas (Shë Kollit).

Shpella-e-Kabashit

Braktisja e Grabovës ndër shekuj do të ishte më e keqe për zonën në vitet e diktaturës ku banorët nuk mund të konservonin më zakonet dhe traditën e tyre pasi kooperativa do t’i shfrytëzonte deri në pikën e fundit dhe të hollat nuk i mjaftonin as për t’u ushqyer…

Sapo ke parë liqenin e Dushkut mbushur me zambak uji, kupton se ndodhesh në një tjetër realitet. Në verë kënaqesh me një freski të rrallë dhe në dimër përfshihesh nga magjia e dëborës së bardhë.

Kalaja shekullore me murin e gjerë karakteristik e bën atë një nga fortesat më të rëndësishme të kohës. Besohet se ekziston edhe një qytet i nëndheshëm që shpesh banorët e quajnë Grabova e Poshtme. Është e rëndësishme të theksohet që Grabova e dikurshme ka qene pozicionuar ne atë që sot njihet Grabova e Poshtme. Kisha e saj ndodhej matanë rrjedhës se lumit dhe quhet Shën e Premte (nga e cila mori dhe emrin komuna Lenie (Shënepremte).

Objektet arkelogjike si enë balte, vegla pune, maja heshtash dhe sidomos fragmentet e mureve të kalasë të ruajtura edhe sot dëshmojnë se Grabova nuk është thjeshtë një gojëdhënë. Urat me harqe janë një tjetër element i mjeshtërisë së grabovarëve. Nga tre urat hark ka mbetur vetëm një këmbë ajo mbi përroin e Sharrës që ka një hapësirë drite mbi 15 metra dhe është e ndërtuar me gurë të skalitur.

Në mesin e qemerit nga ana e poshtme varej një këmbanë e cila tundej kur frynte erë e fortë duke lajmëruar udhëtarët për rrezikun nga fenomenet natyrore.

Urat janë ndërtuar përgjatë degëzimit të vjetër të rrugës Egnatia. Ato siguronin lidhjen e qytetit mesjetar me Voskopojën e njohur si një nga qytetet më të rëndësishme të kohës.

Ura

Shumë afër Grabovës ndodhet Liqeni i Zi me një ngjyrë krejt të veçantë për shkak të përbërjes minerale. Ky liqen frekuentohet dy javët e fundit të gushtit nga të sëmurët me reumatizmë akute dhe çuditërisht efekti i këtij uji është i menjëhershëm.

Në këtë fshat njohin vetëm dy stinë: pranverën dhe dimrin. Grabova ndodhet në lartësinë 1300 metra mbi nivelin e detit duke bërë pjesë në zonën me klimë mesdhetare malore.

Në Grabovë prodhojnë një lloj të veçantë djathi ndërsa mishi dhe çdo produkt tjetër janë më të mira se kudo. Me plot gojën mund të thuhet se vetëm kjo zonë i ka shpëtuar modifikimit gjenetik të produkteve dhe këtu gjithçka është bio.

Tradita në fushën e ndërtimit përbën një nga krenaritë e grabovarëve. Përmenden ndërtimi i kishës së Shën Kollit me afresket dhe ikonostasin prej druri të gdhendur duke vazhduar me kambanoren që zë një pjesë të madhe të kishës. Por edhe kisha e Shën e Premtes ose e Shën Parashqevisë paraqet edhe njëherë numrin e madh të banorëve të dikurshëm.

Piktorët e familjes Çetiri, Gjergj Nikolla, Johani, Gjergji dhe Nikolla janë quajtur pinjollët e familjes së piktorëve që kanë gdhendur dhe pikturuar në shumë kisha të Shqipërisë së mesme dhe të jugut.

Letrat e Ali Pashës

Sipas studiueses Llambrini Mitrushi, që ka hulumtuar kodikun e kishës së Shën Kozmait, ekzistojnë të paktën dy letra të dërguara nga Ali Pashë Tepelena banorëve të zonës. Pashai i Janinës u bënte thirrje atyre të ndërtohej kisha me ndihma të mbledhura në popull. Ja teksti i letrës se parë:

Juve rumunë të nahijes së Beratit, myzeqarë dhe vllehë grabovarë, katunde dhe çifliqe. Ju lajmëroj se ja ku vura një epitrop që të më ndreqë manastirin e plakut Kozma; ndihmova dhe unë me aspra e të ndihmoni dhe ju si t’ju thotë dhespoti, me qëllim që të ndreqet ky manastir. Për ata që nuk do të japin ndihmën e tyre, do të më mbetet hatëri dhe pastaj do t’i paguajnë dyfish. Sikundër ju urdhëroj ashtu të bëni pas këtij vendimi.

Piktorët e famshëm

Në gjysmën e dytë të shek. XVIII dhe gjatë gjysmës së parë të shek. XIX zhvilluan veprimtarinë e tyre piktorët e familjes Çetiri nga Grabova. Krijimtaria shtrihet kryesisht në krahinën e Myzeqesë, në Vlorë, Berat, Fier e në Lushnjë ku shumë afreske dhe ikona mbajnë autorësinë e tyre, si në kishën e Shën Vlashit (Vlorë) më 1792, të Shën Kollit (Vanaj – Myzeqe) më 1795, në kishën e Shën Thanasit në Karavasta (më 1797) etj. Lanë një krijimtari mjaft të pasur dhe kanë realizuar qindra skena në mure e në ikona. Tematika dhe stili i këtyre ikonografëve janë të njëjtë me ato të vëllezërve korçarë Konstandin dhe Athanas Zografi, si edhe të Konstandin Shpatarakut.

Emra të njohur (Rilindas, aktorë, politikanë, shkrimtarë,etj)

Naum Veqilharxhi, Themistokli Germenji, Mihal Grameno, Spiro Ballkameni, Sandër Prosin, Dionis Bubanin, Emil Lafen, Prokop Mimen, Rita Marko, Pilo Peristeri, Kico Mustaqi, Simon Stefani, Lenka Cuko, Stefanaq Pollo, Genc Pollo, Kristo Frasheri, Koco Tashko.

“Ndoshta një ditë sërish do të kthehen të gjithë…”

“Ndoshta një ditë të gjithë do të kthehen, tregon Meçan Hoxha, ai që ka studiuar historikun, traditat dhe të gjitha pasuritë e zonës pasi e ardhmja do të kthejë Grabovën në qytetërimin e turizmit malor dhe të kënaqësisë që sjell natyra”.

Përpjekjet e vllahëve ose arumunëve kanë bërë që të investohet fillimisht në një baxho duke ripërtërirë prodhimet karakteristike si ai i djathit të Vizës ( kaçkavall) që përbën një ndër shijet që kërkohen në të gjithë vendin dhe sasi të vogla kanë shkuar edhe në Greqi e Gjermani.

Një lokal në mes të fshatit dhe mirëmbajtja e objekteve historike së bashku me ujin e mrekullueshëm të zonës përbëjnë ofertat e dashamirësisë dhe mikpritjes së grabovarit.

Vlerat kurative të klimës që shfrytëzohet çdo verë nga astmatikët, të sëmurët me reumatizëm si dhe sëmundjet e tjera të mushkërive duke llogaritur jo vetëm orët me diell, ajrin e pastër por edhe ujin mineral natyror që i shërben mënjanimit të këtyre sëmundjeve.

Kështu ju thjesht keni njohur Grabovën dhe disa nga bukuritë mahnitëse të Gramshit. Të shkosh atje është diçka më tepër se kaq… infoelbasani.al

Loading...
Loading...
Loading...