Loading...

ezoni i provimeve të shtetit për licencimin e mësuesve të rinj që duhet të zhvillohej në muajin korrik, do të mbahet në tetor.

Qendra e Shërbimeve Arsimore njofton mësuesit e rinj se testimet nisin në javën e tretë, teksa u kujton rregullat për pjesëmarrjen. Pa diplomë masteri mund të futesh në provim, (duke siguruar një vërtetim që dokumenton shlyerjen e detyrimeve), por pa dokumentin e njohjes së gjuhës së huaj, jo. Pas mësuesve, radhën e kanë në dhjetor profesionistët e shëndetësisë, të cilët nëse testohen brenda afateve të parashikuara, përfundojnë provimin brenda janarit të 2020-ës.

GJUHA E HUAJ Çdo kandidat, për t’u licencuar, duhet të dijë paraprakisht që përveç dokumenteve identifikuese dhe pagesës së tarifës bazuar në herën e pjesëmarrjes në provim, duhet të ketë të noterizuar diplomat e dy niveleve, bachelor e master. Për ata që ende nuk kanë në dorë këtë të fundit për efekt kartonësh nga universiteti, Qendra e Shërbimeve Arsimore pranon një dokument ekuivalent. Por kur vjen puna te njohja e gjuhës së huaj, nuk toleron. Të njëjtin kusht që vë universiteti për lëshimin e diplomës master, e ka edhe QSHA. Në njoftimin e ndarë për kandidatët, ua bën të qartë se pa dokumentin e njohjes së gjuhës së huaj, nuk futen në provim, edhe pse mund të kenë paguar faturën. “Në mungesë të pajisjes me diplomë të ciklit të dytë të studimeve, kandidati duhet të pajiset nga universiteti me një vërtetim ku të specifikohet që ai/ajo i ka shlyer të gjitha detyrimet për përfundimin e ciklit të dytë të studimeve në edukim, si dhe njohjen e gjuhës së huaj, në bazë të testimeve të njohura ndërkombëtare dhe në nivelin e specifikuar në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Kandidatët, të cilëve u mungojnë këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në provimin e shtetit”.

KUSHTET PËR PROVIM Kandidatët që do të pranohen në provimin e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit duhet të kenë përfunduar programin e studimeve të ciklit të parë dhe të dytë, bachelor e master, në fushën e edukimit. Katër kategoritë e mësuesve që futen në provim janë ata që kanë kryer me sukses praktikën profesionale; rezultojnë jokalues në sezonet e kaluara të provimeve; nuk janë paraqitur gjatë sezoneve të mëparshme si dhe janë në marrëdhënie pune dhe kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare në edukim. Edhe pse afatet e dorëzimit të listës emërore të mësuesve nuk kanë përfunduar në çdo drejtori e zyrë vendore, si rregull, ato duhet të nisen tri javë përpara nisjes së sezonit në Qendrën e Shërbimeve Arsimore. Kjo, me qëllim hartimin e orareve bazuar në emrat dhe profilet e atyre që do të testohen. Në fund, janë ata që penalizohen. “Lutemi që kandidatët e interesuar të përfundojnë sa më parë procedurat e regjistrimit pranë ZVA ose DRAP përkatës. Përtej afatit të përcaktuar nga MASR, nuk do të ketë pranime për pjesëmarrje në provimin e shtetit”, nënvizon QSHA në njoftimin për mësuesit e rinj. Rregullat janë të njëjta. Komunikimi, ushqimi e duhani ndalohen rreptësisht në ambientet e provimit elektronik. Ndërsa celularët këshillohet të mos merren me vete, pasi në ambientet e brendshme të QSHA-së ka bllokues valësh dhe nuk funksionojnë.

Loading...
Loading...
Loading...