Loading...

Nga editori, infoelbasani.al

Më shumë se 100 vjet më parë Dumrea përjeto një nga historitë më të tmerrshme të saj.

Pas shpalljes së Pavarësisë, ushtria serbe vërshoi në trojet shqiptare. Pas largimit të ushtrisë turke, gjenerali serb Metovic, mësyu drejt Elbasanit. Sapo mori njoftimin e Aqif Pashë Elbasanit, Dumrea u organizua për të mbrojtur familjet dhe trojet e saj.

Serbët tentuan të kalonin në Dumre për të mbërritur në Vlorë në bregdet. Menjëherë në fshatrat e Dumresë, rreth 300-400 Burra e djem te ri, me armët që kishin, i zunë pritë ushtrisë në  pyllin e Gjyralës, Shalsit deri në Valas dhe Broshkë. Rruga e Cerrikut ishte porta kryesore për të hyrë në Dumre. Lagjet e Belshit dhe fshatrat përreth formuan një çetë prej 200 vetësh dhe zunë pritë në rrugën në pyllin në afërsi të Cërrikut. Komandant për fshatrat e Dumres ishte Sul Zdrava nga fshati Dëshiran, kurse për lagjen e Belshit ishin Hasan Dyle Hysa për lagjen Hysë e Xhami dy lagje më të populluara në atë kohë me shumë fise dhe për lagjet e Trojasit ishte Abas Bali.

Kryeplaku i fshatit të Belshit ishte Metan Tafani. Ushtria serbe, mbasi mbërriti në Elbasan, mori rrugën drejt Dumresë, por kur morën njoftimin se rrugët ishin të bllokuara nga populli i armatosur, ushtria arriti deri në Malasenj dhe aty u përqëndrua. Dimri filloj acarin dhe ushtria ngriti çadrat. Kjo gjendje mbizotëroi deri në pranverën e ardhëshme.

Në mars të vitit 1913, ushtria serbe nisi të lëvizë për të gjetur shtigje të reja. Por kudo ndeshi me rezistencën e banorëve të fshatrave të Dumresë, Gramshit dhe Sulovës. Serbët pësuan dëme të mëdha në njerëz dhe dëme materiale. Por në tërheqje ushtria ushtronte terror në familjet e pushtuara, djegie, plaçkitje dhe vrasje. Në Sulovë ata ekzekutuan 5 burra me mbiemër Metushi.

Në javën e fundit të marsit 1913, ushtria serbe u nis në drejtim të Belshit. Në një ditë herët  në mëngjes filluan sulmin me topa dhe mortaja. Ata gjuanin në drejtim të kodrave të Shalsit, Cërrikut dhe Xibrakës për të pastruar zonën, por edhe për të friksuar dhe terrorizuar banorët.

Më pas këmbësoria është vërsulur mbi çetën e fshehur në pyll. Por luftëtarët kishin marrë urdhër që të mos qëllonin deri sa ata të afroheshin. Kështu tregonte komandant Kamber Dalip Kasa, pjesëmarrës në atë luftë të pabarabartë. “Ne ishim 200 veta me nga 1 pushkë, ndërsa ata ishin shumë më tepër por edhe të armatosur rëndë me topa e mortaja. Sapo u afruan u dha urdhëri për zjarr. Qëlluam gjithë njëherësh. Përplasja ishte e ashpër. Ushtria serbe pësoi dhjetëra të  vrarë e shumë të plagosur. Lufta zgjati rreth 1 orë.  Kamber Xhemal Dervishi vdiq pasi u plagos rëndë. Municioni po na mbarohej. U detyruam të tërhiqeshim. Por furia serbe u tërbua edhe më shumë. Ata kishin pësuar humbje. Megjithatë marshuan në drejtim të Xibrakës dhe Allajbegut duke ushtruar terror, djegur e plaçkitur çfarë u dilte përpara. Në Allajbeg qëlluan qenin që po u lihte dhe kur doli i zoti që ta ndihminte qenin e qëlluan dhe e vranë edhe atë. Del edhe e shoqa për të parë e vrasin edhe atë në prag të derës. Një terror i paparë”.

Këmbësoria niset drejt Belshit. Djegin e plaçkisin në Shalës dhe pas disa orësh mbërrijnë në Belësh. Aty vërsulen në dy lagjet më të mëdha, Xhami dhe Hysë. Vendosin mortajat në kodrat e Mornes. Në veri të qendrës së Belshit dhe gjuanin në lagje duke djegur dhe shkatërruar shumë shtëpi. Kapnin kë gjenin në rrugë. E lidhnin, dhe kush tentonte të ikte vritej në vend. Vranë shumë. Pastaj mblodhen 100 burra dhe të rinj. I lidhën dy e nga dy dhe në mbrëmje i nisën duke i torturuar gjatë rrugës për në shtabin që kishin në Allajbeg. Ashtu të raskapitur i vënë të hapin një gropë të madhe për dy ditë me radhë. Më 25 mars, i radhisin para gropës nga një ushtar secili. Në momentin që marrin urdhër, ushtarët serbë qëllojnë me bajoneta, thika, qyta e shkelma mbi burrat. Kjo kasaphanë vazhdoi deri sa burrat u shtrinë të gjakosur përtokë. Kush jepte shenja jete merrte një plumb në kokë.

Dy të mbijetuarit e kësaj masakre, Isul Sulejman Dervishi dhe Hasan Bejte Sina, që panë me sy atë vuajtje çnjerëzore tregonin: Kur erdhën ushtarët të kontrollonin se kush ka mbetur gjallë  ne bëmë si të vdekur. Në muzgun e mbrëmjes me një thikë të vogël të fshehur në opingë presim brezin që ishim të lidhur dhe rrëshqasim me kujdes në një përrua që ishte aty afër. U zvarritëm deri sa shkuam në një përrua”.

Aty kanë humbur ndjenjat dhe ajnë gjetur nga barinjtë e fshatit Gryksh gjysmë të vdekur. Ata i kanë marrë  në shtëpi dhe u kanë dhënë ndihmën e nevojshme. Pasi janë përmendur kanë njoftuar familjet e tyre që janë gjallë. Kanë qëndruar disa ditë aty pasi nuk mund të lëviznin nga plagët. Në fshatra mbizotëronte terror. Natën, mjeku popullor nga Belshi, Cane Hoxha, i ka mjekuar deri në shërim. Më 21 prill 1913 ushtria serbe largohet. Ata u kthyen në shtëpitë e tyre dhe ishin të vetëm dëshmitarë të gjallë të kësaj masakre.

Fatkeqësisht për këtë masakër nuk është bërë asgjë. Në qendër të Belshit nuk ekziston asnjë simbol i rezitencës së këtyre burrave që mbrojten me gjak trojet atdheun.

Hyjni Ceka ka shkruar diçka për këtë ngjarje: Në Cërrik lufton një çetë me top/ këta me dyfekë. Lart në kodër në Allajbeg, serbi bëri një mysebet. Dyzet djem lidhur me brez, i theri i la të gjithë mbi dhet. Ti o krajl me gjith ushtri, dogje Belshin e bere hi, por Dumrea s’të la kurrë, që në Vlorë të rrëzosh flamurë. E gjithë bota ta mesojë, çbëri serbi në këto anë. Vrau dogji e shkaterrojë, të zaptojë vendin nuk e lanë, etj….

Historiani Shefqet Xh. Hysa

Populli i Belshit dhe mbarë Dumresë kërkon që bijve që ranë në këtë masakër tu jepet vendi i merituar në historinë e Shqipërisë. Ata kërkojnë ngritjen e një memoriali, një simboli qëndrese, qoftë në Allajbeg ku ata u vranë, qoftë në qytezën Belësh. Kjo është historia. Çdo pëllëmbë e këtij vendi të vogël është mbrojtur me gjak..

Ky shkrim është bazuar në  thëniet e historianit të zonës së Dumresë Shefqet Xh. Hysa Belësh dhe nga Dumre-albania.info.

Loading...
Loading...
Loading...