Loading...

Ajo ishte vetëm 16 vjeçe, kur përjetoi tmerrin më të madh që mund të përjetojë një fëmijë e një femër. Vasfije Krasniqi, është një nga të parat femra e cila doli hapur, publikisht për të rrëfyer dhunën seksuale të ushtruar ndaj saj forcat serbe në luftën e vitit 1999.

Sot pas 20 vitesh ajo ka mbledhur forcat dhe është kthyer në vendin e krimit. Ashtu sikurse për Vasfijen, as edhe për rreth 20 mijë femra të tjera shqiptare të Kosovës, nuk pati drejtësi, ndonëse pati administrata të ndryshme që mision e kishin sundimin e ligjit, si UNMIK-u, EULEX-i apo gjykatat e tjera ndërkombëtare e vendore.

Vasfija asnjëherë nuk ka ndaluar së kërkuari drejtësi dhe këtë e ka gjetur pas 20 vitesh.

Ajo shprehet:

Këtu mu shuan ëndrrat e fëmijërisë. Drejtësi kërkova prej vitit 1999 te UNMIK-u, më pas më 2010 te EULEX-i. Mua drejtësia më është mohuar, por unë nuk do të ndalem do të vazhdoj të kërkoj drejtësi jo vetëm për vete edhe për të gratë e tjera.”
Vasfija ka një kërkesë për familjet e viktimave të dhunës seksuale të luftës.

Vasfija shton:

Iu kisha lutur familjarëve që të jenë më të hapur, në mënyrë që ata që janë të dhunuar të flasin lirshëm dhe ta kenë mbrojtjen e familjes dhe të institucioneve.”
Edhe familjarët e Vasfijes kërkojnë drejtësi, jo vetëm për rastin e saj, por për të gjitha femrat e dhunuara në Kosovë, një drejtësi të cilën nuk ka mundur ta gjejnë në asnjë institucion.

Vëllai i saj Nafi Krasniqi shprehet:

Kemi ndoshta më shumë se 20 mijë gra e burra që kanë qenë të dhunuar gjatë luftës, andaj nuk duhet dhe nuk guxojmë t’i harrojmë.”
Më 16 tetor të vitit 2018, Vasfije Krasniqi-Goodman, erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u bërë kështu njëra ndër të mbijetuarat e para e cila pranoi që rrëfimin e saj për dhunën seksuale të kryer ndaj saj nga forcat policore e paramilitare serbe në vitin 1999, ta shfaqë edhe publikisht. Ndërsa më 18 tetor të 2018-s, ajo u dekorua me medalje presidenciale nga presidenti Hashim Thaçi.

Loading...
Loading...
loading...