Loading...

Një punëtor ka humbur jetën, pasi dyshohet se ka rënë nga shkallët, derisa po punonte në një objekt në fshatin Sllatinë të Fushë Kosovës. Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur të premten, rreth orës 11:30, ndërsa është klasifikuar si “vdekje e dyshimtë”.

“Sot në Stacionin Policor në Fushë Kosovë është iniciuar një rast ‘vdekje e dyshimtë’. Rasti ka ndodhur në fshatin Sllatinë, saktësisht brenda një objekti ku viktima ishte duke punuar”, ka thënë zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, në një përgjigje me shkrim.

Ajo ka thënë se viktima ka rënë nga shkallët, nga një lartësi prej 4 deri në 5 metra. “Viktima, mashkull, N.E. (viti i lindjes 1981), sot rreth orës 11:30, gjatë kohës kur ishte duke punuar, dyshohet të ketë rënë nga shkallët, nga një lartësi 4-5 metra dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore. I njëjti menjëherë është përcjellë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e tij. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërkohë që me rastin po merren Policia dhe institucionet tjera përkatëse”, ka shpjeguar Ahmeti.

Që nga fillimi i vitit të kaluar, në Kosovë, më shumë se 20 persona kanë humbur jetën në vendin e punës.

Loading...
Loading...
Loading...