Loading...

Ka nisur rikonstruksioni i përroit të Zarakinës i cili në një gjatësi të konsiderueshme shtrihet përgjatë pjesës perëndimore të Elbasanit. Çarja e argjinaturës së këtij përroi dhe degradimi për shkak të mbi 50 viteve që nuk ishte ndërhyrë, rrezikonte përmbytjen e mbi 50 mijë banorëve të Elbasanit. Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja dhe deputetët Evis Kushi e Florenc Spahu inspektuan ecurinë e punimeve:

“Zaranika ka qenë një prej shqetësimeve më të mëdha të Elbasanit sepse pas 50 viteve që nga ndërtimi i saj ishte bërë emergjente ndërhyrja për shkak të dëmtimeve që kishin ndodhur prej shumë vitesh. Në rast se nuk ndërhynim në këtë kohë, më pas mund të kishte qenë vonë. Ky është një projekt i madh që shkon 2 milionë dollarë dhe që synon riforcimin e të dy pritave anësore të përroit të Zaranikës. Për ne është shumë e rëndësishme cilësia e punimeve sepse këtu është investuar para 50 viteve dhe po investojmë për shumë vite që do të vijnë. Padyshim që ne do t’ju mbështesim edhe për pjesën e dytë dhe të tretë të projektit për ta shndërruar këtë zonë në një shëtitore dhe hapësirë shlodhëse për njerëzit.”

Kryetari i Bashkisë theksoi se investimi ishte i domosdoshëm ndërsa shtoi se synimi është kthimi i kësaj zone në një shëtitore për qytetarët.

“Ishte një projekt i domosdoshëm për rehabilitimin e përroit të Zaranikës. Është investimi më i madh i bërë në 40-50 vitet e fundit për përroin e Zaranikës. Ishte një problematikë konstante për të gjithë qytetin. Ndërhyrja konsiston në 5.1 km të këtij përroi dhe shmang rrezikun e përbytjeve të mundshme. Faza e dytë e projektit do të jetë rehabilitimi i pjesëve të tjera anësore të përroit ndërsa synimi ynë është ta kthejmë edhe në një shëtitore në fazën e tretë të punimeve” tha Llatja.

Përroi i Zaranikës ka një shtrirje prej 5.1 km dhe dalja e tij nga shtrati, apo më keq akoma shkatërrimi i argjinaturës, përbënte rrezik konstant për përmbytje. Projekti ka parashikuar ndërhyrje në të gjithë gjatësinë e tij deri në derdhjen në lumin Shkumbin duke i dhënë zgjidhje përfundimtare problemit. Elbasaninews

Loading...
Loading...
Loading...