Loading...

Komunikata e Drejtorisë së Policisë Elbasan

Elbasan Goditet një rast i trafikimit të armëve luftarake dhe lëndëve eksplozive

Finalizohet operacioni policor “Papër” Sekuestrohen 19 pistoleta të kalibrave të ndryshëm, 400 fishekë luftarak dhe 1.6 kilogramë tritol TNT. Në pranga 51-vjeçari nga Kosova, i cili i trafikonte këto armë nga Serbia në Kosovë me destinacion final Shqipërinë.
Drejtoria Hetimore Qendrore pranë Departamentit të Policisë Kriminele në Policinë e Shtetit, pas informacioneve të marra në rrugë operative për një trafik të mundshëm të armëve dhe municioneve luftarake nga Serbia në Kosovë e më pas në Shqipëri, referoi materialet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku u regjistrua procedimi penal i vitit 2019, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municioneve” .
Nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda u kryen hetime proaktive, të cilat çuan në finalizimin me sukses të operacionit “Papër”,. Në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në rrugën nacionale Elbasan -Peqin, u kap në flagrancë shtetasi: Y. A., 51 vjeç, lindur në Kacandoll dhe banues ne Podujevë, Kosovë.
Ky shtetas u kap në flagrancë duke transportuar me automjetin e tij armë luftarake, municion dhe lëndë shpërthyese TNT, të cilat i siguronte në Serbi e në vende të tjera, më pas i transportonte në Kosovë me destinacion final Shqipërinë.
Armët dhe municionet ishin fshehur në vende të posaçme të krijuara në automjetin e tij, si në motor, kabinë, bagazh e kroskot.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 19 armë zjarri të llojit pistoletë, të markave të ndryshme, 400 fishekë luftarak, 4 kallëpe lënde eksplozive të llojit TNT, me peshë të përgjithshme 1.6 kg, 3 telefona dhe automjeti që transportonte armët.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal, identifikimin e personave që kanë bashkëpunuar me personin e arrestuar, pasi nga veprimet e deritanishme proaktive rezulton se ky shtetas ka shitur edhe më parë armë luftarake, në Kosovë , Shqipëri e vende të tjera.

Loading...
Loading...
Loading...