Loading...
Loading...

Disa punonjës të uzinës së lëndëve plasëse në Mjekës të Elbasanit, denoncojë në emisionin “Stop”, se nuk marrin pagën prej 8 muajsh, dhe nuk u janë derdhur detyrimet e sigurimeve shoqërore prej 2 vjetësh. Kastriot Elezi dhe Petrit Suli, thonë, se nuk po ia dalin dot më, ndaj kërkojnë një zgjidhje.

Kastriot Elezi: Punoj prej rreth 13 vitesh në këtë uzinë dhe kemi rreth 8 muajsh pa marrë rrogën dhe 2 vjet pa paguar siguracionet. Nuk na japin asnjë përgjigje. Jam duke kërkuar borxh, unë shtetit ja laj ujin dhe dritat, po ky qenka shtet më i keq, si ai i regjimit të Enver Hoxhës. 250 mijë Lekë të vjetra, nuk i marrim prej 8 muajsh.

Petrit Suli: Jam elektriçist në uzinë, kam 5 vite që punoj dhe na mbajnë me shpresa, jo këtë muaj, jo atë muaj dhe u bënë 8 muaj pa rroga. U detyruam të kontaktojmë me ju të emisionit “Stop” për t’ju kërkuar ndihmë që problemi jonë të zgjidhet.

Gazetarja e “Stop” arriti të kontaktojë me drejtorin e uzinës Mjekës, Faik Gjolena, i cili tha, se puna në uzinë varet nga projektet, që sjell Ministria e Mbrojtjes. Gjolena premtoi, se që nga muaji Mars, do të nisë ndryshimi i situatës dhe gradualisht punonjësit do të marrin pagat e prapambetura e do t;u derdhen sigurimet shoqërore.

Faik Gjolena, drejtori u Uzinës Mjekës: Shqetësimi i punëtorëve që është drejtuar në redaksinë e emisionit “Stop” qëndron. Realisht janë 8 muaj pa marrë rrogat dhe 17 muaj pa u paguar siguracionet. Falë këmbënguljes tonë dhe përpjekjes së Ministrisë së Mbrojtjes tonë ky projekt u bë i mundur para 4-5 ditësh. Ky projekt u mundësua nga Ministria e Mbrojtjes dhe ne na bën që kjo ndërmarrje të vazhdojë punën për një vit. Ky projekt do arrijë të mbulojë pagat e këtyre 8 muajve që nuk janë dhënë dhe defiçitin e sigurimeve shoqërore dhe më pas në vazhdim. Në muajin Mars do të marrin pagat, mund të marrin 2-3 paga të prapambetura dhe në muajt e tjerë po ashtu.

Kastriot Elezi: Faleminderit emisionit “Stop”, na keni zgjidhur hallet e të gjithë popullit shqiptar, jo vetëm ne të uzinës”./tvklan.al

Loading...
loading...
Loading...