Loading...

Ish-presidenti Bamir Topi disa kohë më parë hodhi në treg librin e tij autobiografik me titull ‘Nocturn”.

Në këtë libër ai rrëfen një bisedë që ka bërë me ish-kryeministrin Sali Berisha vetëm pak çaste pas vrasjes së Azem Hajdarit.

Topi shkruan se ka folur me Berishën në selinë e Partisë Demokratike, mbrëmjen e 12 shtatorit 1998.

Po ashtu ish-presidenti ka shkruar në librin e tij se si e mësoi lajmin për vrasjen e Azem Hajdarit.

Në rrëfimin e tij ai shkruan se ka qenë Berisha, ai që e ka njoftuar se Azem Hajdari kishte ndërruar jetë.

Ndërsa që Hajdarit i kishin bërë atentat ai e kishte mësuar nga edicioni i lajmeve.

Në librin e tij ai shkruan:

Pasditja e 12 shtatorit 1998 ishte e gjallë në selinë e Partisë Demokratike. Njerëzit e medias ishin në pritje të materialeve filmike. U largova për punët e mia dhe ndërkohë që ora po afronte 21:00, futem te rrugica e shtëpisë sime, te Rruga e Barrikadave, duke dyshuar në atë kohë vetëm radion ‘’Kontakt’’. Dola nga makina për të hapur portën e oborrit dhe ende pa fikur makinë dëgjoj, sikur të ndodhte në oborrin e shtëpisë, një zhurmë kallashnikovi me të cilin na ishte mësuar veshi përgjatë atij viti të mbrapshtë. Mbasi mbylla portën e oborrit, po afrohesha te makina dhe papritur emisioni i lajmeve i orë 21:00 ndryshoi rrjedhën me një lajm tragjik. “Sapo njoftohemi se pak çaste më parë është bërë atentat me armë zjarri pranë selisë së Partisë Demokratike”. Në vazhdim të fjalëve të tij spikeri informon dhe thotë: “Njoftohemi se lideri i dhjetorit, Azem Hajdari, është plagosur dhe është dërguar në spital. Së bashku me të është ekzekutuar edhe truproja Besim Çera”. Pasi futem pak çaste në shtëpi, u tregoj se çfarë kishte ndodhur dhe u thash të qëndronin, sepse do të shkoja te PD-ja. Një shi i lehtë kish filluar. Pa fikur makinën dola në Rrugën e Barrikadave dhe në një rrugë të boshatisur arrij për 1-2 minuta pranë selisë. Policia kish bllokuar hyrjen në vendngjarje dhe më orientuar të futesha nga krahu i Parlamentit. Dola me shpejtësi nga makina, ndërkohë që shiu binte me rrëmbim. U futa nëpër shkallë dhe takova Ibrahim Ndreun, një nga shoqëruesit e Berishës që më tha ‘’është vetëm’’. Deri në atë çast informacioni ishte për plagosje, ndërsa sa takoj Sali Berishën më thotë se e kishin vrarë. –Si është gjendja? –Ka mbarur. Më njoftuan nga spitali. Kanë vrarë edhe shoqëruesin e tij, Besim Çerën. Duke vazhduar më tha që të mblidheshim si kryesi në orën 12:00.”
Kujtojmë këtu se libri i Bamir Topit është bërë shkak për përplasje midis tij dhe ish-presidentit Bujar Nishani.

Kjo ndodhi sepse Topi në librin e tij kishte shkruar se Nishani kishte punuar si pompist në një pikë karburanti.

Loading...
Loading...
Loading...