Loading...

Publikohet lista me 530 pronarët që u është prekur tona nga ndërtimet pa leje dhe marrin kompensimin për truallin. Përfituesit janë në të gjithë vendin dhe ‘Gazeta Shqiptare’ publikon listën e plotë ku përveç gjeneraliteteve të përfituesve është edhe shuma e përfitimit për pronarët që kompensohen. Procedurat për kompensimin financiar të pasurive që preken nga ndërtimet informale ndiqen nga Agjencia e Trajtimit të Pronave. Pas hapjes së procedurave nga ATP-ja pronarët duhet të plotësojnë formularin tip dhe gjashtë dokumente.

Procedurat
Pronarët kompensohen me vlerën e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave në hartën e vlerës. Vlera e kompensimit varion sipas zonave. Sipas ligjit në fuqi kur parcela e ndërtimit të legalizuar shtrihet mbi pasuri të paluajtshme në pronësi private, të subjekteve joposeduese të ndërtimit, nëpërmjet të njëjtit akt administrativ miratohet masa dhe vlera e kompensimit financiar për sipërfaqet takuese, pronë private, që preken nga ndërtimi. “Vendimi i Këshillit të Ministrave për kalimin e së drejtës së pronësisë dhe miratimin e masës e vlerës së kompensimit për sipërfaqet, pronë private, që preken nga ndërtimet e legalizuara, është i vlefshëm për regjistrimin përfundimtar të parcelës ndërtimore në regjistrin e pasurive të paluajtshme. Sipas ligjit në fuqi janë një sërë rregullash për kalimin e të drejtës së pronësisë dhe miratimit të masës e vlerës së kompensimit”-thuhet në aktin normativ që rregullon kompensimin e pronës së prekur nga ndërtimet pa leje. Nëse poseduesi është bashkëpronar në pasurinë ku ndodhet ndërtimi i legalizuar, për rregullimin e pronësisë në parcelën ndërtimore zbatohen këto rregulla:

a) Kur pjesët takuese ideale të bashkëpronësisë janë të papërcaktuara, ato prezumohen të barabarta (në përpjesëtim me numrin e të gjithë bashkëpronarëve); b) Pjesa takuese ideale e poseduesit llogaritet në sipërfaqen e parcelës ndërtimore. Nëse, pas kësaj, nuk plotësohet sipërfaqja e parcelës ndërtimore, për sipërfaqen e mbetur të saj kryhet kalimi i pronësisë në favor të poseduesit, si dhe kompensimi i bashkëpronarëve të tjerë, sipas pjesëve të tyre ideale; c) Mosmarrëveshjet për ndarjen e parcelës dhe për masat e pjesëve takuese zgjidhen nga gjykata. Nëse një nga bashkëposeduesit e ndërtimit të legalizuar është pronar i vetëm i pasurisë ku ndodhet parcela, krijohet bashkëpronësia mbi parcelën ndërtimore, duke u transferuar poseduesve të tjerë pjesët takuese të parcelës. Ndërkohë që për situatat e mbivendosjes së titujve nuk pengon procedurat, sipas këtij vendimi. Mbivendosja në parcelën ndërtimore shuhet me hyrjen në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave që miraton kalimin e së drejtës së pronësisë dhe vlerën e masën e kompensimit financiar. Në këto raste, kompensimi financiar miratohet pa përcaktuar subjektin përfitues të tij, duke pasqyruar faktin e mbivendosjes së titujve në seksionin e veçantë të vendimit të Këshillit të Ministrave. Për zbatimin e kësaj pike, Agjencia e Trajtimit të Pronës detyrohet të caktojë, në një llogari bankare të posaçme, shumën e miratuar të kompensimit financiar.

Dokumentet

1-Kërkesë për kompensimin e pronës, sipas formatit tip, që i vihet në dispozicion nga ATP;
2-Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil;
3-Prokurë e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. (Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo kërkesë të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 000 (dymijë) lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme);
4-Vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare (IBAN), ku do të transferohet vlera financiare e përfituar;
5-Fotokopjen e dokumentit të identifikimit;
6-Mandat pagesën, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit në vlerën 2 000 lekë. Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.

Loading...
Loading...
Loading...