Loading...
Loading...

Nga Jung Woo Lee

“New Statesman”

Kupa e Botës, mund të jetë në lidhje me futbollin, por për Rusinë ekziston një synim paralel që është po aq, në mos më shumë i rëndësishëm, sesa ecuria sportive. Që nga fillimi, Vladimir Putin nuk e ka fshehur dëshirën e tij për ta përdorur këtë ngjarje sportive për zgjerimin e marrëdhënieve diplomatike të vendit të tij.

Tani, turneu po shkon drejt fundit, dhe taktika e Kremlinit në Kupën e Botës në futboll, po arrin qëllimet e veta. Pak muaj para fillimit të spektaklit sportiv, bota ishte dëshmitare e spektrit të një Lufte të Ftohtë që po ringjallej. Britania e Madhe dhe aleatët e saj perëndimorë, dëbuan shumë diplomatë rusë, për shkak të sulmit të dyshuar të Kremlinit me agjentin nervor Noviçok ndaj një ish-agjenti të dyfishtë rus, dhe vajzës së tij në Salisbëri – një debat i nxitur sërish këtë javë, nga lajmi se një tjetër çift në Ejmsbëri u shtrua në spital, për shkak të një helmimi të dyshuar nga i njëjti agjent nervor.

Në mars, Moska u hakmor ndaj dëbimeve, duke dëbuar diplomatët britanikë, dhe duke mbyllur Këshillin Britanik në territorin rus. Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Xhonson, forcoi retorikën kundër Moskës, duke e krahasuar botërorin rus me olimpiadën naziste të vitit 1936, dhe duke bërë thirrje për bojkotimin e mundshëm të këtij turneu.

Familja mbretërore dhe ministrat britanikë, nuk morën pjesë në ceremoninë e hapjes, dhe Islanda iu bashkua bojkotit. Megjithatë, duket se pjesa tjetër e botës nuk e ka ndau këtë ndjenjë anti-ruse. Gjatë këtij botërori, Rusia ka qenë në gjendje të rikonfirmojë marrëdhënien e saj me lojtarë të fuqishëm në Lindjen e Mesme.

Një ditë para nisjes së turneut, Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Muhamed bin Salman, vizitoi Moskën për të diskutuar mbi prodhimin e naftës me presidentin Putin – një takim që rezultoi me dakordësinë e të dyja palëve për të rritur bashkëpunimin energjetik mes dy vendeve.

Ata panë gjithashtu ndeshjen e parë të Kupës së Botës, në të cilën Rusia mundi Arabinë Saudite 5-0. Ky mund të ketë qenë një moment poshtërues për Arabinë Saudite, por kur mesfushori rus Juri Gazinski shënoi golin e parë, Putin dhe Mohamed bin Salman, shtrënguan duart në tribunën VIP.

Kur ndeshje përfundoi, ata bënë shaka mbi rezultatin. Për të dy liderët, fitimi i një miku ishte më i rëndësishëm, sesa fitimi i një loje me top. Botërori i futbollit, i ka dhënë ndërkohë Putinit mundësinë të forcojë lidhjet e tij me vendet e Azisë Lindore.

Princesha e Japonisë, Takamado, shkoi në Rusi për të mbështetur kombëtaren japoneze, ose siç quhet ndryshe “Samurajtë blu”; duke u bërë anëtarja e parë e familjes mbretërore japoneze që vizitonte Rusinë që nga viti 1916. Ndonëse nuk u takua formalisht me zyrtarët rusë gjatë vizitës së saj 8-ditore, prania e saj në stadium ishte simbolike, duke marrë parasysh mosmarrëveshjen e zgjatur territoriale midis dy shteteve që nga Lufta e Dytë Botërore.

Një arritje më e rëndësishme diplomatike, ndodhi në takimin mes Koresë së Jugut dhe Rusisë, që u zhvillua në Moskë në mesin e botërorit. Agjenda kryesore e këtyre negociatave të nivelit më të lartë, përfshinte denuklearizimin e gadishullit Korean, dhe bashkëpunimin ekonomik midis Koresë së Jugut dhe Rusisë, me presidentët Mun dhe Putin, që shpallën në një konferencë për mediat partneritetin strategjik midis tyre.

Kremlini kishte qenë i përjashtuar nga zhvillimi i fundit politik në gadishullin Korean, veçanërisht që nga samiti SHBA-Kore e Veriut në Singapor, por takimi me zotin Mun, e vendosi Putinin si një lojtar të rëndësishëm në gjeopolitikën e Azisë Verilindore.

Perëndimi nuk qëndroi larg nga fushata ruse në kampionatin botëror të futbollit. Pati madje zëra se Donald Trump do të zhvillonte një vizitë të papritur në Moskë, ndonëse në fund, Uashingtoni dërgoi këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare, Xhon Bolton.

Lajmi se Amerika e Veriut fitoi të drejtën për të organizuar Kampionatin Botëror të vitit 2026, kishte shkrire akujt midis organizatorëve aktualë dhe atyre të ardhshëm, me zotin Bolton që madje e pyeti Putinin për sekretin e suksesit të këtij evenimenti, dhe presidenti rus që tha se ishte i gatshëm të ndihmonte.

Ndërsa po zhvillohej turneu i futbollit, disa vende evropiane braktisën protestat fillestare kundër Rusisë. Suedia i dha fund bojkotit politik kundër Kremlinit pasi ekipi i vet shkëlqeu, me politikanët nga Stokholmi që ishin më në fund të pranishëm në stadium në Shën Petersburg, për të mbështetur bashkatdhetarët e tyre.

Edhe presidenti francez Emmanuel Macron, mund të vizitojë Rusinë nëse “Les Bleus”, arrijnë në finalen e madhe. Duket se aleanca diplomatike perëndimore shpërbëhet, kur ky koalicion bie ndesh me krenarinë kombëtare të shteteve anëtare.

Ndërsa duhet të presim edhe disa ditë, për të parë se kush do ta fitojë botërorin e këtij viti, por në fushën e diplomacisë sportive, duket e sigurtë të parashikohet se kampioni ka gjasa të jetë presidenti rus.

Krahasuar me Lojërat Olimpike Dimërore në Soçi në vitin 2014, imazhi i Putinit dhe ndikimi i tij, janë më pak të dukshme në këtë Kupë Bote. E megjithatë ai duket se po akumulon një numër më të madh asetesh diplomatike, thjesht duke qëndruar pranë fushës së futbollit.

Nga Lindja e Largët, përmes Lindjes së Mesme dhe Perëndimit, Putini po diversifikon dhe forcon marrëdhëniet me kombet e tjera, pasi personazhet e rëndësishme ndërkombëtarë po vizitojnë mikëpritësin e botërorit.

Shënim: Dr.Jung Woo Lee, është lektor mbi sportin dhe argëtimin në Universitetin e Edinburgut në Skoci. Bota.al

 

Loading...