Loading...

Gjykata e Vlorës jep “arrest me burg” për kushëririn e ish-deputetit Koço Kokëdhima. Nuk ka pranuar t’i ketë sulmuar turistët spanjollë. Mihal Kokëdhima ka deklaruar në seancën gjyqësore për masë sigurie, se vetëm donte t’i ndalonte ata, por është ndjerë i rrezikuar pasi ata kanë dashur ta shtypin, dhe për këtë arsye, sipas 51-vjeçarit ai është detyruar të hidhet mbi furgon.

VLORË -Arrest me burg ka dhënë Gjykata e Vlorës për Mihal Kokëdhimë. Me këtë masë sigurie dhënë nga gjyqtarja Esmeralda Habilaj, 51-vjeçari do të qëndrojë në burg të paktën gjatë periudhës së hetimeve, nën akuzë për “kanosje”, “dëmtime të tjera me dashje” dhe “shkatërrim të pronës”.

Mihal Kokëdhima, kushëri i ish-deputetit Koço Kokëdhima, u arrestua tre ditë më parë nga policia, pasi sulmoi dhe rrezikoi jetën e një grupi turistësh spanjollë, duke ju hedhur mbi kofanon e furgonit ku ata udhëtonin, dhe në tre kilometra rrugë në ecje i ka terrorizuar ata teksa thyen xhamin dhe bërtet. E gjitha ndodhi pasi turistët u larguan nga restoranti i tij në “Porto Palermo” të Himarës, pasi pritën gjatë për porosinë që nuk u erdhi kurrë.

Vetë Mihal Kokëdhima, ndryshe nga ajo çfarë u pa qartë në një video ekskluzive të Repor Tv, ku ai shfaqej në sjellje në kufijtë e çmendurisë ndaj turistëve, ka pretenduar se ishin turistët që tentuan ta shtypnin me furgon dhe se ai ju hodh automjetit për të shpëtuar.

Avokatët e tij të studios “Cakrani” kanë kërkuar masë më të lehtë se arrest me burg siç kërkoi prokurori Saimir Smaka. Mbrojtja ngriti pretendimet se nuk qëndron asnjë nga akuzat e ngritura, prandaj ai nuk duhet mbajtur në burg. Avokatët kërkuan që Mihal Kokëdhima të lirohet me garanci pasurore deri në 3 mijë euro, ose një vlerë tjetër që ta përcaktojë gjykata.

Pas videos ekskluzive që Report Tv publikoi nga momentet e tmerrit mbi furgon, Shqiptarja.com mësoi se restoranti i ndërtuar mbi plazh në Porto Palermo, rezulton prej vitesh (para 2012-ës) pa leje, dhe është në proces legalizimi.

Ora 11:39
Flet për herë të parë pronari i restorantit në Porto Palermo që terrorizoi turistët /DËSHMIA
1566119330_kokdhedhima001.jpg

Nuk ka pranuar t’i ketë sulmuar turistët spanjollë. Mihal Kokëdhima ka deklaruar në seancën gjyqësore për masë sigurie, se vetëm donte t’i ndalonte ata, por është ndjerë i rrezikuar pasi ata kanë dashur ta shtypin, dhe për këtë arsye, sipas 51-vjeçarit ai është detyruar të hidhet mbi furgon.

“Nuk kam bërë asnjë gjë t’i sulmoja ata. U mundova t’i ndaloja. Ata nisën makinën dhe desh më shtypën. Ju luta gjithë rrugës të ndalonin, por ata nuk ndaluan. Kur ndaluan zbrita nga makina dhe shkova vetë lajmërova policinë dhe shkova në polici.

Më morën zvarrë me makinë. Ç’është kjo punë, nuk kam prekur njeri me dorë. Ku janë faktet që i preka me dorë? Më rrëzuan në Qeparo nga makina. Si ka mundësi, unë nuk e theva xhamin për t’i dëmtuar, por për tu mbajtur. Unë u mora targën, telefonova policinë. Ata futën marshin të më shtypnin dhe unë u hodha në kroskot. Kam dy fëmijë në shkollë në Gjermani. Ne vetëm dy muaj punojmë. Më lini të punoj”, – tha Kokëdhima teksa u dakordësua me kërkesën e avokatit për tu hetuar në liri me garanci pasurore.

Por nga video që Report tv transmetoi ekskluzivisht një ditë më parë, Mihal Kokëdhima shfaqet mbi kofanon e furgonit në ecje, nga Porto Palermo deri në Qeparo ku gjithë kohës qëllon me grushte xhamin e përparmë të cilin e theu. Janë shoferi dhe pasagjeri shqiptar që dëgjohen gjatë gjithë kohës t’i kërkojnë Kokëdhimë të zbresë, por ai nuk ka zbritur edhe pse makina u ndal dy herë për t’i dhënë mundësi atij të iki. Vetëm në fund, 51-vjeçari vërtet u kërkon turistëve dhe shqiptarëve që ishin në makinë që ta ndalin furgonin kur situata për të bëhet e vështirë, por edhe kur zbret nga kofano në ndalesën e tretë të makinës, ai tenton të hapë derën e shoferit dhe teksa furgoni largohet me shpejtësi, ai godet sërish me grushte automjetin.


Ora 11:26
‘E kam mik kryeministrin…’ Dëgjoni bisedën e Mihal Kokëdhimës me avokatët e tij (VIDEO)

Mihal Kokëdhima ka pasur një bisedë me avokatët e tij para nisjes së seancës gjyqësore, ndërsa ishte ulur në vendin e të paditurit. Avokatët Kujtim Cakrani dhe Erjon Vezimaj i kanë thënë se për rastin e tij ka folur dhe vetë kryeministri, por ndërkohë i qeshur Mihal Kokëdhima dëgjohet të thotë se kryeministrin e ka mik.

Avokatët: Për ty ka folur vetë kryeministri
Mihal Kokëdhima: Si ka thënë?
Avokatët: Dhe po foli vet kryeministri…
Mihal Kokëdhima: E kam mik
Avokatët: Kryeministri është i gjithëfuqishëm dhe harron që korrupsioni i tij ka marrë dhenë në të gjithë botën

Dje kryeministri Edi Rama foli për rastin e Mihal Kokëdhimës por duke e sulmuar ashpër veprimet e tij e duke e quajtur atë ”barbar”.

Loading...
Loading...
Loading...