Loading...

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë studentët jashtë Tiranës, teksa tha në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News 24, se do të përfitojnë kartën e studentit.

Ministrja deklaroi se këtë javë është nënshkruar marrëveshja me Postën Shqiptare, në mënyrë që karta e studentit të shpërndahet te studentët jashtë Tiranës, ndërsa shtoi se këtë vit do ketë risi edhe fakti se në këtë kartë do të derdhen edhe lekët e atyre që përfitojnë bursa, por që nuk kanë një llogari bankare.

Ndërsa e pyetur nga gazetarja nëse i frikësohet një tjetër proteste studentore, ministrja tha se nuk ka pasur frikë as nga protesta e parë e të rijve, duke shtuar se shpreson që studentët të bashkohen në betejën e madhe për përmirësimin e cilësisë së arsimit në Shqipëri.

A u plotësuan kushtet e studentëve?
Fillojmë nga karta e studentit, pasi këtë javë, të mërkurën, nënshkruam një marrëveshje me Postën Shqiptare, në mënyrë që kartën e studentit, me dizajn të ri, të kemi mundësi ta shpërndajmë edhe për studentët jashtë Tiranës. Ne patëm një bashkëpunim të mirë me Bashkinë e Tiranës për ta ofruar kartën për studentët që janë rezidentë në Tiranë, por tani po mundohemi me Postën ta ofrojmë atë edhe për studentët jashtë saj. Do arrijmë që studentët të marrin shërbimet me zbritje me këtë kartë. Ka zgjidhur edhe një çështje tjetër Posta. Vjet nuk arritëm të shpërndajmë bursat. Në këtë kartë do të derdhen e lekët e atyre që përfitojnë bursa, por që nuk kanë një llogari bankare.

Për pjesën tjetër, një pjesë e madhe e vendimeve janë marrë në janar dhe shkurt. Kemi zbatuar përgjysmimin e tarifave, dhënien e bursave, transparencën. Studentët kanë kërkuar të dinë edhe ku po shkojnë lekët, pra buxhetin. Gjithçka është botuar në faqen që e hapëm në pranverë dhe që azhurnohet vazhdimisht. Për konviktet, Bashkia e Tiranës investoi shumë shpejt në to për t’i përmirësuar kushtet. Kemi arritur të investojmë edhe në tri konvikte jashtë Tiranës. Secili universitet ka afër dy konvikte, një për vajza dhe një për djem. Ne do investojmë në njërën dhe pastaj do shpërngulim të gjithë studentët në njërën, për të investuar edhe në tjetrën. Sivjet do kryhen pesë dhe vitin tjetër edhe pesë të tjera.

Për pedagogët u desh ta merrnim më shtruar. Morëm një vendim, pedagogët thanë që nuk mund ta bënim ne, të kontrollonim plagjiaturën. Ne vendosëm që t’iu jepnim softëer-in anti-plagjiaturë, që komisionet brenda universitetit mund ta përdorin për punimet e studentëve dhe të pedagogëve. Do bëjmë dhe një gjë tjetër, do shohim mënyrën si është marrë një titull akademik apo gradë shkencore, sepse e kemi këtë tagër. Ajo që po planifikojmë tani është që të fillojmë nga kandidatët për strukturat drejtuese, meqë janë zgjedhjet në pranverë për secilin universitet. Kjo na jep kohë të mjaftueshme që të fillojmë nga kokat dhe të gjithë të kalojnë në një far procesi, ku ata e pastrojnë emrin e tyre he dalin me integritet si kandidat për rektor, dekan, shefa departamentesh. Softin e kemi gati.

A keni frikë se mund të përballen sërish me një protestë të studentëve?
Unë as protestën e parë nuk e kam marrë me frikë. Na dha të gjithëve një shtytje për të përmirësuar cilësinë e arsimit. Ne do vijojmë të hapim diskutimin me ta sërish, do t’i dëgjojmë. Po shpresoj që ata të bëhen partnerët tanë në betejën e madhe për përmirësimin e cilësisë së arsimit në Shqipëri.

Loading...
Loading...
Loading...