Loading...
Loading...

Vlerësime për librin “Pyjet dhe energjia e gjelbër” të studiuesit Ahmet Mehmeti

Prof. Dr. Vezir Muharremaj

Kohët e fundit, studiuesi Ahmet Mehmeti ka botuar dhe promovuar librin e tij të radhës “Pyjet dhe energjia e gjelbër”, bazuar në një studim të plotë që ka kryer, me të dhëna nga krejt vendi, sidomos nga Elbasani, Gramshi dhe Librazhdi, por më të hollësishme për disa zona të veçanta, përfshirë realizimin e qindra pyetësorëve me përdoruesit e druve të zjarrit për djegie. Analizat që bën dhe përfundimet që nxjerr, autori i bazon në matjet dhe vrojtimet e bëra në terren, i ilustron me pasqyra, grafikë e fotografi, i krahason me të dhënat e literaturës së pasur të përdorur dhe me përvojën botërore. Në fund, jepen këshilla të vlefshme për të gjithë të interesuarit e kësaj fushe të gjerë, përdoruesit e shumtë të druve të zjarrit, administratën që merret me mbarështrimin e pyjeve, studiuesit dhe institucionet arsimore në të gjitha nivelet, përderisa pyjet luajnë rol jetik për shoqërinë njerëzore me funksionet e shumëfishta që kryejnë, përfshirë funksionin energjetik dhe përdorimin e druve të zjarrit si lëndë djegëse universale.

Studimi u përgatit në kuadër të projektit “Së bashku një sy për mjedisin!”, mundësuar nga programi “Mbështetje për Organizatat e Shoqërisë Civile në Shqipëri (SENiOR-II), zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri dhe financuar nga Qeveria Suedeze.

Me të drejtë autori i krahason pyjet me oqeanet për rolin klimatik në shtimin e lagështirës së ajrit dhe favorizimin e reshjeve të bollshme; ndër të tjera, theksohet roli i pyjeve në rregullimin e regjimit të ujërave dhe funksionimin e hidrocentraleve.

Në këtë libër, si dhe në studimet dhe botimet e tjera të mëparshme, autori ka pasqyruar përvojën e gjatë teorike e praktike si ekspert i shkencave pyjore dhe mjedisore, literaturën e kohës të vendit dhe atë botërore.

Libri është mirëpritur nga publiku, pasi aty gjejnë shpjegime për funksionin e rëndësishëm energjetik të pyjeve, krahas funksioneve të tjera prodhuese, klimatike, hidrologjike, mbrojtëse e shoqërore. Autori, për herë të parë në literaturën e vendit tonë, trajton me hollësi rolin e pyjeve në “energjinë e gjelbër”, si prodhues të druve të zjarrit, si dhe dobitë jetike që ofrojnë, krahas të tjerave, veçanërisht për zonat rurale dhe shtresat e varfra të popullsisë.

Specialistët e vlerësojnë librin si një kontribut të shtuar në literaturën profesionale ende të varfër të sektorit pyjor. Përdoruesit e shumtë të druve të zjarrit gjejnë në këtë libër këshilla për përdorimin sa më efektiv të druve të zjarrit, por dhe detyrën për ruajtjen dhe mbarështrimin e qëndrueshëm të pyjeve.

Vlen të përmendim disa aspekte kryesore që trajtohen në libër.

Pyjet shqiptare cilësohen nga autori si “centrale energjetike” shumë efikase, që nëpërmjet fotosintezës kanë prodhuar çdo vit sasi të mëdha dru zjarri, të përdorur nga fshatarët dhe popullsia në zonat urbane që furnizohen me to për ngrohje dhe gatim pothuaj gjatë gjithë vitit, përveç eksportit të druve të zjarrit dhe qymyrit të drurit të prodhuar prej tyre. Nga 308,370 banesa në Shqipëri, rreth 58 % e tyre ngrohen me dru zjarri (95.7 % në zonën malore, 72.7 % në zonën kodrinore dhe 38.7 % në zonën e ulët). Sipas një vlerësimi të përafërt, vetëm konsumatorët familjarë përdorin mbi 1.5 milion metër ster dru zjarri. Por, shumica e pajisjeve ngrohëse janë të vjetra dhe joefikase, me humbje nxehtësie që shkojnë deri në 40-50 %.

Për sa i përket sasisë së druve të zjarrit të prodhuara çdo vit, autori thekson se informacioni zyrtar është shumë i pasaktë për shkak të nënvlerësimit dhe anashkalimit të këtij problemi. Konkretisht, përdorimi i druve të zjarrit nga fshatarësia gjatë periudhës  nga mesi i viteve ’70 dhe në vitet ’80 u falsifikua duke ndryshuar raportin e prerjeve me mundësinë vjetore të shfrytëzimit (rritjen vjetore të pyjeve) nga 3-4:1 që ishte në të vërtetë, në 2:1 që i raportohej zyrtarisht FAO-s.

Informaliteti dhe prerjet e paligjshme, mbishfrytëzimi dhe falsifikimet statistikore megjithëse janë ditur, kanë vazhduar pandërprerë që nga vitet ’50 deri në kohën e sotme. Kësaj gjendjeje i përgjigjet me prioritet dhe sipas parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm VKM nr. 27, datë 20.01.2016 ku theksohet: “Niveli aktual i konsumit të drurit si lëndë djegëse që përdoret vetëm për energji kërkon një rritje më të madhe vjetore me 35-55 % se rritja vjetore e pyjeve, dhe kjo tendencë duhet të ndryshojë për të lejuar zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori për ekonominë vitale shqiptare .Për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm të pyllit, do të duhet të merret parasysh përdorimi i biomasës si lëndë djegëse për uljen e konsumit nga 211,50 ktoe (në 2013) për 167,79 ktoe (në 2020), dhe ripyllëzimi në pragun minimal të paktën 2,200 ha për çdo vit.”

Drutë e zjarrit tek ne prodhohen kryesisht duke prerë rrah shkurret (llojet e makies mesdhetare si mareja, mretja, xina, etj) gjatë gjithë vitit, si dhe pyjet e ulët të dushqeve e fletorëve të tjerë gjatë periudhës së pushimit të vegjetacionit (dimrit). Pas prerjes, shkurret dhe pyjet e ulët ripërtërihen në mënyrë natyrore nëpërmjet lastarëve, gjë që është një përparësi e madhe për kushtet e vendit tonë, duke siguruar pa shpenzime të tjera ripërtëritjen e tyre. Veçse, kërkohet mbrojtja e ripërtëritjes në pyjet e ulët nga kullotja, të paktën për 1 vit nga dhentë dhe 3vjet nga dhitë e bagëtitë e trasha.

Autori thekson se krahas përdorimit më të gjerë të energjisë së rinovueshme, sot kërkohet me forcë të rritet efiçenca e energjisë. Dihet se sasia e energjisë së prodhuar nga djegia e druve të zjarrit, përveç nga lloji drusor, varet shumë nga përmbajtja e lagështisë në to. Është vërejtur se energjia e përfituar nga djegia e druve të njoma është afërsisht sa gjysma e energjisë që përfitohet nga e njëjta sasi dru zjarri të thara në ajër, me lagështi 15-20 %; pra, vlera energjetike e druve te zjarrit të thara gjatë 2 vjetëve në mënyrë natyrore dyfishohet. Lagështia e druve të zjarrit të posa prera zë 50 % të peshës; në drutë e stivosura në mjedis të hapur për 1 deri 4 muaj ajo ulet në 40 %,  pas 4-8 muajsh bie në 30 % dhe në mjedise të njëjta pas 2 vjetësh lagështia bie në 15 %.

Përdorimi për djegie i druve të zjarrit të njoma, përveç humbjes energjetike, sjell dhe efekte negative në mjedis. Procesi i djegies jo të plotë të druve të njoma shoqërohet me emetimin e oksidit të karbonit, oksideve të azotit, gazrave të ndryshme si dhe grimcave të ndryshme. Si shëmbull, autori përmend ndotjen e madhe që vërehet në qytetin e Korçës nga djegia e druve të njoma, e cila duket me sy të lirë nga smogu karakteristik, si dhe vërehet nga analizat e ajrit të bëra në qytet.

Një aspekt tjetër i eficencës së energjisë ka të bëjë me djegien e druve në vend të hapur, ku çlirohet rreth 5 % e potencialit të energjisë së materialit drusor; por, duke përdorur teknologjitë ekzistuese, efiçenca energjetike mund të rritet më shumë se 80 %. Në këto vitet e fundit në Rumani, p.sh., një firmë është bërë e famshme për prodhimin dhe tregtimin e stufave dhe kaldajave, duke e rritur efiçencën e energjisë së peleteve të prodhuara nga mbetjet e drurit, si dhe të mbetjeve të tjera bujqësore, deri në 98 %.

Edhe në shkallë botërore, funksioni energjetik i pyjeve, përdorimi i druve të zjarrit si një alternativë e rëndësishme e energjisë së rinovueshme, vlerësohet si jetik, sidomos në vendet në zhvillim dhe në zonat malore e rurale, kryesisht nga shtresat e varfra të popullsisë.

Biomasa drusore është burimi më i lashtë dhe më i përhapur i energjisë. Përdorimi më i vjetër tradicional i njohur i druve të zjarrit për djegie daton që nga 790,000 vjet më parë, por ai u bë i zakonshëm vetëm disa qindra mijëra vjet më vonë, diku ndërmjet 200,000 dhe 400,000 vjet më parë. Kështu që, para fillimit të përdorimit të gjerë të qymyrit të drurit në mesin e shek. 19, gati e gjithë energjia e përdorur ishte e rinovueshme, prej druve të zjarrit.

Përdorimi i biomasës së rinovueshme, në krahasim me lëndët djegëse fosile, sjell efekte pozitive ndaj ndotjes atmosferike, për mbrojtjen e tokës, për zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe për punësimin rural etj.

Llogaritet se në konsumin botëror, drutë e zjarrit përfaqësojnë 45 % të materialit drusor që rezulton nga shfrytëzimi i pyjeve.

Projektet e energjisë së rinovueshme në shumë vende në zhvillim kanë demonstruar se energjia e rinovueshme, përfshirë përdorimin e biomasës drusore, mund të kontribuojë drejtpërdrejt në reduktimin e varfërisë, duke siguruar energjinë e nevojshme për krijimin e bizneseve dhe punësimit. Teknologjitë e energjisë së rinovueshme mund të japin kontribute të tërthorta për të lehtësuar varfërinë, duke siguruar energji për gatimin, ngrohjen e hapësirës dhe ndriçimin.
Pengesat më të rëndësishme për zbatimin e energjisë së rinovueshme në shkallë të gjerë dhe strategjitë e ulëta të energjisë së karbonit janë kryesisht politike dhe jo teknologjike, si mohimi i ndryshimeve klimatike, lobimi i lëndëve djegëse fosile, mosveprimi politik, konsumimi i paqëndrueshëm i energjisë, infrastruktura e vjetëruar e energjisë dhe kufizimet financiare.

Ndryshimet klimatike dhe shqetësimet e ngrohjes globale, së bashku me çmimet e larta të naftës dhe rritjen e mbështetjes së qeverive, po imponojnë  forcimin e legjislacionit, nxitjeve dhe komercializimit të energjisë së rinovueshme, përfshirë biomasën drusore.

Druri mbetet burimi më i madh i energjisë së biomasës sot, kryesisht drutë e zjarrit nga shfrytëzimi i pyjeve e shkurreve, por dhe nga pastrimet në pyje, drutë e tharë, mbetjet nga përpunimi i lëndës së punimit, mbetjet e bimëve bujqësore dhe blegtorale, madje edhe mbeturinat e ngurta komunale.

Pra, roli energjetik i pyjeve në të ardhmen, sikurse thekson studiuesi Ahmet Mehmeti në librin e tij të radhës “Pyjet dhe energjia e gjelbër”, për arsye nga më të ndryshmet, do të vijë gjithnjë e më shumë në rritje, në harmoni me rolet e tjera të shumta të tyre.

Me këtë rast, dëshiroj të ve në dukje faktin se Ahmet Mehmeti shquhet si veprimtar me interesa të gjera dhe krijimtari profesionale, letrare, shoqërore, dhe patriotike.  Ai është ekspert i përkushtuar në punën eksperimentale, shkencore e studimore në fushën e  pyjeve, kullotave dhe mjedisit, duke punuar pothuaj në të gjitha rrethet e Shqipërisë dhe në detyra e institucione kombëtare e vendore, për të cilat ka botuar libra, një mori artikujsh shkencorë e publicistikë në organe qendrore  e vendore, gazeta, revista e buletine. Ndër të tjera, ka punuar si ekspert në temën qeveritare për përmirësimin e kullotave, si punonjës dhe anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit të Kërkimeve të Foragjereve e Kullotave në Fushë-Krujë, konsulent në projektin e pyjeve të Bankës Botërore dhe në projektin e inventarizimit kombëtar të pyjeve, kryinxhinier në ndërmarrjen e kullotave në Elbasan dhe në Drejtorinë e Shërbimit Pyjor Elbasan. Aktualisht kryen detyrën e drejtuesit teknik në firmën private për eksport “Fioricultura” dhe punon si ekspert mjedisi pranë Gjykatës Elbasan etj.

Në fushën e pyjeve, kullotave e mjedisit etj., Ahmeti  ka botuar  libra për mbarështrimin silvopastoral, për pyllin dhe kullotjen, kullotjen racionale, biomasën e pyjeve dhe sistemet pyjekullosore, strategjinë dhe planin e veprimit për zbatimin e Konventës së Aarhusit në Shqipëri, për pyjet dhe ndotjen industriale, biodiversitetin, strategjinë dhe planin e veprimit për trajtimin e mbetjeve të ngurta urbane, ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm dhe librin e radhës “Pyjet dhe energjia e gjelbër”.

Përveç librave e artikujve profesionale, botimet e  Ahmet Mehmetit në buletine, revista e gazeta përfshijnë shumë cikle me poezi, artikuj publicistikë e letrarë, ese e pamflete si dhe studime shkencore për letërsinë, folklorin, marrëdhëniet ndërkombëtare, historinë etj.

Kontributi i shumëanshëm i studiuesit Ahmet Mehmeti e ka bazën në punën e palodhur e të përkushtuar dhe studimet këmbëngulëse që ka ndjekur gjatë gjithë kohës: në pjesëmarrjen

në trainime e konferenca për problemet mjedisore, brenda e jashtë vendit, si në Kosovë, Maqedoni, Bullgari, Rumani, Republikën Çeke, Hungari, Kroaci, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovinë, Gjermani, Turqi, Greqi etj; në kursin e kualifikimit pasuniversitar për shërbimin këshillimor pyjor, kurset metodiko – teknike për mbrojtjen e biodiversitetit  dhe  burimet ujore  etj.  Jashtë vendit ka kryer kurse pasuniversitare: për aspekte gjenetike të llojeve frutore e drunore dhe eksperimentimin shkencor e analizat statistike, si dhe kursin për pylltarinë e qëndrueshme. Përveç këtyre, Ahmeti ka kryer studime pasuniversitare dhe është çertifikuar në filozofi, si dhe në mardhënie ndërkombëtare dhe diplomaci etj.

Ahmet Mehmeti është themelues dhe kryetar i Klubit Ekologjik, Elbasan, ku ka hartuar e drejtuar shumë projekte për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit; aktivist në lëvizjen mjedisore dhe  anëtar bordi i “Ekolëvizjes”, “Zyrës Qytetare të Mbrojtjes së Mjedisit” si dhe shoqatës kombëtare “Progresi Pyjor” etj.

Krahas punëve të tjera, Ahmet Mehmeti është aktivist i përkushtuar  i Shoqatës Patriotike ”Çamëria”, duke u zgjedhur gjithmonë anëtar i Këshillit të Përgjithëshm dhe në Kryesinë e Përgjithshme dhe duke botuar një mori artikujsh, referatesh, kumtesash,  studimesh e intervistash në gazeta dhe revista  letrare e kulturore. Për të drejtat e njeriut dhe çështjen kombëtare, ai ka ngritur zërin në televizionet e radiot më të rëndësishme të vendit e të huaja.

Është një nga themeluesit e Institutit të Studimeve për Çamërinë.

Aktualisht është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, i Klubit të Shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi”, sekretar i Haik-Klubit Shqiptar dhe redaktor i revistës letrare “Haiku”si dhe revistës së ilustruar me ngjyra “Tirana Live” (shqip e anglisht), me krijimin e mjaft veprave letrare e historike. Poezi të tij janë përfshirë në antologji të ndryshme.

Ka marrë pjesë aktivisht në disa konferenca shkencore e festivale poetike kombëtare e ndërkombëtare, brenda e jashtë vendit. Ka shqipëruar shumë poetë nga anglishtja, rusishtja e spanjishtja dhe poezi, libra e shkrime të tij janë përkthyer dhe botuar në disa vende të ndryshme në anglisht, spanjisht, italisht, rusisht, maqedonisht, greqisht etj.

Ahmet Mehmeti është vlerësuar me disa çmime në fushën e letërsisë dhe historisë brenda dhe jashtë vendit, si dhe me tituj nderi të ndryshëm.

 

Loading...