Loading...

Dy nga pesë grabitësit, të cilët vodhën 6.5 milionë euro në pistën e Rinasit kanë qëlluar mbi Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, me të cilët u përplasën me armë në afërsi të fshatit Tapizë. Sipas raportit të zyrës operacionale të Kryeministrisë, bën me dije TV “Klan”, jepen detaje edhe për shkëmbimin e zjarrit ku mbeti i vrarë Admir Murataj. Aty sqarohet së një nga grabitësit u ekzekutua, ndërsa një grabitës i dytë është larguar në këmbë, duke qëlluar në drejtim të fshatit Tapizë e Poshtme, e cila të nxjerr në rrugën kombëtare Fushë Krujë-Kamëz. Gjatë ndjekjes është marrë informacion se autorët janë larguar me një furgon të bardhë drejt Fushë-Krujës. Por, edhe në këtë dokument nuk sqarohet nëse grabitësi i dytë është plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit. Në raport sqarohen edhe veprimet e Autoritetit Civil. Ky institucion është njoftuar nga koncesionari që menaxhon aeroportin e Rinasit në orën 15:30 minuta, pra 33 minuta pas grabitjes. Interesante është që ditën e ngjarjes një grup i Drejtorisë së Mbikëqyrjes në aviacion, po kthehej në Tiranë pas një inspektimi të planifikuar. Pasi morën dijeni për atë që kishte ndodhur, ata u kthyen përsëri për të qenë pjesë e komitetit të emergjencës, i ngritur nga TIA. Po sipas të dhënave të Aviacionit Civil, TIA ka bërë një raport ngjarjeje të paplotë. Aviacioni Civil ka renditur në raport disa problematika të vazhdue-shme që ka koncesionari. Kompania që siguron perimetrin e brendshëm të aeroportit ISTS ka mungesa patrullash, cilësia e rrethimit është e dobët, mungesë kamerash sigurie, mungesë ndriçimi. Ajo që është më shqetësuesja në raport është se TIA ka refuzuar vazhdimisht kërkesat e Aviacionit Civil për përditësimin e programit të sigurisë. Ndërsa në të gjitha testet e sigurisë bërë nga policia dhe Aviacioni Civil, TIA ka dështuar.

HETIMI
Prokurorët e Krimeve të Rënda, Klodian Braho dhe Arenc Çela, që po hetojnë grabitjen e ndodhur në aeroportin “Nënë Tereza” shkuan paraditen e së premtes në zyrat e aeroportit. Organi i akuzës e ka regjistruar grabitjen e Rinasit me 4 vepra penale: “Vjedhje me armë të bankave ose arkave të kursimit”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Vrasje e punonjësit të policisë”, e mbetur në tentativë, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve e municioneve”, si dhe “Shpërdorim detyre”. Vepra e fundit, sipas burimeve, është regjistruar për të vendosur para përgjegjësisë strukturat dhe zyrtarët përgjegjës të institucioneve që kishin përgjegjësi për të garantuar sigurinë në Aeroportin e Rinasit pa lënë jashtë verifikimit edhe tri bankat që u grabitën menjëherë pasi kishin dorëzuar në aeroport 6.5 milionë euro, që do të transportoheshin më pas nga Shqipëria drejt Vjenës. Burime nga prokuroria thanë se janë rihapur dosjet e pezulluara për Admir Muratajn, i dyshuar edhe për 3 grabitje të tjera, por që çështja nuk u gjykua ndaj tij, pasi ai rezultonte në kërkim ndërkombëtar.

Rihapja e dosjeve për grabitësin e vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë po kryhet për të verifikuar edhe një herë personat e tjerë që përmenden aty, disa prej të cilëve janë të paidentifikuar e disa të tjerë janë në kërkim. Oficerët e Prokurorisë për Krimet e Rënda kanë sekuestruar të gjithë praktikën, që është ndjekur nga ky institucion në grabitjen e së martës në pistën e avionëve. Ndërsa, Policia e Shtetit vazhdon të jetë në vendet e ngjarjes duke mbledhur prova të reja. Detyrat e proku-rorëve që janë pjesë e hetimit janë të ndara. Grupi hetimor përbëhet nga tre prokurorë, ku njëri prej tyre do të ketë detyrë hetimin e zyrtarëve të aeroportit apo institucioneve shtetërore, të cilët dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën. Ndërsa dy prokurorët e tjerë janë fokusuar te zbulimi i bashkëpunëtorëve të Admir Muratajt dhe zbardhjen e dinamikës së ngjarjes, sidomos episodin e shkëmbimit të zjarrit mes grabitësve dhe policisë, ku u ekzekutua edhe Murataj.

Loading...
Loading...
loading...