Loading...

Nga MIRANDA SADIKU

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në fshatin Gribë të qytetit të Gramshit, ku Policia, edhe pse ka mundur të identifikojë autorin, nuk ka mundur dot ta kapë atë. Sipas Policisë, ka qenë një konflikt i hershëm mes autorit të identifikuar si S. Veliu me kryeplakun e fshatit, Tajar Veliu, 54 vjeç, që dyshohet se është për motive pronësie. Edhe pse sherri kishte shumë vite që kishte ndodhur, sërish autori ruante inat me kryeplakun. Mbrëmjen e 12 prillit, 50- vjeçari ka pritur që kryeplaku të shkojë në banesë nga lokali i fshatit dhe duke përfituar nga terreni i errët, e ka qëlluar me pistoletë.

Banorët e fshatit e kanë dërguar menjëherë në spitalin e Gramshit, ku 54-vjeçari i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, Policia në vendin e ngjarjes shoqëroi disa persona ku edhe mundi të identifikojë autorin. Ky i fundit dyshohet se mund të jetë larguar nga Shqipëria natën e 12 prillit, edhe pse Policia vazhdon kontrollin për kapjen e tij. Ndonëse nuk mësohen shumë detaje mbi motivet e plagosjes së kryeplakut, dyshimet bien mbi një sherr për çështje pronësie. Autori dhe kryeplaku, edhe pse kanë një mbiemër, nuk kanë lidhje gjaku me njëri-tjetrin. Policia në vendngjarje ka gjetur vetëm një gëzhojë të armës, ndërsa pistoleta nuk është gjetur. Autori e ka marrë atë me vete me qëllim humbjen e gjurmëve.

Policia thotë se vijon punën për kapjen e të dyshuarit, ndaj të cilit tashmë janë ngritur akuzat “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Në komunikatën zyrtare, Policia pohon se: “Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gribë të Gramshit, ku një shtetas u plagos me armë zjarri në këmbë, është jashtë rrezikut për jetën. Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gramsh, në bashkëpunim me Specialistët e Hetimit të Krimit ndaj Personit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar S.V., ku vijon puna për kapjen e tij. Ky shtetas, mbrëmjen e djeshme, në fshatin Gribë, Gramsh, për motive të dobëta dyshohet se ka plagosur me armë zjarri shtetasin T.V., 54 vjeç dhe është larguar. Forcat e Policisë po punojnë për kapjen e tij si dhe për gjetjen e sekuestrimin e armës së zjarrit”.

Loading...
loading...
Loading...