Loading...

 

Duket se banorët në qytetin e Gramshit do ta kalojnë më lehtë virozat që kanë përfshirë pothuajse gjithë vendin, pasi kanë mbërritur 700 vaksina antigrip.

Mbërrijnë në këtë qytet 700 dozat e para me vaksinën kundër gripit.

Vaksina antigrip vetëm për fëmijët për virozat në qytetin e Gramshit

Sipas mjekëve specialistë të pediatrisë, stina e ftohtë  ka sjellë mbingarkesë virozash në këtë qytet malor.

Të paktën tri ditët e fundit, janë paraqitur tek mjeku specialist mbi 100 fëmijë.

Një pjesë e kësaj kategorie kanë marrë këshillimet për të ndjekur barnat në regjim shtëpiak.

Kurse një pjesë e vogël, rreth 22 fëmijë, kanë qëndruar në spital 3 – 5 ditë, me regjim shtrati.

Gjatë muajit të fundit, sipas informacioneve nga Insituti i Shëndetit Publik, u  shpërndanë për rrethin e Gramshit 700 doza vaksinë antigrip.

Sipas drejtoreshës se DSHP Gramsh, Erjona Ibro, ky kontigjent u mirëpërdor,  kryesisht për fëmijët e vegjël dhe për personat me aftësi të kufizuar.

Ndërkohë, gripi nuk ka kursyer edhe kategori të tjera të popullsisë.

Janë me qindra persona të moshës 20 – 40 vjeç, që gripi është shfaqur me simptoma të forta. Kjo grupmoshë nuk ka mundësi të marrë vaksinën antigrip.

Aq më keq akoma për të moshuarit, që nuk mund t’i marrin barnat me receta rimbursuese.

Kategoria e fundit është e detyruar tu drejtohet farmacive private.

Këto, kanë kohë, që kanë rezervuar qindra vaksina të tilla, duke njohur veçoritë e klimës në këtë rreth malor.

Mësohet gjithashtu se mjekët e familjes, kanë rritur referencat këshilluese për masat që duhet të merren për virozën e gripit.

Ata, madje kanë këshilluar më tepër moshat e treta, që gjatë periudhës së gripit, të përdorin preparate bimore, që të mos mbesin me pasoja shëndetsore.

Fatmirësisht, gjatë këtij muaji, nuk ka patur ngjarje të padëshiruara për jetën e njerëzve.

Mjekët e Gramshit pohojnë se situata është nën kontroll dhe po administrohet me përgjegjësi e profesionalizëm.

 

 

Loading...
Loading...
Loading...