Loading...

Ujëvara e Sotirës është 100 metra, dhe buron nga mali i Tomorit. Ajo gjendet rreth 65 kilometra nga Tirana, dhe 16 kilometra nga qyteti i Gramshit dhe për të arritur në zonën e ujëvarës duhet të ecësh rreth 1 orë në këmbë nga fshati Sotirë, nga ku ka marrë dhe emrin ujëvara.

Fshati Sotirë dikur ka qenë me 120 shtëpi, ndërsa sot vetëm 20 prej tyre janë të banueshme.

Gurgullima e ujit, që del nga shkëmbinjtë e pas 100 e ca metrave prapë në shkëmb përplaset, dëgjohet dhe jehon disa km larg, duke krijuar një pamje me bukuri mahnitëse.
Bota bimore rreth ujëvarës është tepër e pasur, me pemë bliri, lofate, frashri, lisi e deri te gështenja e egër.
Ujëvara e Sotirës është veçanërisht tërheqëse në pranverë, kur edhe bora e malit fillon e shkrin, por në periudhën e verës ajo shteron prej uljes së nivelit të ujërave.

Gramshi ka potencial turistik, shpella, kanione, lumenj, gastronomi të lavdërueshme dhe ushqime bio, siç është kanioni i Holtës i formuar me kalimin e kohës, përmes procesit të erozionit, për shkak të lumit Holtë. Kanioni është i përbërë nga shpella të shumta që ende nuk janë eksploruar nga udhëtarët aventurierë. Stalaktitet dhe stalagmitet kanë krijuar një vend të rrallë për t’u vizituar.

Liqeni i Zi është një tjetër vendprehje, që e meriton të vizitohet. Ai është krijuar nga akujt dhe klima malore. Liqeni rrethohet nga malet me pisha, duke i dhënë atij një pamje madhështore. Për shkak të mineraleve të shumta që ka nën të, ai ofron veti kuruese sidomos në javët e para të muajit gusht. Në këtë periudhë, numri i vizitorëve rritet dukshëm.

Grabova, ndërkaq, njihet për historinë e saj, e cila përfshin lidhjet mes të dy perandorive, romake dhe bizantine. Zona është e njohur për bukurinë e peizazhit malor, të kishave të lashta dhe urave shekullore etj.

Loading...
Loading...
Loading...