Loading...

Deri në 15 gusht, profesionistët e shkencave mjekësore teknike kanë mundësinë të aplikojnë për të fituar një vend pune në një prej institucioneve shëndetësore në vend. Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë në portalin “Infermierë për Shqipërinë” si dhe të dorëzojnë dokumentacionin e paracaktuar në Drejtorinë Rajonale të OSHKSH-së ku kanë zgjedhur të aplikojnë. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot procedurën që duhet të ndjekin kandidatët si dhe dosjen e dokumenteve. “Në zbatim të Udhëzimit të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nr. 481, date 27.06.2019 “Për procedurat e punësimit për profesionet e shkencave mjekësore teknike në institucionet shëndetësore publike në RSH”, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shpall thirrjen për konkurrim për profesionistë të shkencave teknike mjekësore në institucionet shëndetësore publike në Republikën e Shqipërisë. Kjo shpallje bëhet me qëllim krijimin/përditësimin e listës së pritjes sipas Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor”,-bën me dije Ministria e Shëndetësisë. Më tej kjo e fundit thekson se fituesit që janë aktualisht në listë pritje do të vazhdojnë të punësohen sipas radhës deri në daljen e fituesve nga konkurrimi i radhës. Ndërkohë, kandidatët që do të mbeten në listë pritje do të ripozicionohen sipas pikëve që kanë e gjithashtu mund të futen në konkurrim për të ndryshuar pikët e tyre, pasi në fund të konkurrimit do iu njihen pikët që do të kenë nga ky proces. Ministria më tej sqaron se kandidatët mund të aplikojnë vetëm në një drejtori rajonale, brenda së cilës mund të përzgjedhin deri në tre NJVKSH.

Dokumentacioni
Kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë dokumentet e domosdoshme për aplikim që përfshijnë: një kërkesë për aplikim, ku përcaktohet dhe NJVKSH për të cilën i interesuari aplikon; një curriculum Vitae sipas modelit të përcaktuar; një fotokopje të diplomave dhe listën e notave për çdo diplomë (e detyrueshme); si dhe një fotokopje të lejes së ushtrimit të profesionit (e detyrueshme). Në dosjen e aplikimit, profesionistët e shkencave mjekësore teknike nuk duhet të harrojnë edhe fotokopjen e librezës së punës (nëse ka); vërtetimin për gjendjen gjyqësore (e detyrueshme në momentin e fillimit të detyrës); raportin mjeko-ligjor të tre muajve të fundit (i detyrueshëm në momentin e fillimit të detyrës); si dhe një deklaratë nga kandidati për autorizimin e institucionit shëndetësor që të shqyrtojë vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura.

Vlerësimi i kandidatit
Në fazën e parë do të bëhet vlerësimi i dosjes së kandidatëve që konsiston në vlerësimin e arsimimit, të përvojës e të trajnimeve, të lidhura me fushën, deri në 30 pikë. Në fazën e dytë është përcaktuar të kryhet “Testimi i informatizuar”, ku marrin pjesë kandidatët që kanë kaluar me sukses fazën e parë të vlerësimit me dosje, deri në 70 pikë. Testimi i informatizuar do të zhvillohet në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Ditën e testimit, kandidati duhet të jetë i pajisur me: Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal); Kopje të Kartës ID ose Pasaportës; Formularin e pjesëmarrjes në testimin e informatizuar të lëshuar nga komisioni i vlerësimit të dosjeve në DROSHKSH përkatëse. “Testimi i Informatizuar në pjesën e parë përmban pyetje rreth akteve ligjore: Kodi Etik-Deontologjik; Ligji nr.10 107, datë 30.3.2009 “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar; Ligji nr.9718, datë 19.4.2007 “Për Urdhrin e Infermierit në Republikën e Shqipërisë”. Pjesa e dytë përmban pyetje bazë rreth profesionit. Duke filluar nga data 1 shtator 2019, Drejtoria Qendrore e OSHKSH do të shpallë në portalin “Infermierë për Shqipërinë”, listën e kandidatëve që kualifikohen për vazhdimin e procedurës së testimit me shkrim, si dhe datën, orën e saktë ku do të zhvillohet testimi me shkrim”,-thuhet në njoftim. sakaq, kandidatët që kualifikohen për të marrë pjesë në testimin e informatizuar marrin formularin e pjesëmarrjes në testimin e informatizuar nga komisioni i vlerësimit të dosjeve në DROSHKSH përkatëse.

Dokumentacioni

Dokumentet e domosdoshëm për aplikim për profesionistët e shkencave mjekësore teknike:
†Kërkesë për aplikim, ku përcakton dhe NJVKSH për të cilën aplikon;
†Curriculum Vitae sipas modelit të përcaktuar;
†Fotokopje e diplomave dhe lista e notave për çdo diplomë (e detyrueshme);
†Fotokopje e lejes së ushtrimit të profesionit (e detyrueshme);
†Fotokopje e librezës së punës (nëse ka);
†Vërtetim për gjendjen gjyqësore (e detyrueshme në momentin e fillimit të detyrës);
†Raporti mjeko-ligjor i tre muajve të fundit (i detyrueshëm në momentin e fillimit të detyrës);
†Deklaratë nga kandidati për autorizimin e institucionit shëndetësor që të shqyrtojë vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura
Ditën e testimit, kandidati duhet të jetë i pajisur me:
†Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal);
†Kopje të Kartës ID ose Pasaportës;
†Formularin e pjesëmarrjes në testimin e informatizuar të lëshuar nga komisioni i vlerësimit të dosjeve në DROSHKSH përkatëse.

Loading...
Loading...
Loading...