Loading...

E dinte vajzën të vdekur, përqafohen për herë të parë pas 35 vitesh!

Histori tronditëse. Një nënë fatkeqe në kërkim të vajzës së zhdukur 35 vite më parë e një nëne fatlume e cila e birësoi. Pak ditë më parë, Sashka i tregoi Jonidës se e kishte birësuar në moshën dy vjeçare dhe sot ka ardhur që t’i gjejë dhe nënën biologjike. Ato të dyja janë takuar dhe janë bashkë në studion e rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty”.

Ardit Gjebrea i thotë se ka edhe një surprizë për dy nënat, sepse Jonida ka ardhur në studio nga Italia dhe nuk di asgjë se për çfarë është sot këtu.

Jonida: Kam lindur dhe jetuar në Durrës, ku edhe kam studiuar, kam kaluar një fëmijëri të bukur. U fejova, u martova, sot kam edhe një djalë, 18 vjeç.

Ardit Gjebrea: Kush është njeriu më i shtrenjtë në jetën tënde, përveç djalit?

Jonida: Janë prindërit e mi të cilët kanë bërë shumë për mua. Më të shtrenjtë se ata nuk ka në jetën e një njeriu.

Ardit Gjebrea: Kush do kishte një motiv për të ftuar?

Jonida: Para shumë pak kohësh kam zbuluar për jetën time. Nuk kisha dyshuar dhe askush nuk ma kishte thënë, pas këtij muri gjigand është një person. E kam pak të vështirë se kam ardhur në emision pa lajmëruar asnjë, por po e them që mësova nga mamaja ime që jam një fëmijë i birësuar. Nuk e kam ditur kurrë këtë gjë. Akoma më duket e pabesueshme, nuk jam as e para as e fundit, po fakti që jam rritur shumë mirë nga prindërit. Nuk më kanë lënë asnjë shkas që ta mendoja, brenda meje asgjë nuk ka ndryshuar, por i besoj mamasë sime.

Në ekran shfaqet mamaja e saj, Sashka.

Sashka: Jonida, fjalët e tepërta janë fukarallik, në zemrën time je rrënjosur thellë dhe nuk ka forcë në botë të shkuli ty, por unë sot nuk jam për këtë gjë. Dua që atë që mua më ka gërryer prej shumë vitesh ta çoj deri në fund të jetës sime. Jam për këtë që do të them, zemra e mamit, buzëqeshja jote është lumturia ime, lumturia jote më çon në 7 qiej, ti dhe Enea s’ka forcë në botë të më ndajë mua. Dëgjo mamin, të bëhesh e fortë dhe t’i duash njerëzit ashtu siç ti i do. Unë sot mora një detyrë të vështirë, po e bëj për të mirë e të mirës. Kjo zonja këtu është nëna jote që të mbajti 9 muaj në barkë dhe kjo këtu është mami që të bëri kaq. Ne të dyja jemi motra dhe me aq mundësi sa kemi do të japim dashuri në pafundësi. Zemra e mamit, tani po e shoh mirë që kjo pjesa këtu është kopjo e mamit. Ta duash siç më do edhe mua. Me sinqeritetin më të madh të zemrës, nëse mua më do 99% këtë duaje 100%.

Ardit Gjebrea: Sot po njihesh edhe me nënën tënde, do përqafosh edhe nënën që të ka lindur, ke edhe nënën që të ka rritur, çfarë ndjen në këto momente?

Jonida: Emocione të pafundme, një mrekulli.

Ardit Gjebrea: Kemi dëgjuar histori pafund, por një histori si kjo unë nuk e kisha dëgjuar dhe për më tepër përjetuar. Nëna Sashka është e jashtëzakonshme.

Jonida: E konfirmoj.

Jonida e Sashkës ose Gjenovefa e Xhemiles janë i njëjti person, dashuria e përbashkët e dy zonjave që bekimin më të madh të jetës e morën kur u bënë nëna. 35 vite dashuri e munguar, sot u bë realitet për Xhemilen. Secila nga këto zonja është heroinë në llojin e saj!

Një histori tronditëse, e para që vjen në vjen në studion e “Ka Një Mesazh Për Ty” është zonja Xhemile 64 vjeç, jeton në fshatin Pishkash. Në vitin e dytë të shkollës së mesme, ajo mezi qëndronte në këmbë dhe i zihej fryma, vazhdimisht shtrohej në spital dhe gjendja e saj shëndetësore nuk ishte e mirë. Trupi ishte i mpirë, dhimbjet shtoheshin dhe ajo detyrohet të ndërpresi studimet.

Në moshën 27-vjeçare mbetet shtatzënë, sekretin ia besoi shoqes së ngushtë e cila u tregon prindërve të Xhemiles. Familja reagon keq dhe i thotë se nëse nuk e aborton ajo nuk do të kishte më vend, por Xhemilja ishte në muajin e gjashtë dhe kishte rrezik, kështu e dërgojnë vajzën në Elbasan që të ishte larg tyre dhe syve të njerëzve.

Në 18 Tetor 1982 vjen në jetë një vajzë, Gjenovefa Allko. Ajo lindi e shëndetshme, por nuk kishin se ku të shkonin, pasi e ëma nuk mund të kthehej në familje, pasi qëndruan disa muaj në maternitet shkon në shtëpinë e fëmijës në Durrës, por e bindur se do të rikthehej për vajzën e saj. Deri në moshën 2-vjeçare ajo e takonte shpesh, por një ditë drejtoresha e këtij institucionit i thotë se vajza nuk jeton më, por pa i dhënë shpjegime. Xhemilja e tronditur nuk e beson dhe shkon në gjendjen civile ku i thonë se vajza nuk ka vdekur. Humbet prindërit dhe gjithë jetën e ka kaluar e vetme.

Sashka vjen në studion e “Ka Një Mesazh Për Ty”:

“Unë jam një nënë, si të gjitha nënat e tjera, por kam ardhur këtu për një motiv krejt ndryshe nga të tjerat. Sashka Jani, nga Mavrova e Vlorës, por jam rritur në qytetin e Durrësit. Kam përfunduar shkollën e lartë si ekonomiste dhe kam punuar në repart ushtarak si llogaritare e parë, aty njoha edhe bashkëshortin tim, me të cilin u martuam në vitin 70-të. Si rezultat i martesës unë nuk pata fëmijë dhe një ditë pas 5 vitesh vjen im shoq nga puna dhe në bisedë më thotë: “Përse martohet njeriu?”.

Unë e kuptova dhe i thashë se dihet për të krijuar familje, por të krijosh familje duhet fëmijë. Nëse ty të mungon kjo pjesë dhe unë nuk ta dhuroj dot se nuk kam mundësi, je i lirë të vazhdosh jetën tënde.

Nga ai moment nuk e kam dëgjuar më atë gjë prej tij. Merresha me aktivitete muzikore, në festivalin e Durrësit kam fituar çmimin e dytë. Po sikur të marrim një fëmijë i thoja. Të më falni për fjalën “befotrof”, unë them shtëpi e fëmijëve, por ai e kishte shumë të vështirë. Kam luftuar shumë me jetën time. Një ditë ishte 8 Mars, unë e quaj ditën më të lumtur, sepse është dita që u bëra nënë. Nusen e vëllait e mora për të festuar me shoqërinë time, rrugës teksa ktheheshim i tregoj se shoqja ime e fëmijërisë që punonte infermiere në befotrof më ka rekomanduar për një fëmijë dhe nuk po më lë rehat, edhe kam qejf edhe s’kam, sepse nuk e di a do t’ia dilja, sepse unë jam edhe invalide, por mora vendimin ta merrja. Ne do ikim atje më tha, direkt në shtëpinë e fëmijës në Durrës. Drejtoresha ishte shoqe me motrën time e cila ka mbaruar për ndihmës mjeke, më dëgjoi dhe më sjellin tre fëmijët e parë, dy çuna dhe një vajzë bionde. Unë gocën nuk e njihja dhe nuk e kisha parë ndonjëherë. Nuk janë këta ata që dua unë, më sjellin tre vajza të tjera, edhe ato mu afruan, por prapë e ndieja diçka. Sytë më mbetën tek një vajzë që nuk u afrua, rrinte në cep dhe bënte disa lëvizje me duart dhe në moment i thashë atë do të marr. Ajo nuk afrohej vetëm më shikonte, nuk lëvizte, shkova e mora. Çfarëdo të më ndodhi në jetë unë do t’i kushtojë jetën këtij fëmije me mish e me shpirt dhe ashtu bëra. Nuk isha gati dhe mendova ta merrja pak ditë më vonë, teksa ngjitej nëpër shkallë për t’u kthyer tek fëmijët e tjerë vajza ka qarë dhe ulërinte mami, mami. Në atë moment më ka rënë të fikët, shkova me nusen e vëllait në shtëpi, mora disa veshje dhe mora vajzën për të mos e kthyer më.

Ardit Gjebrea: Si e kishte emrin vajza jote?

Sashka: Vajza ime në dokumentacion e kishte emrin Gjinovefa, nusja e vëllait më thotë se i ndjeri bashkëshorti im i e kishte emrin Jorgo dhe më pyet a ke dëshirë ta vendosim emrin e vajzës Jonida? Unë u lumturova dhe nga ai moment e quajtëm Jonida.

Ardit Gjebrea: A more vesh gjë për historinë e vajzës?

Sashka: Po.

Ardit Gjebrea: Si ishte?

Sashka: Më thanë që një vajzë fatkeqe kishte dashuruar, lindi një ëngjëll dhe e la për hallin që kishte, jo se nuk e donte. Unë di që e ëma e saj quhej Xhemile Allkja, vajza ime kishte ditëlindjen 18 Tetor 1982, nuk e ndryshova, ndërsa emër dhe mbiemër i dhashë timin. Më parë dija që shkonte e vizitonte, unë bëra dokumentacionin, gjykata e Durrësit më ka ndihmuar dhe brenda një javë Jonida u bë vajza ime. E ëma ka shkuar për ta takuar pak ditë pasi e mora dhe i kanë thënë se vajza i vdiq. Ky është motivi që unë jam sot këtu për t’i thënë asaj nëne që Jonida, apo Gjinovefa e saj jeton dhe është mbretëreshë. Këtë kurajo që nuk e pata asnjëherë për t’ia thënë vajzës sime, por më ka shqetësuar për 35 vite që sa herë blija diçka të bukur për Jonidën time.

Ardit Gjebrea: Si ishte fëmijëria e Jonidës? Si e priti babai?

Sashka: Ky është edhe momenti më i vështirë i jetës sime, e mora vajzën dhe do takoheshim me burrin, më thotë nusja e vëllait që të vinte edhe ajo, por çfarëdo të ndodhi më mirë të jetë përplasja me mua se sa të dëgjosh ti, e falenderojë që ajo ishte pranë meje. Mora vajzën dhe shkova të takoheshim, ai harroi dhe mendoi se ishte djali i vëllait. Hajde tek xhaxhi i tha, por nuk e lejova do të sqarojë më vonë i thashë. Në fytyrë u zverdh. Nuk kam planifikuar asgjë, por kështu ndodhi, të lutem duro pak. Dy javët e para vajza ime qante dhe ulërinte, ndryshoi ambient, arrita humba 7 kg, është shumë nevrike, kam një vajzë të mrekullueshme, por hante dorën me dhëmbë, u çmenda. Një ditë në mëngjes teksa vajza flinte dhe i përgatita bukën bashkëshortit më thotë është gjyna se po qan çdo ditë merre çoje më mirë, ajo ngrihet dhe i thërret “Babi”. Ai u kthye e puthi dhe Jonidën nuk e çova.

Ardit Gjebrea: I ke treguar Jonidës historinë?

Sashka: Jo Ardit, nuk e kam pasur kurrë kurajon për t’ia treguar. Mendoja se duke parë ndjeshmërinë e madhe që kishte dhe nuk e besonte, ne kemi përjetuar një skenë që nuk e imagjinoi dot. Më pyet nëse këtu ka sekret mbi sekret. Unë i ngjaj shumë babit tim, mezi priste

Ardit Gjebrea: Ku jeton sot Jonida?

Sashka: Në Itali, prej 16 vitesh, atje isha edhe unë.

Ardit Gjebrea: Është martuar?

Sashka: Po, ka një djalë 18 vjeç. Kam një nip të mrekullueshëm që e kam rritur edhe atë vet.

Ardit Gjebrea: Jonida, sa vjeçe është sot?

Sashka: 37 vjeçe mbush në Tetor.

Ardit Gjebrea: Qenka martuar shumë e re atëherë?

Sashka: 17 vjeçe.

Ardit Gjebrea: Cili është momenti që ju vendosët t’i tregonit Jonidës historinë?

Sashka: Ia tha bashkëshorti, është e drejta e saj, kur do t’ia thuash më tha. Babai i vet iku e mori sekretin me vete, pse ti nuk ia tregon më tha? Nuk kam kurajo, nuk mundem.

Ardit Gjebrea: Sa kohë ka Jonida që nuk ka ardhur në Shqipëri?

Sashka: Kishte 9 vite pa ardhur.

Ardit Gjebrea: Sot keni ardhur në studio që të ulërisni me të madhe për nënën e Jonidës, Gjinovefës, për t’i thënë që ajo jeton dhe është shumë mirë. Unë shpresoj që ajo të jetë duke na dëgjuar në këto momente.

Sashka: Ishalla, edhe unë këtë dëshiroj sepse Jonida e mori vesh të vërtetën, po të njohi edhe nënën.

Ardit Gjebrea i tregon Sashkës se të gjithë historinë e saj në anën tjetër të murit e ka dëgjuar një person, zonja Xhemile që është edhe nëna biologjike e Jonidës së saj.

Sashka: Jam shumë e lumtur Ardit.

Ardit Gjebrea: Xhemile e dëgjove? Ta ka mbajtur Gjinovefën në pëllëmbë të dorës.

Xhemile: Faleminderit.

Ardit Gjebrea tregon se Jonida është në Itali dhe i fton të dyja nënat të takohen. Të dyja të përlotura dhe shumë të emocionuara, Sashka i thotë “Të kam motër! Të dyja jemi një tani!”. /tvklan.al

Loading...
Loading...
Loading...