Loading...

Në një aksident rrugor që ka ndodhur në Gjakovë, ku ka humbur jetën sportisti i mirënjohur i Kosovës, Gazmend Sinani.

Federata e Basketbollit e Kosovës me pikëllim të thellë njofton opinionin për një ngjarje tragjike që ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme.

Në këtë aksident është plagosur edhe Granit e Fisnik Rugova, Altin Morina dhe fizioterapeuti i kombëtares së Kosovës, Kujtim Shala.

Federata e Basketbollit e Kosovës shpreh ngushëllimet e përzemërta familjes Sinani dhe miqve të Gazmendit për këtë humbje të pakompensueshme.

Gazmend Sinani ishte 27 vjeç. Pasi kaloi grupmoshat e reja në Prishtinë, karrierën e vazhdoi në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja.

Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone.

Më 2017/18 luajti në ligën elite në Angli.

Sinani ishte pjesëtar i kombëtares së Kosovës, që nga pranimi i FBK-së në FIBA.

Me humbjen e tij, Kosova ka humbur një prej basketbollistëve më të mirë të gjeneratës, kombëtarja ka humbur njërin prej basketbollistëve më të vlefshëm dhe më luftarak.

Angazhimi i tij gjatë përgatitjeve për ndeshjet e qershorit ka qenë inspirim dhe motivim për bashkëlojtarët, kurse qasja e tij profesionale dhe shpirti luftarak do të mbeten në kujtim të secilit adhurues të basketbollit.

Loading...
loading...