Loading...

 

Pas atentatit në lokalin e tij në Lushnjë, Saimir Taullau, vëllai i të cilit është vrarë nga banda e Aldo Bares, ka rrëfyer ngjarjen për grupin e hetimit.

47-vjeçari i mbetur i plagosur, pas marrjes në mbrojtje nga Policia, ka deklaruar momentin e atentatit ndaj tij në lokalin “Saba Taullau 3”, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plygut” në Lushnjë, që është në pronësi të vetë tij.

Sipas asaj që ka deklaruar Taullau, ka qenë një person që ka qëlluar nga një distancë e largët në drejtim të tij, ndërsa kishte edhe një bashkëpunëtor.

Ai ka shtuar se nuk ka arritur të dallojë atentatorët, për shkak se pas të shtënave është përpjekur t’u fshihet plumbave. “I pashë që erdhën drejt meje dhe u mbrojta poshtë tavolinës. Nuk ua pashë fytyrën. Nuk arrita t’i njihja. Qëlluan tri herë më kallashnikov”, ka deklaruar Taullau para grupit hetimor.

47- vjeçari më tej ka shtuar se vetë autorët e atentatit nga ana tjetër e njihnin atë pasi kanë qëlluar në drejtim të tij nga një distancë e largët të bindur se ai ishte shënjestra. Vetë i plagosuri nuk ka dhënë ndonjë pistë dyshimi, por burime nga Policia tregojnë se dyshohen problemet e vjetra mes familjes së tij dhe bandës së Aldo Bares në Lushnjë.

Disa burime nga hetimi tregojnë se atentati mund të ketë ardhur pasi Saimir Taullau dyshohet se ka porositur atentatin e një viti më parë ku në shënjestër ishte nipi i Aldo Bares, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e vëllait të tij në vitin 2005, që erdhi pas refuzimit për të paguar një gjobë të majme që banda e Lushnjës i kishte vendosur.

Ndërkohë, Policia ka shoqëruar disa persona për atentatin, por ende nuk ka të arrestuar. Për rastin janë marrë në pyetje dëshmitarët në lokalin ku i bënë atentat 47-vjeçarit. Dëshmitarë okularë i kanë thënë Policisë se kanë parë një motor që të largohej me dy persona, ndërsa disa të tjerë kanë treguar se autorët u larguan me një makinë.

Kjo ka bërë që Policia të dyshojë se në atentat kanë qenë të përfshirë më shumë se dy persona. Pak orë pas ngjarjes, pasi mori mjekim në Spitalin e Lushnjës, Saimir Taullau kërkoi që të merrej në mbrojtje nga Policia për shkak të frikës së një atentati tjetër. Ai ka kërkuar largimin prej andej dhe dërgimin në një vend të fshehtë, pasi autorët mund ta gjenin dhe ta vrisnin nëse qëndronte në spital.

Ky është atentati i dytë që 47- vjeçari, i njohur si rivali i bandës së Aldo Bares, i mbijeton. Në tetor të vitit 2017, Saimir Taullau mori një plumb nga breshëria e kallashnikovit që u shti në drejtim të tij. Kjo erdhi vetëm pak kohë pas ngjarjes që u konsiderua si masakra e Lushnjës, ku mbetën të vrarë Jurgen Hoxha, 22 vjeç, dhe Zamir Latifi, 23 vjeç.

Shënjestra e atentatit në fakt dyshohet se ka qenë nipi i Aldo Bares (Alfred Shkurtit), Xhulio Shkurti, i cili ishte larguar vetëm pak minuta para ngjares nga lokali ku ndodhur krimi. Gjithashtu, nga përgjimet e Prokurorisë, dyshohet se Saimir Taullau është përfshirë direkt në këtë ngjarje pasi ka ndihmuar Leart Haxhiun të largohet nga vendi i krimit.PANORAMA

Loading...
loading...
Loading...