Loading...
Loading...

 

Inspektoriati i Mjedisit në Elbasan ka kryer gjatë natës së mbrëmshme kontrolle të befasishme të operatorëve industrialë e konkretisht tek Uzina e Përpunimit të Naftës.

Kanë qenë banorët ata që kanë ngritur shqetësimin se kjo uzinë punonte fshehurazi  natën duke ndotur mjedisin ndonëse ndaj kësaj uzine ishte vendosur një urdhër pezullimi nga Ministria e Mjedisit.

Ja çfarë deklaron Kryeinspektori Enver Shkurti:

“Një natë më parë kemi bërë një aksion të befasishëm pranë fabrikës së përpunimit të nënprodukteve të naftës që ushtron aktivitetin e saj në zonën e ish kombinatit metalurgjik. Kishim informacione dhe denoncime nga qytetarët që kjo fabrikë punon gjatë natës, pavarësisht se nga ana e Ministrisë së Mjedisit, në 30 Maj 2018, është bërë pezullimi i lejes mjedisore të saj deri në plotësimin e kushteve për shkarkimin e ujërave të ndotur. Pranë Inspektoriatit të Mjedisit kompania në fjalë nuk ka bërë asnjë njoftim për marrje të masave për trajtimin e ujërave të ndotur dhe fillimin e punimeve. Nisur nga kjo, inspektimet tona, të nisura mbrëmë do të vijojnë. Mbrëmë kemi marrë kampionët e ujërave që derdhen në kanalet vaditëse do të kërkojmë ribërjen e analizave të shkarkimeve dhe më pas do të marrim të gjitha masat e nevojshme, sipas legjislacionit në fuqi, ndaj subjektit në fjalë. Inspektoriati i mjedisit në Elbasan do të vijojë kontrollet ndaj çdo subjekti i cili nuk respekton ligjin, nuk respekton mjedisin apo kriteret e përcaktuara nga Ministria e Mjedisit.”

Loading...