SHBA-Kinë: Një çështje besimi

18

Screen Shot 2015-09-16 at 10.16.55 AM“The Diplomat”

Ndërsa presidenti kinez Xi Jinping viziton javën e ardhshme Shtetet e Bashkuara, marrëdhënia mes dy vendeve po shihet me vëmendje të madhe. Në këtë intervistë, diplomati Michael Tai i Qendrës së Studimeve për Zhvillim në Universitetin e Kembrixhit, dhe autor i librit “Marrëdhëniet SHBA-Kinë në Shekullin XXI-të: Një çështje besimi”, flet mbi gjendjen aktuale të raporteve mes dy vendeve, dhe atë që sipas tij duher të ndodhë gjatë vizitës së Xi-së në Uashington.

Në librin tuaj, ju përqëndroheni në rolin që luan besimi në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke argumentuar se ai është vendimtar, veçanërisht mes fuqive në rritje dhe atyre të konfirmuara tashmë. Por a është e mundur për SHBA dhe Kinën, që të kultivojnë besim mes tyre, duke pasur parasysh dallimet e mëdha ndërmjet sistemeve dhe vlerave të tyre politike?

Problemi nuk qëndron aq shumë tek dallimet në sistemet politike dhe vlerat, sikurse është në konceptin e Uashingtonit, se askush nuk duhet t’i sfidojë supremacinë. Uashingtoni e zbaton moralin në mënyrë selektive. Në fakt,SHBA-ja nuk ka problem të vendosë miqësi me shtetet, që kanë sisteme dhe vlera krejt të ndryshme politike, madje edhe me regjime të korruptuara dhe shtypëse, për sa kohë që ato i shërbejnë interesave amerikane.

Politika e saj e jashtme, udhëhiqet më pak nga normat morale, apo vizioni e një “qyteti të shndritshëm mbi një kodër”, sesa nga interesi vetjak i një klasës së elitës. Duke pretenduar se është kampione për demokracinë dhe lirinë, SHBA-ja ka një histori të trazuar me përmbysjen qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike (në Indonezi, Iran, Guatemala, Kili, etj), të cilat zgjodhën të mos ishin në të njëjtën linjë me Uashingtonin.

SHBA përdor ndërkaq fuqinë e saj në institucione si FMN dhe Banka Botërore, për të çuar përpara interesat e korporatave amerikane, kundër atyre të vendeve në zhvillim. Besimi bazohet në fjalët dhe veprat e një personi, dhe këtu historia ka mjaft rëndësi. As qeveria kineze nuk është pa të meta. Eksperimentimi ekonomik dhe lufta për pushtet gjatë “Hapit të Madh Përpara” dhe Revolucionit Kulturor shkaktoi uri, trazira sociale dhe humbjen tragjike të miliona jetëve të pafajshme.

Megjithatë që me fillimin e reformave të tregut në vitin 1978, Kina u shndërrua nga një vend i varfër dhe i prapambetur, në ekonominë më të madhe në botë. Standardet e jetesës, janë rritur në mënyrë dramatike, por po kështu edhe ndotja e mjedisit dhe korrupsioni. Dikush mund të thotë, se këto janë dhimbjet e rritjes të një qytetërimi të lashtë, i cili në 50 vjet ndërtoi ato që Perëndimit, me burimet e tij të mëdha koloniale, iu deshën plot 500 vjet.

Megjithatë, marrëdhëniet e jashtme të Kinës, janë udhëhequr kryesisht nga një doktrinë e mos-ndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera, një parim i konceptuar nga kryeministri indian Javaharlal Nehru dhe kryeministri i parë i Kinës Komuniste, Zhou Enlai, në vitin 1954. Por besimi mund të ndërtohet përmes ndjeshmërisë. Empatia, është vënia e vetes në pozitën e personit tjetër. Ne jemi më të prirur të besojmë ata që dëshmojnë se na kuptojnë, sidomos kur kjo tregohet përmes veprave. Ne fituar besim, duke treguar empati. Empatia përcjell respekt, dhe ka fuqinë për t’i kthyer armiqtë në miq.

Ju argumentoni se Kina ka në përgjithësi më shumë njohuri, mbi politikat dhe veprimet e SHBA-së sesa e anasjellta. Pse ndodh kështu? Çfarë ndikimi mendoni se ka patur ky hendek njohurish, në marrëdhëniet SHBA-Kinë?

Njohuritë kanë të bëjë me theksimin e kapaciteteve të një kombi. McDonalds, Coca Cola, Starbucks, Nike, IBM, Boeing, dhe Apple, janë bërë emra shtëpiake në Kinë, ndërsa filmat e Hollivudit hite. Por e kundërta ndodh rrallë. Ndërsa fëmijët kinezë mësojnë më imtësi historinë amerikane, në shkollat amerikane mësohet shumë pak mbi Kinën. Në tërësi, amerikanët dinë shumë pak mbi Kinën.

Asimetria është problematike. Ka jo pak rëndësi mënyra, se si ne e interpretojnë vetveten dhe botën, pasi intuita jonë formon frikën, përshtypjet dhe marrëdhëniet tona. Studiuesi i Universitetit të Harvardit Xhon Feirbenk ka paralajmëruar disa kohë më pare, se shoqëria kineze është shumë e ndryshme nga ajo amerikane, dhe se politikëbërësit në Uashington, do të dështonin nëse nuk do të merrnin në konsideratë dallimet. Çështjet kineze, duhet të vlerësohen në kontekstin e kulturës dhe historisë së vendit, theksoi ai, por pakkush në Uashington i kushtoi vëmendje.

Cilat fusha mund të sigurojnë terrenin më pjellor për bashkëpunim, dhe ndërtimin e besimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës?

Ndryshimet klimaterike, ofrojnë një mundësi historike për bashkëpunim. Ngrohja globale, përbën një kërcënim ekzistencial. Mendonio dy njerëz në të njëjtën barkë në një det të trazuar, që për hir të shpëtimit të vetes, do të lënë mënjanë dallimet dhe bashkëpunojnë. Gjithësesi, vendet me të ardhura të larta, nuk do të vuajnë aq shumë nga moti ekstrem dhe rritja e nivelit të deteve, si vendet e varfra (edhe pse të parat janë përgjegjëse për emetimin e pjesës më të madhe të dioksidit të karbonit në atmosphere gjatë 200 viteve të fundit).

Fatkeqësisht, pavarësisht se ndodhen në të njëjtën barkë, SHBA-ja dhe Kina, nuk ndajnë të njëjtin sens urgjence. Kinezët kanë bërë përparime të rëndësishme në këtë drejtim, me miratimin e planit të XII 5-vjeçar në vitin 2011, dhe sipas një raporti të fundit nga “London School of Economics”, sasia e gazeve serë që emeton aktualisht Kina, mund të fillojë të bjerë brenda 10 vjetësh, 5 vjet më parë sesa pritej më parë. Ndërkohë, Uashingtoni po e tërheq këmbë zvarrë mbi këtë çështje.

Nëntorin e kaluar, presidentët Obama dhe Xi u zotuan për të zgjeruar bashkëpunimin për kërkime në fushën e energjisë së pastër, kapjen e e avancuar dhe ruajtjen e karbonit, dhe masa të tjera për të trajtuar ngrohjen globale. Nëse bashkëpunimi mbi klimën, do të shkaktojë negativitet në fushën e sigurisë, kjo mbetet të shihet, teksa Uashingtoni duket i vendosur të përmbajë Kinën. Fushata për të sabobuar Bankën Aziatike për Investime në Infrastrukturë (AIIB), dhe inkurajimi amerikan për trupat japoneze që të luftojnë jashtë vendit të tyre në kuadër ”vetëmbrojtjes kolektive”, përbën për kinezët një dëshmi më tepër të armiqësisë së SHBA-së.

Libri juaj u publikua në maj të këtij viti 2015. Prej atëherë marrëdhëniet SHBA-Kinë janë tensionuar ndjeshëm, veçanërisht mbi çështjet kibernetike dhe Detin e Kinës Jugore. Cili është qëndrimi juaj për raportet aktuale SHBA-Kinë, ndërsa jemi në prag të vizitës së së Xi Jinping në Shtetet e Bashkuara?

Krahas gjykimeve kineze me karakterit moral, antipatia e SHBA-së ndaj Kinës, është e rrënjosur tek ankthi për rritjen e kësaj të fundit, dhe perspektiva e rënies amerikane. Por ka edhe interesa të fuqishme vetjake, të cilat tentojnë të përfitojnë nga luftërat. Kontraktuesit në fushën e mbrojtjes si Lockheed Martin, Boeing, General Dynamics dhe Raytheon, kanë marrë vetëm vitin e kaluar më shumë se 286 miliardë dollarë kontrata, ose mbi 63 përqind të shpenzimeve totale të qeverisë amerikane në këtë aspekt.

Kjo po ndodh në një kohë, kur infrastruktura e keqe në vend ka nevojë për ripërtëritje (në vitin 2013 Shoqëria Amerikane e Inxhinierëve Civilë, e klasifikoi infrastrukturën me notën D +). Për shkak se zinxhiri i furnizimit të armëve, është i përhapur praktikisht në çdo shtet të unionit, mbetet praktikisht detyrë  e kongresistëve të votojnë mbi shpenzimet ushtarake.

Gjatë Luftës së Ftohtë, fuqia e ekzagjeruar eshtarake sovjetike, impononte shpenzime gjithnjë e më të mëdha për mbrojtjen. Por me rënien e Bashkimit Sovjetik, ishte i nevojshëm një arsyetim i ri. Kina u bë armiku i përshtatshëm, edhe pse bilanci ushtarak mbetet në shumicë dërrmuese në favor të SHBA. Në vitin 2011, për shembull, buxheti amerikan i mbrojtjes ishte 739.3 miliardë dollarë, ose gati gjysma e shpenzimeve të përgjithshme ushtarake botërore, dhe 8 herë më i madh se buxheti kinez i mbrojtjes, duke përfaqësuar 4.91 përqind të PBB-së, krahasuar me 1.27 për qind të Kinës.

Nëse do të kishit mundësi, cila do të ishte këshilla juaj ndaj presidenteve Obama dhe Xi, për samitin e javës së ardhshme në Uashington?

Vitin e shkuar, ekonomia e Kinës në terma realë e tejkaloi atë të SHBA-së, duke u bërë më e madhja në botë (18000 miliardë dollarë). Ndaj thjesht nuk është e mundur të përmbahet ekonomia më e madhe në botë, e cila vazhdon të zgjerohet ritme të shpejta prej 7 përqind në vit, pavarësisht ngadalësimit ekonomik global.

Rendi ekonomik dhe financiar që favorizon Perëndimi përkundrejt pjesës tjetër të botës, është moralisht i papranueshëm. Rritja e Kinës, e kërcënon atë rend. Amerika po i reziston jo vetëm rritjes së Kinës, por gjithë pjesës tjetër të botës. Ajo kërkon të përjetësojë ekuilibrin Veri-Jug të pushtetit, por kjo gjë po bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Së bashku me shfaqjen e BRICS, programet e mëdha infrastrukturore si p.sh “Një brez një rrugë”, do të përshpejtojnë zhvillimin në Botën e Tretë dhe rindërtimin  e plotë të marrëdhënieve hapësinore, ekonomike dhe politike. Për shembull, linja hekurudhore me shpejtësi të lartë, do të çelë zona të gjera të Euroazisë, Afrikës, dhe brendisë së Amazonës, duke lehtësuar në shkallë të gjerë emigracionin transkontinental, dhe minuar nocionin Vestfalian të shtetit komb.

Ndryshimi i klimës ka thelluar pabarazinë e të ardhurave, dhe gjithnjë e më shumë do të diskretitojë konsumizmin e kotë, dhe akoma më tej legjitimitetin e kapitalizmit. Në të njëjtën kohë, zhvendosja e vëmendjes ndaj naftës, dobëson përparësinë e dollarit dhe do të çojë në rritjen e regjimeve të reja monetare. Ndryshimet tektonike në zhvillim e sipër, janë shumë të vështira për t’u frenuar.

Nuk është se udhëheqësit kinezë, janë të pajisur me njohuri të veçanta, por ngjashëm me lundruesit portugezë që arritën të kapërcejnë Kepin e Shpresën së Mirë, dhe i hapën rrugë dominimit 5-shekullor të perëndimit, Kina ka qëlluar të jetë në bashkimin e shumë faktorëve që sjell epoka e ardhshme.

Në terma historike, Kina është instrumenti i ri i ndryshimit, dhe rritja e saj e rastit, nuk duhet të trajtohet si një kërcënim, por një shans për të ndërtuar një të nesërme më të mirë e më të drejtë. Do të ishte e mençur për Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, të punojnë së bashku për të menaxhuar ndryshimin në mënyrë paqësore, duke dhënë dhe marrë nga të dyja anët. Një përplasje mes dy fuqive kontinentale bërthamore mbi shkëmbinjtë mbi dhe nënujorë në Detin e Kinës Jugore, është jo vetëm shumë e rrezikshëm; është kulmi i absurditetit.

A.G. / Bota.al