Loading...

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka në plan të nënshkruajë brenda vjeshtës së këtij viti një kontratë koncesionare për rrugën Tiranë-Durrës, ku synohet që kalimi të bëhet me pagesë.

Ministrja Belinda Balluku ka konfirmuar për Tv Scan, se projekti tashmë është në duart e investitorëve.

Balluku është shprehur se ministria kërkon të gjejë investitorë të cilët kanë eksperienca.

Balluku tha:

Unë kohët e fundit kam patur kontakte me shumë investitorë të huaj. Ministria ka përgatitur fisha të veçanta për çdo projekt për të gjetur partneritetin e duhur, qoftë edhe nga pikëpamja e eksperiencave që investitorët e huaj kanë, por edhe nga pikëpamja e interesit të zhvillimit që ato kanë në vendin tonë. Kështu që, rruga Tiranë-Durrës është dorëzuar në duart e disa investitorëve të huaj që kanë treguar interes, pasi ai është aksi kryesor që lidh kryeqytetin me portin tonë ndërkombëtar. Ashtu sikurse dihet, ajo autostradë prek zonën industriale të Shqipërisë dhe jo vetëm Tiranën apo Durrësin. Kështu që, besoj edhe interesi nga ana e investitorëve, shumë shpejt do të jetë i shprehur. Ndaj mendojmë që të gjitha këto projekte, vjeshta do t’i gjejë në kohën e nënshkrimit të kontratave dhe të realizimit të tyre.

Ministrja sqaroi gjithashtu se në kontratat e reja, do të përfshihet edhe rruga alternative, e cila do të jetë pa pagesë.

Ndër të tjera ajo shtoi se koncesionari do të rehabilitojë edhe rrugët ekzistuese.

Balluku shton:

Të gjitha rrugët që do të konsiderohen të futen në një koncesion me pagesë do të jenë rrugë që kanë alternativën e tyre. Kjo do të thotë që qytetarët mund të përdorin rrugën alternative, pa pagesë. Gjithashtu, ajo çfarë ne synojmë në projektet tona për rrugët me pagesë është që ndërtuesi apo investitori duhet të marrë përsipër dhe rehabilitimin e rrugëve ekzistuese. Ky është një element i ri që ne po mundohemi të futim në kontratat e reja dhe që normalisht do të ishte në favor të qytetarëve dhe të shtetit shqiptar, sigurisht.
Nevoja për rrugë alternative ka lindur pas peripecive në Rrugën e Kombit, ku qytetarëve u duhet të paguajnë tarifat e reduktuara të vendosura nga qeveria, pasi nuk kanë ku të kalojnë tjetër.

Loading...
Loading...
Loading...