Loading...

Sapo hyn në Përmet të shfaqet tabela me fjalinë “Perveç detit, kemi gjithçka tjetër”. Ngado kthehesh nëpër qytetin e vogël juglindor me 21 mijë banorë, sheh vetëm vlera njerëzore, fetare, historike, kulturore dhe natyrore.

A e dini se në Shqipëri rrezet e diellit bien së pari në Përmet, mbi majen e mbuluar nga bora. Quhet Maja e Diellit, ndodhet në malin e Nemerçkës, 2500 metra lartësi.

Vërtet nuk ka det, por në Përmet nuk e ndjen mungesën e tij. Ka lumin Vjosë që përshkon gjithë rrethin, ka ujërat termale të Benjës që burojnë në dy anët e kanionit Lengarica. Edhe sikur t’i kishe bërë me dorë nuk do të arrije në këtë përsosmëri.

Jane 6 ujëra sulfurore gjithsej të njohura që në antikitet. Secila ka burim më vete dhe kuron një sëmundje të caktuar. E para ku temperatura është 26 gradë, kuron sëmundjet e lëkurës, të tjerat sëmundjet e stomakut, veshkave, reumatizmën etj.

Përmeti ka Parkun Kombëtar “Bredhi i Hotoves-Dangelli”, ndër më të mëdhenjtë e Ballkanit. Ka urën 300-vjeçare të Katiut ku u xhirua momenti i vrasjes mbi kalë të rilindasit Petro Nini Luarasi, shkruante Top Channel në një reportazh të para pak kohëve.

Përmeti ka xhamitë, teqetë e kishat, ndër më të famshmet kishat e vendosura në formë trëkëndëshi Shën Maria e Leusës, Shën Maria e Bënjes dhe Shën Maria e Kosinës që daton në 1200.

Ka lule Përmeti, raki që nga ajo e manit tek rakia e rigonit. Ka glikotë, ushqimet tradicionale si qingj i mbushur me kulaç shtëpie, produktet bio me kilometër 0, si dhe vargmalin Trebeshinë-Dhëmbël-Nemerçkë.

E krahas gjithë këtij zinxhiri vlerash, Përmeti ka edhe një tjetër. Qyteti i trëndafilave shquhet për qetësinë publike.

Loading...
Loading...
Loading...