Loading...

Me hyrjen në fuqi të ligjit mbi natyralizimin më 1 janar 2018, pritet një ashpërsim i kritereve për fitimin e pasaportës zvicerane. Ky zhvillim ka shtyrë organizata të ndryshme të zhvillojnë aktivitete për sensibilizimin e të huajve të cilët i plotësojnë kushtet, që të shfrytëzojnë kohën e mbetur për të aplikuar për këtë pasaportë.

Në vargun e aktiviteteve të përmendura ishte edhe takimi që Caritas-i i Cyrihut e organizoi më 26 shtator me komunitetin shqiptar.

Takimi u mbajt në ambientet e Bibliotekës “Pestalozzi” në Hardau të Cyrihut ndërsa lidhur me natyralizimin, të pranishmit i ka njoftuar në mënyrë të hollësishme juristja Silvije Buçaj-Shehi nga zyra e këshillimeve juridike “Shehis-Partner” në Kloten të Cyrihut.

Ajo ka përkujtuar se më 17 qershor të vitit 2016 janë miratuar në Parlamentin e Zvicrës ndryshimet në Ligjin për Natyralizim, të cilat do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2018. Duke qenë se ndryshimet shkojnë drejt ashpërsimit, ligjëruesja u ka sugjeruar atyre që plotësojnë kriteret e ligjit ende në fuqi, të bëjnë aplikimin.

Më tutje ajo ka shtjelluar natyralizimin duke e shikuar atë nga aspekte të ndryshme. Në këtë kontekst, ligjëruesja ka folur për kushtet formale dhe ato materiale, pastaj për mënyrat e realizimit të natyralizimit: mënyrën e rregullt dhe atë të lehtësuar, duke sqaruar se nën çfarë kushtesh realizohet e para dhe në çfarë, e dyta, etj. Të gjitha këto dhe shumë hollësi të tjera, Buçaj-Shehi i ka sqaruar duke krahasuar gjendjen aktuale me atë që pritet, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore.

Kështu, ndër ndryshimet thelbësore që sjell 1 janari 2018 është ai që parasheh mundësinë e aplikimit për nënshtetësi zvicerane vetëm për të huajt që kanë Vizë C (status të qëndrimit të përhershëm në Zvicër). Në këtë pikë bëhet ndryshimi më përmbajtjesor në krahasim me ligjin ende në fuqi.

Me ligjin që përfundon veprimin më 31 dhjetor 2017, për marrjen e nënshtetësisë ose pasaportës zvicerane, i huaji mund të aplikojë me çfarëdo statusi që të ketë: F, B ose C, mjafton t`i ketë mbushur 12 vjet qëndrim në Zvicër. Ndërsa pas ndryshimit më 1 janar 2018, koha e qëndrimit shkurtohet në 10 vjet por kriteri për aplikim është pasja me çdo kusht e Vizës C. Ndërsa dihen kushtet jo të lehta nën të cilat fitohet kjo vizë.

Këtu hyjnë pastaj edhe hollësi tjera si ndryshimi që do të ndodhë në numërimin e viteve të qëndrimit për personat me status N dhe F etj.

Ndryshim do të ketë edhe në lidhje me certifikatën që aplikuesi duhet ta dorëzojë për statusin penal të tij. Deri tash ka mjaftuar që kjo certifikatë të dëshmojë statusin e pastër penal ndërsa me të renë, zyrtarët do ta vërtetojnë këtë edhe në sistemin elektronik mbi dosjen kriminale.

Statusi social i aplikuesit për natyralizim po ashtu me ndryshimet e reja do të shikohet në mënyrë më të hollësishme. Kështu, me ligjin ekzistues, mjafton që aplikuesi në momentin e aplikimit të mos marrë ndihma sociale, ndërsa me ndryshimin që do të ndodhë, kërkohet vërtetim edhe për shfrytëzimin eventual të ndihmave sociale gjatë tri viteve të fundit.

Në mesin e të pranishmëve ka mbretëruar një interesim i madh për temën e trajtuar gjë që është treguar edhe me pyetjet e drejtuara dhe debatin e gjallë që u zhvillua në mes tyre dhe ligjërueses. Në përgjithësi, sipas pjesëmarrësve, ardhja në këtë takim ia ka vlejtur, pasi që aty kanë marrë njohuri të reja lidhur me ndryshimet që do të bëhen duke filluar nga viti 2018. Ndryshime këto që do të prekin shumë prej tyre.

 

Loading...
Loading...
Loading...