Loading...

 

Koincidencë e çuditshme mes numrit 31 dhe lagjeve të Elbasanit në periudhën osmane.

Edhe sot, ata që konsiderohen banorët e vjetër të Elbasanit vazhdojnë të përdorin emërtimet turke të lagjeve të ndryshme të qytetit. Pavarësisht ndryshimeve në vite, shumica orientohen me këto emërtime dhe disa lagje i kanë ende emrat osmanë të vendosur shekuj më parë.

Qyteti i Elbasanit numëronte 31 lagje në fillimshekullin XX-të. Shumica janë zmadhur dhe kanë marrë rëndësi pas ndërtimit të objekteve të kultit e sidomos atyre të besimit islam. Xhamitë, përveçse u shndërruan në qendër lagjeje, shpesh shoqëroheshin me çezme dhe banja publike që shfrytëzoheshin nga banorët e lagjes.
Disa lagje vazhdojnë të kenë të njëjtin emërtim, pavarësisht atij të riut të vendosur në periudhën e komunizmit. Këtu mund të përmendim lagjjen “Kala”, “Shën Koll”, “Haxhias”, të cilat kanë ende të njëjtin emërtim edhe zyrtarisht, ndërkohë që vazhdojnë të përdoren “Spahikorre”, “Alejdine”, “Bobolle”, “Sulejmanie”, etj. Emërtimet e tyre sot pak kush di t’i shpjegojë, por një gjë është e sigurtë, ato vijnë nga turqishtja. Zhuljeta Kadilli, pedagoge dhe studiuese e Historisë, ka arritur t’i deshifrojë nëpërmjet regjistrave osmanë emërtimet e vjetra duke mbërritur në një studim të plotë për Elbasanin e kohës së sundimit osman.
Elbasani, në mesin e shekullit XVII numëronte 28 lagje me rreth 4000 shtëpi. Duke qenë qytet fushor, që edhe emrin e ka nga turqishtja, “Il basan”(vura dorë), u zhvillua shumë duke arritur deri në 31 lagjje në fillim të shekullit të kaluar.
Më poshtë sjellim disa nga lagjet më të njohura të kohës dhe kuptimin e emërtimit të tyre.

Lagjja Alaedin
Lagjja Alaedin në fillim të shekullit XX dokumentohet në regjistrat e kadiut të Elbasanit duke marrë këtë emër për nder te vezirit të madh Alaedin, vëllait të dytë të Sulltan Ohranit. Kjo lagje shtrihej në pjesën lindore dhe kufizohej me të ashtuquajtërën “Bobolle”, siç njihej në gjuhën popullore. Kjo lagje identifikohet afërsisht në territorin midis ish-Shtëpisë së Kulturës dhe shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja, si dhe lagjes “Luigj Gurakuqi”. Sipas regjistrave, popullsia në këtë lagje i përkiste tërësisht besimit islam.

Lagjja Baba Ogllu ose Bobolle
Lagjja “Babë e bir” mendohet se vjen nga administratorët e saj që sipas dëshmive kanë qenë babë e bir. Fjala në turqisht pësoi ndryshime nga e folura e përditshme dhe u shndërrua në Bobolle. Fillonte nga xhamia e Tabakëve deri tek Varrezat e Mëdha. dhe pikërisht nga busti i Kristoforidhit sot e deri pranë stadiumit “Elbasan Arena”.

Debakhane ose Tabakhane
Ndodhej në sheshin e Tabakëve ku ndodheshin edhe dyqanet e zejtarëve të përpunimit të lëkurës. Në fakt nuk ka funksionuar më shumë si një zonë banimi por si një territor për përpunimin dhe shitjen e lëkurave. Fjala “debag” në shqip do të thotë lëkurë pra lagjja “Tabakhane” është pikërisht lagjja e Lëkurëve. Zona e Tabakhanes njihet ajo nga kryqëzimi i bustit të Kristoforidhit e deri tek kryqëzimi i Dinamos. Në fakt sot nuk ka mbetur asnjë gjurmë nga e kaluara. Një pjesë e saj është edhe bulevardi “Aqif Pasha”.

Lagjja Bodurre ose Budur Iskënder
Do të thotë rreth Skënderit ose “Skënderi i Shkurtër”. Kjo lagje përfshinte vendin ku ndodhet sot Turizmi i Vjetër deri tek ish-Shtëpia e Kulturës ose fabrika e duhanit SAIDE. Duke qenë se kishte një pozicion afër tregut, kjo lagje ishte mjaft e preferuar. Kishte shumë lëvizje duke qenë se veprimet për shitblerje vetëm në një vit ishin 27 veprime sipas regjistrave osmanë. Më pas kjo lagje e humb emëritimin dhe mendohet se i është bashkuar dy lagjeve të tjera ngjitur. Ishte e banuar nga popullsi myslimane.

Lagjja Karavelie
Kjo lagje ndodhej ne pjesën lindore të lagjes Kala. Fillonte nga pjesa perëndimore e Kalasë e deri tek përroi i Zaranikës në perëndim. Në veri kufizohej me “Gurabardhi-n” kurse në jug arrinte deri tek “Qoshja”, vendi i tregëtisë e dyqaneve të bakejve.

Ishte një lagje e madhe dhe kjo duket nga veprimet e shumta në regjistra nga Kadiu i qytetit. Kjo lagje ka pasur dy rrugë “Gurabardh Çeshmesi” dhe rruga e Tiranës. Brenda lagjes ishin edhe 5 mullinj vaji. Sot është lagjja “Dyli Haxhire” me një pamje tërësisht të ndryshuar.

Lagjja Haznedare
Fjala Haznedar do të thotë arkëtar, njëri që merret me financat dhe thesarin. Mendohet që këtu te ketë banuar ndonjë punonjës finance i cili i ka dhënë edhe emrin lagjes. Sipas regjistrave asnjë familje nuk mban këtë mbiemër. Kjo lagje ishte ndër më të rëndësishmet në qytet duke ardhur e duke u zgjeruar. Rritja e numrit të popullsisë aty është dëshmuar nga viti në vit. Disa nga rrugët e lagjes “Haznedare” kanë qenë rruga “Narazani”. “Pusi i Narazanit”, “Mulliri i Vajit të Shijakut”, “çezma e Haznedares”, “rruga e Hasan Pashës”, etj. Kjo lagje identifikohet sot me lagjet “Emin Matraxhiu”, “Çlirimi” dhe “Beqir Dardha”.

Lagjja Kule
Bëhet fjalë për një pjesë të lagjes Kala, nga porta lindore deri në portën jugore dhe njihej me emrin “Kule” që do të thotë “kullë”. Mendohet se është bashkuar me lagjen “Kala” ose me lagjen “Xhami Qebir”. Kjo mendohet si një lagje e përzier por më shumë me popullsi myslimane. Sot është pjesa hyrëse e kalasë në krahun e djathtë dhe ruhet mirë me të njëjtën shtrirje. Pak banesa kanë ndryshuar.

Lagjja Kala
Është lagjja më e vjetër që u krijua nga Sulltan Mehmeti në vitin 1466 kur ai e rindërtoi atë. Në fakt, brenda rrethimit ishin 2 lagje të mëdha: “Deruni Kala” që do të thotë “brenda Kalasë” dhe “Xhamia e Madhe” (Xhami i Qebir) të cilat kishin një numër të madh banorësh. Këto dy lagje ndaheshin nga njëra-tjetra nëpërmjet një rruge. Brenda lagjes që lidhej me dy objekte të rëndësishme si “Kalaja” si dhe “Xhamia e Madhe” kishte edhe disa njësi ,me emërtime të veçanta si “Silahshore”, “Hamami i Vjetër”, “Sofiume”, “Porta e Kalasë” dhe “Kule” një pjesë e të cilave janë regjishtruar edhe si lagje në procese të ndryshme shitblerjesh apo dhënie për trashëgimi.

Lagjja Kala kishte së paku 300 shtëpi në kapërcyell të dy shekujve që e rendiste si lagjen më të madhe në qytet. Kjo lagje ka qenë edhe me një jetë mjaft intensive që lidhet me kohën dhe historinë e ndërtimit të saj. Në lagjen “Kala”, Sinan Pasha ndërtoi xhaminë, hamamin e vjetër dhe një azil për të pastrehët. Elbasani kishte gjithashtu edhe tre institute bamirësie në këtë periudhë të cilat u bënë strehë për të varfërit si “Imareti i Hynqarit”, “Imareti i Sinan Pashës” dhe “Imareti i Teqesë”. Brenda rrethinave kishte mulli uji dhe vaji si dhe shumë dyqane. Lagja Kala ka pasur në shumicë popullsi ortodokse dhe vetëm 23 banorë i përkisnin besimit islam.

Lagjja Spahikorre
Kjo lagje fillonte nga “Mulliri i Ri”, i cili ishte në kufi me lagjen “Sulejmanie” duke u shtrirë në verilindje të qytetit. Emri mendohet se vjen nga periudha e mesjetës. Gjatë sundimit osman u vendos sundimi feudal që u mbështet mbi timaret e ziametet. Vetëm një pjesë e shqiptarëve të pasur u integrua në këtë sistem duke u futur në radhët e spahinjve. Sipas regjistrave osmanë kjo lagje ka numrin më të madh të banorëve të qytetit pas lagjes Kala. Aty ishte e vendosur edhe familja e pasur e Karaosmanëve.ADE

Loading...
Loading...
Loading...