Loading...

Speciale

Nga Fatos Salliu

 

furrnalta

Qeveria ka vendosur të hedhë në erë Kombinatin Metalurgjik. Vendimi është marrë në datën 18 maj nga Këshilli i Ministrave.

Sipas këtij vendimi, objektet që do t’i nënshtrohen shembjes ndodhen në përbërje të disa uzinave siç janë Uzina e Prodhimit të Çeliqeve, Uzina 12, Uzina e Nikel Kobaltit, Kombinati Energjitik etj.

Praprakisht të gjithë objektet do t’i nënshtrohen procedurës së ankandit me synimin për të përfituar nga ajo çfarë ka mbetur dhe që mund të shfrytëzohet në përbërje të tyre.

Ja vendimi i qeverisë:

V E N D I M

PËR

SHEMBJEN E DISA NDËRTESAVE EKONOMIKE DHE ADMINISTRATIVE TË DISA NDËRMARRJEVE E SHOQËRIVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7, të ligjit nr.8485, datë 12.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Shembjen e ndërtesave ekonomike dhe administrative në shoqërinë OST, sh.a., Ndërmarrjen e Prodhimit të Çeliqeve, Uzinën 12 & NI-CO, Uzinën e Plehrave Azotike, ndërmarrje në likuidim, dhe Kombinatin Energjetik, sh.a., në likuidim, sipas listës bashkëlidhur këtij vendimi.
  2. Ngarkohen subjektet e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, të kryejnë procedurat e ankandeve, në përputhje me legjislacionin në fuqi, për asetet, të cilat, në përfundim të procesit, kanë vlerë ekonomike.
  3. Ngarkohen subjektet e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, të bëjnë reflektimet në regjistrat e pasurive të paluajtshme, për ndërtesat ekonomike që hiqen nga aktivet e bilanceve.
  4. Ngarkohen subjektet e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, për zbatimin e tij.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Kush ishte Kombinati Metalurgjik

Ndërmarrja industriale më e madhe në vend ndërtuar në vitet 70.  Përbëhej nga Ndërmarrja e Prodhimit Çeliqeve, Kombinati Energjitik (Oksigjeni, Termocentrali), Uzina Mekanike, Remonti Pajisjeve Elektrike, Uzina 12 Nikel-Kobaltit, Gizës, Koksit, Karriera e Gurit Gëlqeror Letan dhe Teleferiku, Tullat Refraktare, Materialet Karbonike, Instituti i Studimeve dhe Projektimeve Metalurgjike, Ndërmarrja e Transportit, Ndërmarrja Komunale, Laboratori Qendror. Kombinati u ndërtua nga inxhinierë dhe specialistë kinezë me ndihmën e specialistëve shqiptarë. Në Elbasan ka ekzistuar një lagje me kinezë e cila mban emrin edhe sot.

Gjatë ndërtimit lëvizën 2.5 milion m3 dhe, u hodhen 830.000 m3 beton arme, u përgatitën 146.000 m3 elemente parafabrikate, 43.000 ton konstruksione metalike. U ndërtuan 520  objekte, 47 km hekurudhë e brendshme, 22 km rrugë automobilistike. Në këtë gjigant punuan rreth 12.000 punëtorë.

 

 Tregon inxhinieri i ndërtimit Robert  Rapo: Si u ndërtua Metalurgjia

Robert Rapo është një nga inxhinierët e ndërtimit që ka punuar për një kohë të për ndërtimin e Metalurgjisë. Sipas tij, Kombinati Metalurgjik ishte një vepër me rëndësi strategjike dhe jo më kot u cilësua si “Çlirimi i dytë i Shqipërisë”. Për ndërtimin e këtij gjiganti përgjigjeshin direkt 4 prej anëtarëve të byrosë Politike; Mehmet Shehu, Rrahman Hanku, Spiro Koleka dhe Hajredin Çeliku.

Z Rapo, tashmë pensionist, tregon se ka filluar punë në vitin 1975 fill pas përfundimit të Fakultet të Inxhinierisë së Ndërtimit. “U caktova të punoj në objektin 222, pranë Uzinës 12 në repartin e koncentratorëve. Uzina 12 ishte zemra e kombinatit, ajo do të prodhonte Nikel-Kobaltin e pastër, një produkt shumë i rëndësishëm për atë kohë, por edhe tani. Prodhimi i këtij materiali tepër strategjik do të siguronte një buxhet shumë të madh për ekonominë tonë”.

Inxhinieri Rapo kujton se ndërtimi i Kombinatit Metalurgjik ka filluar në vitin 1962 me Uzinën Mekanike dhe vazhdoi për rreth 25 vjet. Periudha më intensive, sipas tij, ishin vitet 1968- 1980. “Ky kombinat u projektua nga shkencëtarët tanë me ndihmën e inxhinierëve kinezë. Kinezët udhëhiqnin punën e personelit inxhiniero- teknik shqiptar. Në ndërtimin e veprës ishin angazhuar mbi 15 mijë punonjës, të ndara nëpër ndërmarrje sipas rretheve. Sepse, çdo rreth kishte detyrimet e tij dhe plan punimesh. Marrëdhëniet me specialistët kinezë në fillim ishin të shkëlqyera dhe ata ishin shembull në të gjitha drejtimet. Më vonë me ndryshimin e klimës politike edhe marrëdhëniet e tyre ndryshuan deri në prishjen e plotë.”

Robert Rapo (1)

Sipas idesë së marrë të udhëheqjes komuniste, Kombinati Metalurgjik i Elbasanit, do të sfidonte industrinë e vendeve të zhvilluara kapitaliste, përfshi atë të imperializmit amerikan dhe socialimperializmit sovjetik. Për këtë qëllim për ndërtimin e tij përgjigjej direkt Byroja politike.

Inxhinieri Robert Rapo thotë: Kostoja e veprës tejkaloi 5 miliardë dollarë në atë kohë. Kujdesi i Qeverisë për Kombinatin ishte i një rëndësie të veçantë, specialistë nga dikasteret përkatëse, nga Qeveria, madje edhe nga Byroja Politike ishin të angazhuar çdo ditë në kombinat, kështu Rrahman Hanku, Spiro Koleka, Hajredin Celiku, bile edhe vetë Mehmet Shehu ishin të pranishëm nëpër uzina natë e ditë. Në kohën kur punoja unë drejtor i ndërtimit të Metalurgjikut ishte Feruz Mata një nga inxhinierët më të mirë të vendit dhe drejtor i shfrytëzimit ishte Hajredin Çeliku. Unë gjatë kësaj kohe kreva edhe stazhin e partisë 3 vjet në prodhim, i cili kishte rëndësi të madhe për “kalitjen” fizike dhe ideopolitike të kandidatit me virtytet e klasës punëtore si thjeshtësia, dashuria për punën, për shokun, lufta kundër arrogancës, prepotencës, dëgjimit të zërit të masës etj. Pra edukimi në gjirin e klasës punëtore ishte një shkollë e madhe e edukimit të kuadrove.

Duket se  të gjithë ata që merrnin pjesë në ndërtimin e Kombinatit Metalurgjik kalonin nëpër një filtër të rreptë biografie. Por edhe sigurimi mësohet se ka qenë i infiltruar mes punonjësve dhe inxhinierëve me synimin për të mbrojtur veprën nga ndonjë sabotim i mundshëm.

“Grupe sabotazhi nuk kemi pasur dhe kjo ndodhte për disa arsye. Në radhë të parë, të gjithë punonjësit që vinin nga rrethet kalonin në filtrin e organizatave bazë të partisë dhe atje zgjidheshin më të mirët, pra ishin të shoshitur mirë. Por nga ana tjetër në brigadat e ndërtimit ishin infiltruar edhe punonjës të sigurimit që ishin sy e veshë dhe punonin nëpër brigada si punëtor të thjeshtë dhe ndiqnin elementët e pakënaqur, apo sabotatorët ekonomike. Këtë e mora vesh shumë vite më vonë, pikërisht në vitin 1998. Isha ulur në një klub dhe kur vjen një punëtor i brigadës elektrike, Besnik quhet dhe gjatë bisedës më habiti kur më tregoi se çfarë detyre kishte në atë kohë. “Unë vërtet isha një punonjës i mirë –më tha- por punoja për sigurimin e shtetit. Isha i ngarkuar që të zbuloja sabotimin ekonomik. Pagën vërtet e merrja këtu. Por atë pagë e dorëzoja tek sigurimi. Atje merrja 12 mijë lekë, ndërsa siç edhe e di, në Metalurgji gjysmën e saj. Për të më mbushur mendjen më tregoi edhe foton e shkollës që kishte përfunduar, edhe gradën që mbante si oficer. Unë u habita sepse e njihja si një nga punëtorët më të mirë. Më tej ai më tregoi se punonjësit e sigurimit punonin kudo në saldim, në transport, në montim, si inxhinierë etj.

Inxhinieri Rapo ruan mjaft kujtime nga ndërtimi i Kombinatit. Por sipas tij edhe pse në dukje shkëlqente fryma revolucionare, në anën tjetër të gjithë ishin në ankth e terror.

“Nuk duhet të gaboje. Ndryshe të plasnin në burg. Për një gabim dhe mund të cilësoheshe si sabotator dhe armik i popullit. Mbaj mend njëherë se si një inxhiniere e re gjatë zbatimit të projektit gaboi diku duke sjellë një dëmtim ekonomik rreth 2 milionë lekë. Ajo u pezullua nga puna dhe pritej arrestimi i saj, sepse në atë kohë për 200 lekë të reja menjëherë arrestoheshe dhe jo më 2 milion. Çuditërisht për këtë rast erdhi vetë Mehmet Shehu, ish- Kryeministri i kohës, i cili pasi dëgjoi drejtuesit e kombinatit,të trembur edhe ata, u habitën të gjithë ku ai tha; “Punë e madhe për 2 milionë lekë, vajza bëri një eksperiment, vazhdoni punën”. Ne u shastisëm. Por gjithsesi u çliruam. Kjo ndërhyrje nuk ishte pa qëllim. Nëse ajo do të dënohej do ti kapte gjithë tmerri dhe paniku mund të ngadalësonte ritmet e veprës.

Ndërsa në vitin 1977 në Kombinatin Metalurgjik e bë Kongresi i 7 i BRPSH, në një nga uzinat e kombinatit. Shoku Enver u prit me ovacione të jashtëzakonshme siç ishte traditë në atë kohë dhe në këtë kohë u hodh edhe parulla ”të pastrojmë ndërgjegjen siç pastrojmë çelikun nga skorjet”, e cila u bë lajtmotivi i kohës. Ditëlindjet e Enverit dhe Stalinit ishin një ferr për të gjithë. Në këto ditë duhej të punoje natë e ditë për të treguar devotshmëri ndaj udhëheqësve. Dhe askush nuk guxonte të bënte as gëk e as mëk. Ndryshe e kishe pisk punën…

Inxhinieri Rapo tregon se më, në 12 uzinat, kombinatet dhe fabrikat e tij punuan 12 mijë punëtorë. Por pas vitit 1990 procesi u ndërpre dhe gjiganti nisi të bjerë në agoni. “Metalurgjia ishte konceptuar sipas logjikës së funksionit zinxhir. Pra kishte një cikël teknologjik që niste me minierat, transportin, pastrimin e mineraleve, shkrirjen etj. Nëse ndërpritej njëri prej këtyre zinxhirëve, atëherë çrregullohej puna në të gjithë uzinat. Ndaj edhe në vitin 1990 ajo ra menjëherë pasi u prish ky zinxhir teknologjik.

Për z. Rapo tashmë Metalurgjia është një gërmadhe e madhe që duhet zhdukur. Një vend kanceroz….

IMG_6159

Inxinieri Kozma Biba; përse kinezët?

Një tjetër inxhinier dhe drejtor në Metalurgji, z. Kozma Biba tregon se “vendimi për ngritjen e Kombinatit Metalurgjik u mor në vitin 1971 në 30 vjetorin e Partisë së Punës në Kongresin e 6. Guri i parë për ndërtimin e tij u vendos në vitin 1975 në uzinën e Gizës në ndërtimin e furrnaltës. Gjatë këtyre viteve ishin realizuar konsultime mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë kineze. Para se të ngrihej Kombinati në këtë vend funksiononte petëzimi i imët i ngritur që në vitin 1965. Fillimisht u mendua që Kombinati të ngrihej në Përrenjas për arsye se atje ndodhej dhe minerali i nevojshëm. Por për shkak të luftës së ftohtë që ekzistonte edhe mes vetë kampeve socialiste ky projekt ra për 2 arsye. E para një vepër e përmasave të tilla nuk mund të ndërtohej pranë kufirit me një vend si Jugosllavia e cila konsiderohej si armike e Shqipërisë në atë kohë, dhe e dyta, duke u ndërtuar buzë kufirit pluhurat e tij do të ndosnin mjedisin e vendit fqinjë dhe ky do të shërbente si një pretekst për konflikte të përgjakshme. Për të shmangur këto u gjet një zgjidhje. Kombinati u vendos të ndërtohej në Elbasan duke u nisur nga pozicioni gjeografik i këtij qyteti. Elbasani ndodhet pranë Përrenjasit dhe afër Durrësit . Nga Përrenjasi do të vinte minerali, ndërsa nga Durrësi lënda e parë.

Sipas inxhi Bibës e gjithë Metalurgjia ishte një projekt kinez. “Për ngritjen e saj punuan njëkohësisht disa institute kineze. Them disa sepse në Kinë institutet ishin të specializuara në një fushë të caktuar. Unë kam qëndruar 4 vjet në atë vend dhe e njoh nga afër industrinë e tij. Nuk është e vërtetë që kinezët sollën në Elbasan një teknologji të vjetëruar. Teknologjia që ata sollën në vendin tonë ishte më e përparuara e kampit socialist. Madje, mund të them se duke ndërtuar një vepër të tillë në Shqipëri kinezët deshën të demonstronin teknologjinë e tyre në Perëndim. Duhet të them se për Uzinën 12  dhe Nikel Kobaltin u ngrit një institut i posaçëm në Kinë i cili studioi teknologjinë australiane dhe kanadeze.

Inxhinieri Biba tregon se ideja për të ngritur metalurgjinë në Shqipëri dhe ndihma që kinezët dhanë ishte edhe si një “shpërblim” për mbrojtjen që i bëri Enveri Kinës në mbledhjen e 81 partive në Moskë.

“Ideja për ngritjen e Metalurgjikut u hodh në vitin 1971. Në atë kohë Shqipëria dhe Kina ishin vende miq. Në mbledhjen e 81 partive në Moskë vendet socialiste u ndanë në 2 kampe të mëdha. Hrushovi kërkonte ta përjashtonte Kinën nga kampi socialist. Në mbrojtje të Kinës doli udhëheqësi shqiptar Enver Hoxha. Është i njohur fakti i qëndrimit që mbajti  Enver Hoxha në këtë mbledhje. Bashkimi Sovjetik krijoi vendet e veta satelite, ndërsa ne u bashkuam me Kinën. Miqësia u  forcua dhe lindi ideja e ngritjes së Metalurgjikut”.

Kozma Biba hedh poshtë idenë se në Metalurgji ishte projektuar që të prodhoheshin edhe aeroplanë. “Këto kanë qenë ide fantastike, megjithëse sistemit të kohës i leverdiste të kultivohej ky mendim. Projekti ka parashikuar ngritjen e një kompleksi uzinash të cilat do të kryenin përpunimin e plotë të mineraleve tona. Zinxhiri teknologjik parashikonte prodhimin e tullave refraktare, prodhimin e masës karbonike,përpunimin e gurit gëlqeror, zhvillimin e industrisë mekanike dhe industrisë së koksit. Prodhimet bazë të Metalurgjikut kanë qenë çeliku dhe nënproduktet e tij. Më vonë u ngritën Uzina 12 dhe Nikel Kobalti që konsideroheshin krenaria jonë teknologjike. Në të vërtetë në prodhuam nikel 99.99 % të pastër i kërkuar nga tregu ndërkombëtar si dhe kripëra të Kobaltit. Të dy këta elementë janë shumë të kërkuar nga industria e avancuar. Metalurgjia funksiononte sipas një sistemi zinxhir që kryente një cikël të plotë. Kjo do të thotë se minerali dilte produkt i kërkuar. Në  ndihmë të uzinave të mëdha ishin edhe Uzina Energjitike që përfshinte TEC-in dhe Uzinën e Oksigjenit dhe të Azotit, uzina mekanike etj.

Sa i përket numrit të kinezëve të punësuar aty z. Biba tregon:  Kanë punuar me qindra Unë nuk kam një shifër të saktë të tyre, por mund të them se çdo uzinë kishte grupin e vet të kinezëve që përbëhej kryesisht nga inxhinierë dhe nga mjeshtra ndërtimi. Në çdo uzinë  punonin të paktën 50 specialistë kinezë. Pranë tyre qëndronin specialistët shqiptarë. çdo grup mbante përgjegjësi për uzinën e vet. Të gjithë grupet e veçanta mbanin lidhje me grupin qendror të specialistëve që koordinonin punën mes uzinave. Kinezët ishin shumë kërkues në zbatimin e rregullores teknike në punë. Gjatë kohës kur ishin ata ne patëm fare pak aksidente në punë. Aksidentet më tragjike ndodhën kur u larguan kinezët pasi punëtorët shqiptarë nuk i respektonin këto rregulla. Specialistët kinezë u sistemuan në një lagje të veçantë e cila edhe sot e kësaj dite mban emrin e tyre.

Por edhe pse në Kombinat punuan mjaft kinezë dhe mes tyre edhe shqiptarëve nuk munguan flirtet për shumë vite nuk u regjistrua asnjë martesë mes punëtorëve apo inxhiniereve të të dy vendeve. Ndryshe sa ndodhi me Bashkimin Sovjetik, kjo histori nuk u përsërit me Kinën

“Këtu erdhën specialistë femra dhe meshkuj. Mbaj mend që ishin shumë të kujdesshëm në shoqëri. Ata vërtet  punonin me specialistë e punëtorë shqiptarë, por nuk krijuan lidhje martesore. Sepse lidhje të tilla në atë kohë ishin të ndaluara me ligj nga shteti aziatik. Kjo ndodhi pas braktisjes që u bënë rusët mijëra grave kineze në bazën detare të portit të Talinit. Pas prishjes së marrëdhënieve Rusi-Kinë, burrat Rusë braktisën gratë kineze. Kjo u bë çështje ndërshtetërore dhe atëherë shteti kinez vendosi me ligj ndalimin e lidhjeve martesore të shtetasve të tij me shtetas të vendeve të tjera. Nuk përjashtohet ndonjë lidhjeje ilegale. Por asnjëra prej tyre nuk u zyrtarizua.

Sa i përket drejtuesve z. Biba kujton se emrat më të njohur janë ata të Hajredin Çelikut dhe Feruz Matës. “Për shfrytëzimin ishte Hajredin Çeliku ndërsa për ndërtimin dhe montimin ka qenë i padiskutueshëm Feruz Mataj. Feruz Mataj konfiguroi atë që njihet sot si Kombinati Metalurgjik ndër më të mëdhenjtë e këtij lloji në Ballkan. Ishte i përkushtuar dhe punëtor. Ai ishte mik i familjes së Mehmet Shehut. Ca kohë kreu edhe detyrën e zv. Ministrit të Industrisë. Kur u denigrua familja e Mehmet Shehut pasojat ranë edhe mbi mikun e familjes së saj, Feruz Mataj. Feruzi përfundoi dispeçer në Urën Vajgurore. Kombinati gllabëronte fonde të mëdha. Që të realizohej zinxhiri teknologjik nevoitej lënda e parë e cila vinte nga importi. Lënda e parë kushtonte miliona USD. P.sh. brenda një viti ne kishim nevojë për rreth 360 mijë ton qymyr të koksifikuar që importohej nga vende të tilla si Gjermania, Polonia , Kanadaja etj. Për këtë arsye Kombinati Metalurgjik drejtohej nga vetë Byroja Politike. Hallkat e tjera ishin thjesht ndihmëse dhe përçuese të direktivave.

Sa i përket rentabilitetit duket se Kombinati Metalurgjik, jo vetëm që nuk realizoi ëndrrën e çmendur komuniste, por ka gllabëruar fonde të mëdha. “Kombinati Metalurgjik nuk doli asnjëherë me fitim sepse duhej të mbyllej edhe cikli i Uzinës 12 dhe Nikel Kobalti. Për shkak të luftës politike kinezët u larguan. Puna u vazhdua me specialistë perëndimore që kishin pak njohuri për teknologjinë kineze. Ne patëm shumë vështirësi në vënien në punë të këtyre uzinave. Plus pastaj ne nuk i njihnim rregullat e ekonomisë së tregut dhe konjukturat për shitjen e Nikelit e të Kobaltit. Shpëtimin e shihnim tek këto dy uzina pasi synonim të eksportonim metale dhe të përfitonim valutë. Prodhimin më të madh Kombinati e arriti në vitet 87-89.

Sipas tij në kulmin e vet në Metalurgji ishin të punësuar mbi 12 mijë punëtorë. Në vitin 1990 shkoi drejt zeros dhe në vitin 1997 u plaçkit dhe u shkatërrua.

IMG_6152

Perspektiva

Gjatë dy dekadave të fundit ka pasur disa përpjekje për të riaktivizuar disa nga uzinat dhe fabrikat më të rëndësishme dhe rentabël në këtë kombinat. Në fakt disa prej tyre arritën të bëjnë diçka. Shpresë e madhe ishte marrja e Uzinës së Prodhimit të Çeliqeve nga turqit e Kurum. Kurum investoi në furra, teknologji dhe në impiantet e filtrave të ajrit. Por zhvillimet globale, kriza, mungesa e lëndës së parë etj bënë që edhe ata të falimentojnë.

Tashmë nuk ka asnjë shpresë që metalurgjia mund të riaktivizohet si zonë industriale, Tek-tuk aty kanë gëluar disa biznese të vegjël por që nuk kanë peshë në industri. Ndotja e dikurshme, amortizimi i thellë, plaçkitja e kanë kthyer metalurgjinë në gërmadhë. Në atë që cilësohet si “Çernobili shqiptar”.

Gjatë këtyre viteve janë shpenzuar fonde të mëdha për të konservuar Kombinatin dhe kjo nuk ka asnjë logjike ekonomike. Metalurgjia përbën “bombën” e vjetër ekologjike që duhet të asgjësohet një ditë e më parë.

Vendimi i fundit i qeverisë është mirëpritur nga qytetarët elbasanas sepse ai realizon një ëndërr të hershme të banorëve të këtij qyteti; atë të çlirimit nga ndotja. Vendimi hap perspektiva të mëdha sepse pikërisht në këtë vend pritet që të bashkohet superstrada që lidh Tiranën me Elbasanin dhe Korridorin e 8-të.

Me këtë ndryshim Elbasani vazhdon të mbetet e madje të fuqizohet si nyje ekonomike në Shqipëri duke krijuar atë që ka nisur të quhet si trekëndëshi Tiranë-Durrës-Elbasan. infoelbasani.al

IMG_6158

 

Loading...
Loading...
Loading...