Loading...

Voltiza Duro – Të moshuarit që plotësojnë kriteret e përcaktuara në legjislacion mund të përfitojnë disa pensione e përfitime të veçanta për kategori specifike individësh si dhe disa kompensime, që mund të merren për arsye të paracaktuara. Instituti i Sigurimeve Shoqërore shpjegon të gjithë procedurën, kriteret e dokumentacionin që nevojitet për individët e interesuar që iu lind e drejta e marrjes së kësaj pagese. Masa e kësaj të fundit përllogaritet nga ISSH. Përkatësisht, përfituesit mund të marrin pensionin e posaçëm shtetëror, atë për merita të veçanta, pensionin e dhënë për invalidët e luftës e shpërblimin për veteranët. Ndërkohë, për të gjithë individët që plotësojnë kriteret e dorëzojnë dokumentacion e kërkuar, jepen kompensime të llojeve të ndryshme si ai i shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike e lëndëve djegëse, kompensimi i përfituar nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit apo gazit të lëngshëm si dhe kompensim i të ardhurave mujore të pensionistëve. Por këto kompensime mund të përfitohen edhe në rastet kur individët janë në ngarkim të pensionistëve apo kategorizohen si shtresa në nevojë.

Kompensimi nga ndryshimi i çmimit të energjisë
ISSH bën me dije se kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse në masën 350 dhe 700 lekë, e përfitojnë të gjitha kategoritë e pensioneve të pleqërisë, të invaliditetit dhe ato familjare të qytetit dhe në masën 200 lekë pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare, kur përfituesit banojnë në fshat. Pensionistët e fshatit, kur banojnë në qytet, përfitojnë 350 lekë. Për të përfituar 350 lekë apo 200 lekë kompensim, kategoritë e sipërpërmendura duhet të dorëzojnë një deklaratë personale dhe një fotokopje të kontratës të energjisë elektrike nga operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike. Ndërsa për të përfituar 700 lekë kompensim, duhet dorëzuar gjithashtu edhe një certifikatë familjare, kur fëmijët në ngarkim janë deri në 18 vjeç e ata që vazhdojnë shkollën deri në 25.

Kompensimi nga ndryshimi i çmimit të bukës
Në buxhetin e shtetit është përllogaritur edhe një masë kompensuese për të gjithë ata që preken nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm, në masën prej 150 lekësh. Respektivisht kjo masë pagese përfitohet nga pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe pensionet familjare të qytetit.

Kompensimi deri në 500 lekë
Në bazë të ligjit “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”; këtë lloj kompensimi deri në 500 lekë e përfitojnë të gjitha pensionet e pleqërisë, të plotë, të pjesshëm, të reduktuar dhe pensionet familjare të plota e të pjesshme të qytetit.

Kompensimi deri në 760 lekë
ISSH thekson se këtë lloj kompensimi e përfitojnë të gjitha pensionet e pleqërisë, të plota, të pjesshme, të reduktuara, pensionet e invaliditetit të plotë, të reduktuar, të pjesshëm dhe pensionet familjare të plota, të pjesshme të qytetit.

Kompensimi deri në 190 lekë
Kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve të qytetit deri në masën prej 190 lekësh e përfitojnë të gjitha pensionet e pjesshme të pleqërisë, të invaliditetit dhe pensionet e pjesshme familjare të qytetit; të gjitha pensionet e plota minimale të pleqërisë, invaliditetit dhe familjare të qytetit; si dhe të gjitha pensionet e pleqërisë dhe familjare të qytetit, pasi t’iu jenë llogaritur të gjitha kompensimet.

Kompensim deri në 200 lekë
Këtë lloj kompensimi mbi të ardhurat mujore të pensioneve të qytetit në masën deri në 200 lekë e përfitojnë të gjitha pensionet e pjesshme të pleqërisë, të invaliditetit dhe pensionet e pjesshme familjare të qytetit. Gjithashtu, këtë përfitim e marrin të gjitha pensionet e plota minimale të pleqërisë, invaliditetit dhe familjare të qytetit si dhe të gjitha pensionet e pleqërisë dhe familjare të qytetit, pasi t’u jenë llogaritur të gjitha kompensimet. Kjo e ardhur është pjesë përbërëse e të ardhurave nga pensioni dhe përfitohet së bashku me pensionin.

Pensionet e posaçme shtetërore
Pensioni i posaçëm shtetëror është një shtesë që jepet me Vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave. Ky lloj pensioni mund të përfitohet nga të gjithë ata që kanë marrë pjesë në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, në lëvizjet popullore, në luftën kundër pushtuesve nazifashistë brenda dhe jashtë Shqipërisë, në mbrojtjen e kufirit e ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë, në lëvizjen demokratike dhe që kanë merita të veçanta. Por edhe individët që kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e shkencës, kulturës, arteve, ekonomisë dhe politikës si dhe ata që kanë vuajtur nga persekutimi politik nën regjimin komunist mund të përfitojnë nga ky pension. Të interesuarit duhet të dorëzojnë kërkesën, e cila duhet të përmbajë gjeneralitetet, emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen etj. dhe duhet të jetë e shoqëruar me dokumentet përkatëse si fotokopjen e letërnjoftimit elektronik ose certifikatën e gjendjes civile e vërtetimin nga Sigurimet Shoqërore, nëse merr pension dhe masën e pensionit. Më tej personat e paaftë për punë duhet të dorëzojnë edhe një vërtetim nga KMCAP-i, ndërsa personat me merita të veçanta duhet të kenë bashkangjitur edhe kopjet e noterizuara të dokumenteve që vërtetojnë këto merita si titujt, medaljet, urdhrat etj., ndërsa të përndjekurit politikë duhet të dorëzojnë kopjen e noterizuar të statusit të të përndjekurit politik. Por, pensioni i posaçëm shtetëror nuk mund të jetë më i ulët se dyfishi i pensionit social dhe as më i lartë se katërfishi i tij. Ndërkohë, në manualin e ISSH-së bëhet me dije se pensioni për merita të veçanta është pensioni që do të vazhdojë të paguhet nga organet e sigurimeve shoqërore, deri sa përfituesi të vdesë. Por, sot ky lloj pensioni nuk llogaritet e po vjen drejt mbylljes së tij.

Pensioni për invalid lufte
Pensioni për invalidët e luftës është një pension që iu jepet invalidëve të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit Shqiptar. “Të drejtën e përfitimit nga statusi i invalidit të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar e kanë: a) Të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, që janë plagosur dhe gjymtuar duke luftuar kundër pushtuesve nazifashistë nga 7 prilli i vitit 1939, deri në çlirimin e Shqipërisë. b) Luftëtarët e inkuadruar në ato njësi të ushtrisë që janë plagosur dhe gjymtuar duke luftuar jashtë kufijve të atdheut deri më 09.05.1945. c) Të gjithë personat që janë plagosur dhe gjymtuar, duke zhvilluar veprimtari të organizuar në ilegalitet, në prapavijë të armikut ose në zonat e çliruara. d) Të burgosurit dhe të internuarit, që janë plagosur dhe gjymtuar në burgjet dhe kampet nazifashiste, brenda dhe jashtë vendit”, – citohet në manualin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Shpërblimi për veteranët
Shpërblimi i luftës apo i njohur si shpërblim veterani është një shtesë që u jepet veteranëve dhe invalidëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar. Këtë lloj shpërblimi kanë të drejtë ta përfitojnë të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, që luftuan kundër pushtuesve nazifashistë nga 7 prilli i vitit 1939, deri në ditën e çlirimit të Shqipërisë, luftëtarët e inkuadruar në ato njësi të ushtrisë, që luftuan jashtë kufijve të atdheut deri më 09.05.1945. Por këtë pagesë mund ta marrin edhe të gjithë ata persona që kanë zhvilluar veprimtari të organizuar në ilegalitet, në prapavijë të armikut e në zona të çliruara. Kryefamiljarët e atëhershëm të shtëpive të njohura si baza të luftës kundër pushtuesve
Nazifashistë, të burgosurit dhe të internuarit në burgjet dhe kampet nazifashiste, brenda dhe jashtë vendit si dhe shtetasit shqiptarë që kanë marrë pjesë aktive në luftën kundër nazifashistëve në vende të tjera.

KOMPENSIMI PËR MBROJTJEN E SHTRESAVE NËNEVOJË NGA RRITJA E ÇMIMIT TË ENERGJISË

Kush e përfiton:
a) Kryefamiljarët që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik, ose të vetëpunësuar në sektorin privat.
b) Kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie shtetëror dhe jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim, të cilët janë pa të ardhura.
Dokumentacioni që kërkohet:
a) Deklaratë personale që ndodhet pranë Agjencive Lokale të Sigurimeve Shoqërore.
b) Fotokopje e kontratës të energjisë elektrike, lidhur midis OSSH-së dhe personit.
c) Certifikatë familjare.
d) Për fëmijët mbi moshën 18 deri në 25 vjeç, vërtetim që vazhdojnë shkollën.
Masa e përfitimit:
a) 640 lekë në muaj. Ky shpërblim tërhiqet në postën paguese së bashku me pensionin.

KOMPENSIM PËR PERSONAT NË NGARKIM TË PENSIONISTËVE

Kush e përfiton:
†E përfitojnë të gjithë pensionistët që marrin pension, që kanë anëtarë të familjes në ngarkim dhe që janë me banim të përhershëm në qytet.
n Kur kanë në ngarkim fëmijë nën moshën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç, kur vazhdojnë shkollën e lartë.
n Kur kanë persona të tjerë në ngarkim dhe nuk janë më në marrëdhënie pune.
Masa e përfitimit:
a) 414 lekë në muaj për çdo person të familjes në ngarkim kur:
n Fëmijët janë nën moshën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç, kur vazhdojnë shkollën.
n Nipat, mbesat kur nuk i kanë prindërit, bashkëjetojnë me pensionistin dhe janë nën moshën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç kur vazhdojnë shkollën.
b) 207 lekë në muaj kur një nga prindërit është në marrëdhënie pune ose në pension.
Nuk e përfitojnë:
†Pensionistët që realizojnë të ardhura nga veprimtaria ekonomike si të punësuar, punëdhënës, të vetëpunësuar ose kanë tokë në pronësi.
Dokumentacioni që kërkohet:
a) Fotokopje e letërnjoftimit elektronik për personat përfitues.
b) Certifikatë familjare.
c) Vërtetim nga shkolla.
d) Vërtetim nga zyra e tatimeve, taksave dhe nga bashkitë dhe komunat për mospasje aktiviteti.
e) Vërtetim nga zyra e punës si punëkërkues, për personat që janë në ngarkim dhe nuk janë në marrëdhënie pune.
f) Deklaratë personale.

Kompensimi prej 760 lekësh

Masa e përfitimit:
a) Përfitojnë deri në 760 lekë në muaj të gjitha pensionet e pjesshme të pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare, që përfitojnë një masë pensioni më të vogël se pensioni bazë. Kjo llogaritet si raport i produktit të shumëzimit të pensionit të caktuar me 760 lekë dhe ajo që del, pjesëtohet me pensionin bazë.
b) Përfitojnë 760 lekë në muaj të gjitha pensionet e plota minimale të pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare.
c) Përfitojnë deri në 760 lekë në muaj të gjitha pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare, që e kanë kufirin deri te shuma e pensionit të plotë bazë minimal plus 500 lekë, në zbatim të VKM nr. 401, datë 21.06.2006 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve” – plus 760 lekë, e cila llogaritet si diferencë ndërmjet kufirit të mësipërm dhe pensionit të caktuar.

Dokumentacioni që nevojitet

Kompensimi për personat në ngarkim të pensionistëve

Në manualin e publikuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore theksohet se ky kompensim jepet për personat në ngarkim që ka përfituesi i pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe familjar. Këtë kompensim e përfitojnë të gjithë pensionistët që marrin pension, që kanë anëtarë të familjes në ngarkim dhe që janë me banim të përhershëm në qytet. Kur kanë në ngarkim fëmijë nën moshën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç, kur vazhdojnë shkollën e lartë si dhe kur kanë persona të tjerë në ngarkim dhe nuk janë më në marrëdhënie pune”, – citon ISSH. Ndërkaq, masa prej 414 lekësh në muaj jepet për çdo person të familjes në ngarkim në rastet kur fëmijët janë nën moshën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç, kur vazhdojnë shkollën si dhe kur nipat, mbesat, kur nuk i kanë prindërit bashkëjetojnë me pensionistin dhe janë nën moshën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç kur vazhdojnë shkollën.

Ndërkohë, pagesa në masën 207 lekë në muaj jepet kur një nga prindërit është në marrëdhënie pune, ose në pension. ISSH thekson se ky kompensim nuk përfitohet nga pensionistët që realizojnë të ardhura nga veprimtaria ekonomike si të punësuar, punëdhënës, të vetëpunësuar ose kanë tokë në pronësi. Për të përfituar nga kjo masë pagese, të interesuarit duhet të dorëzojnë dokumentacionin e përcaktuar si fotokopje e letërnjoftimit elektronik, certifikatë familjare, vërtetim nga shkolla, vërtetim nga zyra e tatimeve, taksave dhe nga bashkitë dhe komunat për mospasje të aktivitetit; vërtetim nga zyra e punës si punëkërkues, për personat që janë në ngarkim dhe nuk janë në marrëdhënie pune si dhe një deklaratë personale.

Ja kush mund të përfitojë deri në 690 lekë kompensim, përllogaritja

Në buxhetin e shtetit parashikohet kompensimi deri në 690 lekë edhe për të ardhurat mujore të pensioneve të fshatit për të gjithë ata që marrin pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar fshati. Përfitues nga ky kompensim mund të jenë të gjithë ata që marrin pensione të pleqërisë të plota dhe të pjesshme, ata që përfitojnë pension invaliditeti të plotë, të reduktuar apo të pjesshëm si dhe ata që marrin pension familjar të plotë ose të pjesshëm. “Përfitohet: a) Deri në 690 lekë në muaj, të gjitha pensionet e pjesshme të pleqërisë, të invaliditetit dhe familjar, që përfitojnë një masë pensioni më të vogël se pensioni bazë. Kjo llogaritet si raport i produktit të shumëzimit të pensionit të caktuar me 690 lekë dhe prodhimi që del, pjesëtohet me pensionin bazë të miratuar. b) 690 lekë në muaj, të gjitha pensionet e plota minimale të pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare. c) Deri në 690 lekë në muaj për të gjitha pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjar, që e kanë kufirin deri tek shuma e pensionit të plotë bazë minimal plus 690 lekë dhe nga kjo shumë zbresim pensionin e caktuar brenda këtij kufiri. d) Kjo e ardhur është pjesë përbërëse e pensionit dhe përfitohet së bashku me pensionin”, – theksohet në manualin e ISSH-së.

Kush janë 2 kategoritë përfituese të kompensimit prej 648 lekësh

Nga kompensimi prej 648 lekësh në muaj për mbrojtjen e shtresave në nevojë për efekt të heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike deri në 300 kwh në muaj mund të përfitojnë 2 kategori. Respektivisht, mund ta marrin këtë kompensim kryefamiljarët që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar, ose të vetëpunësuar në sektorin privat si dhe kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie shtetëror ose pension pleqërie fshati, por që janë me banim në qytet dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar. Dokumentacioni që nevojitet për të fituar të drejtën e përfitimit përfshin: deklaratë personale, fotokopje e letërnjoftimit, fotokopje e kontratës të energjisë elektrike lidhur midis OSSH-së dhe personit, fotokopje e librezës së energjisë, që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara si dhe një certifikatë familjare.

Loading...
Loading...
Loading...