Loading...
atletika
Nën kujdesin e Kryetarit të Bashkisë Qazim Sejdini në stadiumin “Elbasan Arena” mesditën e së shtunës zhvillohet Mitingu Internacional, Kupa ” Nderimi i Figurave”, një projekt ky i Federatës Shqiptare të Atletikës.

Në këtë kuadër, Kreu i Bashkisë Qazim Sejdini ka pritur në një vizitë zyrtare zv/Presidentin e Federatës së Atletikës për Europën Dobromir Karaminov, i cili shoqërohej nga Presidenti i FASH, Gjergj Ruli si dhe përfaqësues të Federatave të Atletikës të cilët do të marrin pjesë në këtë aktivitet.

Kreu i Bashkisë Qazim Sejdini falenderoi Qeverinë Shqiptare, FASH–në si edhe Federatën Ndërkombëtare të Atletikës për kontributin që kanë dhënë për ndërtimin e një piste atletike të parametrave ndërkombëtare në stadiumin “Elbasan Arena”.

“Elbasani e meritonte pistën e stadiumit dhe shpresoj që sot e tutje “Elbasan Arena” do të jetë “shtëpia e atletikës”, tha në fjalën e tij Sejdini. Me nisjen e këtij aktiviteti tha Kryetari i Bashkisë, në Elbasan nis një histori e re për sportin e atletikës, por edhe për Elbasanin.

Nga ana e tij zv. Presidenti i Atletikës për Europën Dobromir Karaminov, ka falenderuar kreun e bashkisë Qazim Sejdini për mbështetjen që i ka dhënë sportit të Atletikës.

“Është privilegj për Atletikën të ketë një kryetar i cili e mbështet këtë sport. Shqipëria ka një Federatë shumë të mirë të Atletikës, por tashmë edhe një pistë të shkëlqyer që do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të këtij sporti. Jam për herë të parë në qytetin e Elbasanit, por me siguri që nuk do të jetë hera e fundit. Federata Ndërkombëtare e Atletikës do të vazhdojë t’ju mbështesë”, tha Karaminov.

Në vijim, kreu i Bashkisë ka vlerësuar me titullin Mirënjohja e Qytetit, Dobromir Karamarinov me motivacionin “Për kontributin e tij të çmuar në zhvillimin e sportit të atletikës në qytetin tonë dhe në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”.

Ndërsa kreu i bashkisë u nderua me titullin ” Nderi i Atletikës Shqiptare” titull i cili iu dorëzua nga Presidenti Federatës Shqiptare Gjergj Ruli.  Ky titull ju dha kryetarit të Bashkisë Qazim Sejdini “Për punën e shkëlqyer shumë vjeçare dhe kontributin e shquar në rritjen e cilësisë sportive dhe si drejtues i sportit ndër vite”.

Ndërkohë një çertifikatë mirënjohjeje Kryetarit të Bashkisë ju dha nga Federata Maqedonase e Atletikës “për kontributin e tij në zhvillimin e sportit të atletikës në ballkan”.

Në mitingun, Kupa ” Nderimi i Figurave” marrin pjesë ekipet e Shqipërisë, Maqedonisë, Mali i Zi, Kosova, San Marino, Malta, Italia, Armenia si edhe Rumania. Qëllimi i këtij aktiviteti është që të ofrojë një mundësi për atletët e vendeve për të konkuruar në skenën ndërkombëtare dhe për të arritur standarde për AASSE në Maltë në datën 11 qershor të këtij viti.

Loading...
Loading...
Loading...