Loading...
Loading...

Kryetari i Partisë Demokratike Elbasan, z. Eugen Isaj, zhvilloi takimin e parë me median. Mes të tjerave ai deklaroi se PD e Elbasanit nis një fazë të re komunikimin me median dhe e ka cilësuar atë si aleate të rëndësishme për të përçuar shqetësimet e komunitetit.

Ja fjala e z. Isaj:

Të nderuar përfaqësues të medies,

Ju falënderoj për prezencën në daljen time të parë si Kryetar i Partisë Demokratike të Elbasanit. Duke filluar nga sot, marrëdhëniet institucionale mes degës së Partisë Demokratike Elbasan dhe mediave, shënojnë një stad të ri. Ne do të ndërtojmë raporte të mira bashkëpunimi duke qenë të hapur, korrekt dhe transparent me ju.

Partia Demokratike e konsideron median si një partner të rëndësishëm në informimin e komunitetit. Qëllimi ynë është që, me anë të saj, të përçojmë me vërtetësi dhe objektivitet realitetin. Për ne media nuk është një “kazan”, por vlerë dhe armë e fuqishme në duart e qytetarëve.

Desha të ndalem në fazën aktuale që po kalon Partia Demokratike në tërësi dhe në Elbasan në veçanti. Siç edhe e dini, në të gjithë vendin u zhvilluan kuvendet e degëve për të zgjedhur kryetarët e rinj.

Në Elbasan procesi ka qenë i hapur dhe transparent i karakterizuar nga diskutime dhe debate që kanë pasur për qëllim forcimin e strukturave të partisë, dhënien e një hovi të ri në riorganizimin e saj. Gjithçka u bazua në formulën një anëtar një votë deri në garën përfundimtare.

E tërë procedura deri në zhvillimin e kuvendit dha mesazhe të qarta bashkëpunimi, sepse sa më të bashkuar të jenë faktorët aq më shumë rriten shanset për fitore në betejat që na presin.

Nga sot Partia Demokratike e Elbasanit, do të jetë një formacion politik i hapur për të gjithë anëtarësinë e saj, ku kontributet dhe meritokracia do të mbeten primaret.

Objektiv kryesor i punës sonë do të jetë kontakti me komunitetin. Ne do të shtrihemi në çdo cep të bashkisë Elbasan. Do bashkëbisedojmë me njerëzit në çdo rrugë, lagje, shtëpi, arë, kudo që ata ndodhen. Ne do të dëgjojmë hallet dhe problemet e tyre dhe do t’i garantojmë se, sapo të jemi në pushtet, do ti zgjidhim ato.

Së shpejti do të zgjidhen strukturat e reja. Do të ngrihen edhe stafet elektorale për fushatën zgjedhore. Ne do të ndërtojmë një formacion politik aktiv, do të shkundim strukturat nga apatia dhe indiferenca, dhe do ti hedhim në aksione konkrete.

Vetëm me punë, të bashkuar dhe me kontakte me qytetarët ne do të mund të përballemi me pushtetin e sotëm që nuk e dallon asgjë nga etërit e tyre komunistë. Vetëm duke besuar në kauzën dhe vizionin e Kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha, dhe duke mbështetur platformën e tij, ne do të mund të rrëzojmë këtë qeveri të lidhur me krimin, të korruptuar dhe që ka varfëruar si asnjëherë shqiptarët. Vetëm kështu ne do tu kthejmë shpresën njerëzve dhe do ti bëjnë ata që ta duan Shqipërinë e të mos marrin rrugët e mërgimit.

Edhe njëherë faleminderit për mbështetjen dhe urime për misionin tuaj fisnik!

 

Loading...