Loading...

 

Nga MSc. Bertina SALLIU

Veprimtaria e rilindësve shqiptarë me qëllim rizgjimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare, është një veprimtari që mbart në vetvete punën e misionarëve protestantë. Rilindësit e mbështetën punën e tyre mbi këtë veprimtari. Për këtë arsye kjo veprimtari nuk mund të shihet vetëm në aspektin shqiptar, por është e rëndësishme që të studiohet edhe në lidhje me faktorin ndërkombëtar të periudhës së Rilindjes Kombëtare. Në hapësirën shqiptare të asaj kohe erdhën shumë misionarë protestantë të dërguar nga Shoqëria Biblike Britanike, por si misionarin më të dokumentuar në studimet e deritanishme për ndërveprimin me rilindësit shqiptar, theksojmë Aleksandër Tomson (Alexander Thomson).
Kush ishte Aleksandër Tomson dhe si ra në kontakt me shqiptarët dhe gjuhën shqipe? Pse Tomsoni ndërveproi ngushtë me rilindësit shqiptarë dhe ndihmoi në zgjidhjen e çështjes shqiptare? Figura e Tomsonit përgjithësisht, nuk është shumë e njohur për audiencën e studiuesve, përveç disa studimeve të kryera nga gjuhëtari i mirënjohur, Prof. Xhevat Lloshi, i cili ka bërë një punë të shkëlqyer duke përkthyer në gjuhën shqipe korrespondencën e gjatë të misionarit. Nga të dhënat e studiuara nga letërkëmbimet e Tomsonit dhe botime të huaja, kemi arritur të gjejmë një bazë informacioni rreth jetës dhe veprimtarisë së ushtruar prej tij. Aleksandër Tomson (Alexander Thomson) lindi më 2 dhjetor 1820 në qytetin Arbroath në jugperëndim të Skocisë. Babai i tij ishte predikues i Ungjillit të Jezus Krishtit. Të dhënat historike që ne kemi gjetur rreth jetës së Tomsonit janë disi të pakta. Por ajo që dimë nga këto të dhëna është se ai ishte besimtar protestant dhe faktin se ai ka pasur një nivel të mirë arsimimi në universitetet më të mira skoceze, ku mori njohuri në lëndët themelore dhe në lëndë të karakterit profesional. Tomsoni njihej si një qytetar i nderuar dhe “bir” besnik skocez. Universitetet ku studioi cilësoheshin në atë kohë me nivelin më të lartë të edukimit në vend. Në vitet 1836-1841 Aleksandër Tomsoni ishte student në Kolegjin e Bashkuar të St Salvatorit dhe St Leonard në Edinburg. Nga regjistri biografik i Universitetit St Andrews gjejmë se në vitet 1836-1837 Tomsoni kishte katër lëndë studimi si greqishten e re, latinishten e re, matematikë dhe kimi. Në vitin 1837-1838 studioi greqisht, latinisht, logjikë, retorikë, matematikë 2 dhe histori qytetërimi. Kështu në këtë kohë, ai u pajis me njohuri të fushave të ndryshme, por siç vërehet nga këto të dhëna, mësimi i gjuhës së huaj zinte një vend të rëndësishëm. Në vitet 1838-1839 ai studioi greqisht, latinisht, etikë, matematikë 3 dhe të njëjtat lëndë bashkëngjitur fizikën dhe filozofinë e shqisave i studoi edhe në vitet 1839-1840. Në vitin e fundit të studimit 1840-1841 studioi filozofinë e shqisave. Tomsoni ishte 21 vjeç kur mbaroi studimet në Kolegjin e Bashkuar. Gjatë këtyre viteve të studimit ai kishte marrë njohuri të rëndësishme, por jo të mjaftueshme për të ardhmen që kishte përpara. . Në vitet 1840-1841 sipas regjistrit biografik të Universitetit të St Andrews gjejmë se Tomsoni ka qenë i regjistruar si student masteri në Kolegjin St Mary. Ekzistojnë regjistra të ruajtur me të dhëna që prej vitit 1413 për dhurimet e kishës dhe bursat e studimit të dhëna në këtë kohë. Nga këto lista është gjetur edhe informacioni për një bursë studimi që ka fituar misionari skocez. Në vitet 1843-1847 Tomsoni studioi në Kolegjin e Ri të Edinburgut. Kjo periudhë studimi pati një rëndësi shumë të madhe për Tomsonin ku krahas njohurive intelektuale ai u pajis në këtë kolegj më njohuritë fetare që ndikuan drejtpërdrejtë në formimin e tij personal.

Kolegji i Bashkuar i St Salvatorit dhe St Leonard ku studioi Aleksandër Tomson (Edinburg)

Një ndihmë e madhe për Tomsonin gjatë studimit në këtë Kolegj ishte mentorimi që mori nga dy profesorë dhe gjuhëtarë të shquar të kohës, Alexander Black dhe John Duncan. Përveç se ishin linguistë ata ishin edhe njohës shumë të mirë të Shkrimit të Shenjtë. Alexander Black ishte një njohës i nëntëmbëdhjetë gjuhëve të huaja në formën bisedore dhe njohës i mirë në shkrimin e dymbëdhjetë prej këtyre gjuhëve. Black ishte mësues i Dhiatës së Re në Kolegjin e Ri të Edinburgut, ndërsa Duncan ishte mësues i Dhiatës së Vjetër dhe hebraishtes. Gjithashtu, John Duncan ishte një njohës i mirë i gjuhëve të vjetra dhe semitik. Në këtë mënyrë vërejmë një të përbashkët mes tyre dhe Tomsonit, i cili kishte mësuar prej tyre. Ai kishte filluar të studionte gjuhë të huaja që në fazat e hershme të edukimit të tij dhe mesa duket takimi me Black dhe Duncan e përforcoi më tej këtë fakt. Kështu, kemi të dokumentuar sot se Tomsoni nën shembullin e mentorëve të tij njihte rreth nëntë gjuhë të huaja si greqisht, latinisht, hebraisht, turqisht, gjermanisht, frëngjisht, shqip, yiddish përfshirë edhe anglishten që ishte gjuha amtare e tij. Këtë fakt e mbështet edhe ekzistenca e korrespondencës së tij ku mund të gjejmë letra në shumë prej gjuhëve të lartpërmendura. Psh. Letra të tij në anglisht, frëngjisht, greqisht ruhen sot në arkivin e Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante (ISSHP). Në vitin 1860, Tomson u emërua agjent i Shoqërisë Biblike Britanike (BFBS) për Perandorinë Osmane. Theksojmë se para tij kishte qenë agjent i Shoqërisë Biblike Britanike për Perandorinë Osmane, Benjamin Barker në periudhën 1820-1859. E veçanta e Tomsonit, ishte se ndryshe nga paraardhësit e tij dhe misionarët e tjerë, ai shfaqi një simpati dhe tërheqje të veçantë për të ndihmuar popullin shqiptar. Nuk mund të themi me saktësi detaje rreth rënies fillestare të Tomsonit në kontakt me shqiptarët, por dimë që kombi shqiptar ishte nën kujdesin e BFBS që në vitin 1817 me krijimin e degëve të saj të para në Mesdhe. Madje, në Stamboll kishte një numër të madh shqiptarësh në këtë kohë që ishin shpërngulur nga trevat shqiptare për të jetuar në kryeqytetin e Perandorisë Osmane. Kjo mund të ketë qenë një tjetër ndihmë e kontaktit të misionarit me popullsinë shqiptare. Pra Tomsoni nuk ishte i pari që interesohej për shqiptarët, por ky interes i tij shkoi përtej, duke dhënë si rezultat ndërveprimin e ngushtë me rilindësit shqiptarë. Ai kishte lexuar raportet e paraardhësit të tij Barker, ku flitej për shqiptarët. Kontakti fizik me territorin shqiptar, krahas informacioneve që kishte lexuar nga paraardhësi i tij, ishte me udhëtimin e parë që ndërmori në vitin 1863. Kjo do ta shtynte atë që të ndërmerrte disa udhëtime të tjera në vitin 1867 dhe 1872 ku tashmë po njihte shumë prej traditave dhe zakoneve të shqiptarëve. Si i emëruar nga BFBS në këtë pozicion drejtimi dhe mbikqyrjeje, ai mbarte edhe qëllimin që kishte kjo Shoqëri: Bibla për të gjithë botën që nënkuptonte përkthimin e Biblës në gjuhën e çdo kombi. Ky ishte një objektiv i Tomsonit i shoqëruar me Ungjillin e Jezus Krishtit që të bëhej i njohur nga të gjithë popujt. Por ajo që duhet theksuar është se Tomsoni u përfshi në një fushë shumë të rëndësishme dhe mjaft thelbësore që është edhe një ndër karakteristikat e një kombi: gjuha dhe alfabeti. Pra ai do ta shihte gjuhën, alfabetin dhe botimet e librave shqip si një mjet i domosdoshëm për të përhapur Ungjillin e Jezus Krishtit mes shqiptarëve.

Aleksandër Tomson

Ardhja e Tomsonit në këtë zonë gjeografike sidomos me fokusin tek shqiptarët u pa si një veprim mjaft pozitiv pasi gjeti një mbështetje të madhe edhe nga vetë rilindësit shqiptarë që në atë kohë (1863-1899) po zhvillonin një veprimtari kulturore mjaft pozitive. Në këto kushte në të cilat gjendej hapësira shqiptare, pra në kryengritje mes shqiptarëve dhe sunduesve osmanë, mungesë të lirisë për të pasur një gjuhë dhe një alfabet, mungesë të shkollave në gjuhën shqipe, Tomsoni gjeti mbështetje tek shqiptarët, u përkrah nga ata, shumë prej të cilëve e përqafuan vizionin e tij për kombin shqiptar. Ky ndërveprim është i dokumentuar përmes letërkëmbimeve që kemi gjetur dhe studiuar. Tomsoni pati letërkëmbime të shumta me Kostandin Kristoforidhin, Gjerasim Qiriazin, Gjergj Qiriazin, Dhimitër Kamardën, Jani Vreton, Thimi Mitkon, etj, nëpërmjet të cilave kuptojmë marrëdhënien e tyre. Ky ndërveprim i Tomsonit me rilindësit nuk ishte vetëm kulturor siç ka tendencën të interpretohet në studimet shkencore. Ndërveprimi mes tyre fillimisht ka në themel arsyet fetare, pasi kur ai i përzgjidhte punonjësit e BFBS në bashkëpunim me Komitetin e Londrës, informohej gjerësisht për besimin fetar që kishte kandidati për tu bërë punonjës dhe më pas për dëshirën e tij për të ndihmuar në rizgjimin e kombit shqiptar. Tomsoni ka ndërvepruar edhe me Naim Frashërin dhe ka zhvilluar disa takime me të. Shumë prej letërkëmbimeve që Tomsoni i dërgon rilindësve të tjerë dhe BFBS e pohojnë dhe mbështesin këtë fakt. Nuk kemi gjetur një letërkëmbim të shkëmbyer mes tyre konkret, por mund të themi me siguri se letërkëmbime të tilla ekzistojnë pasi Tomsoni ishte njeri i letrave që çdo gjë që ai dërgonte ose merrte, e dokumentonte në mënyrë të përmbledhur në ditarin e tij. Për më tepër letërkëmbimet e shkëmbyera me punonjës të tjerë të BFBS na e përmendin këtë fakt interesant. Kontributi i Tomsonit përmblidhet në këto fjalë: Ungjilli, libri shqip, alfabeti dhe shkollat shqipe. Për këtë shkak themi se nuk mund të ndahet veprimtaria e rilindësve nga ajo e misionarit në fjalë. Tomsoni u interesua në botimin e Biblës shqip dhe me anë të bashkëpunimit të tij me rilindësit arriti që të botonte Biblën në të dy dialektet. Një tjetër ëndërr e tij ishte që shqiptarët të mësonin gjuhën shqipe në shkolla dhe të kishin alfabetin e tyre. Për këtë aspiratë ai punoi dhe e transmetoi tek Gjerasim Qiriazi dhe Sevasti Qiriazi të cilët e përfunduan me sukses. Përsa i përket alfabetit, edhe kjo çështje u bë realitet nëpërmjet punës që bëri duke investuar tek Gjergj Qiriazi, i cili hodhi në praktikë idenë për një kuvend për shkronjat shqipe dhe ishte zëvëndëskryetar i Kongresit të Manastirit më 1908. Një aspiratë tjetër ishte emancipimi i grave shqiptare dhe përfshirja e tyre në jetën e përditshme dhe politike. Këtë vizion të tij e përqafoi Sevasti Qiriazi që bashkë me Gjerasimin hapën Shkollën e Parë për Vashat në gjuhën shqipe. Nga gjithë kjo veprimtari që kreu, Tomsoni ishte si një arkitekt i Rilindjes Kombëtare që punoi përkrah me rilindësit sikur të ishte atdheu i tij.

Bibliografia
Arkivi i Institutit Për Studime Shqiptare dhe Protestante (Tiranë)
Fondi “Albanian Evangelical Mission,” Fondi “Edwin Jacques.”
Letërkëmbime të Tomsonit me rilindësit shqiptarë:

ATCO. Thomson to Christophorides, 1 August 1873, Constantinople.
ATCO. Thomson to George Kyrias, 17 August 1891, Constantinople.
ATCO. Thomson to Gerasim Kyrias, 28 tetor 1891, Constantinople.
ATCO. Thomson to Sevasti Kyrias, 3 January 1894, Constantinople.
Monografi:
Bonar, Andrew .A & Murray M’Cheyne, Robert. Narrative of a Mission of Inquiry to the Jews from The Church of Scotland in 1839. Philadelphia: Presbyterian Board of Publication, 1845.
Brown, David. Life of the Late John Duncan, Professor of Hebrew and Oriental Languages. Edinburgh: Edmonston and Douglas, 1872.
Cheyne, AC. The Spirit of New College 1846-1996. New College: Edinburgh, July 1996.
Lloshi, Xhevat, Quanrud, John & Hosaflook, David. Thesaret për gjuhën shqipe të Shoqërisë Biblike 1815-1883. Tiranë: Vernon publishing, 2017.

Loading...
Loading...
Loading...