Loading...
Loading...

 

Nga David Brooks

Ka gjithmonë një grumbull trupash në vendngjarjet e masakrave. Pavarësisht nëse ndodh në një sinagogë, kishë, klub nate apo shkollë, ekziston gjithnjë një apo më shumë armë, me të cilat është kryer sulmi. Ka gjithmonë të mbijetuar që ngushëllojnë njëri-tjetrin, duke qarë në grupe të vogla jashtë vendit të ngjarjes. Dhe është përherë dikush tjetër.

Një njeri i vetmuar. Ekziston gjithmonë një djalë, i “rrëzuar” nëpër të çarat e shoqërisë, që ka pasur një jetë të vetmuar dhe zhgënyese, dhe që një ditë vendosi të përpiqet të hedhë një hap të përgjakshëm, nga mungesa e ndonjë domethënie, deri tek fama. Gjithmonë ka një djalë si sulmuesi i sinagogës së Pitsburgut, Robert Bauer, që sipas raportimeve të “Neë York Times” nuk kishte asnjë shok në shkollën e mesme, dhe ishte një “fantazmë” e vetmuar, që i kalonte mbrëmjet ulur në makinën e tij duke pirë duhan, duke dëgjuar radio, dhe duke jetuar siç e përshkroi një i njohuri i tij “në botën e tij të vogël”.

Djem të tillë, tërhiqen nga ideologjitë ekstremiste, të cilat i shpjegojnë zhgënjimet e tyre, dhe u japin atyre një ndjenjë përkatësie. Djem të tillë, e bindin veten se duke masakruar të pafajshmit, ata janë duke shërbyer si luftëtarë të ndonjë kauze të drejtë.

Vrasje të tilla masive bëhen për shumë gjëra – armë, demagogji, etj. – por ato kryhen gjithashtu edhe për izolimin social, dhe përhapjen e çrregullimeve mendore tek amerikanët. Vrasjet në masë, janë vetëm një manifestim i faktit se miliona amerikanë e gjejnë veten të izoluar dhe të vetmuar.

Por ka edhe shfaqje të tjera të kësaj izolimi, të cilat përfshijnë shumë më tepër vrasje. Epidemia e vetëvrasjes, është një prej tyre. Shkalla e vetëvrasjeve po bie në Evropë. Por ajo është rritur me 30 përqind në Shtetet e Bashkuara, që nga fillimi i këtij shekulli. Shkalla e vetëvrasjeve në mesin e amerikanëve midis 10-17 vjeç, u rrit me më shumë se 70 për qind midis viteve 2006 dhe 2016 – sigurisht një nga aspektet më tronditëse të Amerikës së sotme.

Çdo vit gati 45.000 amerikanë i përgjigjen izolimit dhe dëshpërimit, duke i dhënë fund jetës së tyre. Çdo vit, 60.000 amerikanë të tjerë vdesin nga varësia e drogës. Afro dy herë më shumë amerikanë vdesin çdo vit nga këto dy sëmundje, sesa u vranë gjatë gjithë Luftës së Vietnamit.

Nivelet në rritje të depresionit dhe problemeve të shëndetit mendor, nxisin edhe një manifestim tjetër.

Njerëzit janë mësuar të thonë se depresioni dhe sfidat e tjera të shëndetit mendor, kanë kryesisht lidhje me mungesën e balancës së elementëve kimikë në tru. Por, siç thotë Johan Hari në librin e tij “Lidhjet e humbura”, problemet e shëndetit mendor kanë më shumë lidhje me telashet në jetën e dikujt sesa me neurokiminë e tij.

Ato janë të lidhura me vetminë e zgjatur, humbjes e një pune kuptimplote, ndjenjës së presionit dhe theksimit të mungesës së komunitetit. “Vetmia e zgjatur, bën që të mbylleni në aspektin sociale, dhe të jeni më dyshues ndaj çdo lloj kontakti shoqëror. Ju bëheni hiper-vigjilentë. Filloni të ndiheni të prekur nga gjërat më të parëndësishme, dhe të keni frikë nga të huajt. Filloni të keni frikë nga ajo që ju nevojitet më shumë”.

Kjo tingëllon si një përmbledhje shumë e mirë e politikës amerikane në vitin 2018. Unë vazhdoj t’i rikthehem kësaj teme, pasi lufta kryesore e ditës është sociologjike dhe psikologjike, dhe jo ideologjike apo ekonomike. Shtresa e substratit të shoqërisë amerikane – rrjeti i marrëdhënieve dhe lidhja dhe besimi që mbështetet gjithçka tjetër – është duke u shembur.

Dhe rezultatet janë po aq të përgjakshme sa çdo luftë. Ndoshta ka ardhur koha të fillojmë ta shohim këtë si një luftë. Në njërën anë janë forcat që mbjellin ndarje, grindje dhe izolim. Në anën tjetër, të gjitha ato forca në shoqëri që ushqejnë lidhjen, lidhjen dhe solidaritetin.

Duket sikur ne po përjetojmë një përballje të madhe mes “shqyesve” dhe “endësve”.

Dhe këtu është pjesa e vështirë e luftës:Nuk është midis një grupi njerëzish të mirë, dhe një grupimi njerëzish të këqij. Lufta zhvillohet në mesin e çdo zemre njerëzore. Shumica prej nesh, janë pjesë e problemit për të cilin ankohemi.

Shumica prej nesh, e ka përvetësuar individualizmin radikal, që siç e parashikoi Tokëvili, i lë shumë pak kohë për komunitetin. Shumica prej nesh jetojnë në media që na izolojnë dhe “flluska” shoqërore, që na sigurojnë afirmime të ngjashme me Pravda-n e dikurshme sovjetike, mbi epërsinë tonë morale.

Shumica prej nesh janë të fiksuar pas një kodi privatësie, që na bën të mos njohim dot fqinjët tanë. Lajmi i mirë, është se shumica prej nesh janë pjesë e zgjidhjes. Shumica prej nesh admirojmë dhe dëshirojmë të jemi mësuesit, që shkojmë tek ai djali i vetmuar.

Shumica prej nesh, këshillojnë dhe u shërbejnë njerëzve që janë ndryshe nga vetja jonë. Shumica prej nesh, janë pjesë e familjeve të zgjedhura që amerikanët po ndërtojnë, për të zëvendësuar familjet biologjike të shkatërruara. Është më e lehtë të shkatërrosh besimin sesa ta ndërtosh atë, prandaj shkatërruesit e kanë një avantazh.

Por ka shumë më tepër “endës”, njerëz që dëshirojnë të jetojnë në marrëdhënie normale dhe në komunitete të besuara. Këta kanë nevojë vetëm për atë që ka nevojë çdo palë në një luftë: trajnim, kështu që ne e dimë se si ta bëjmë atë: strategji, në mënyrë që të dimë se si ta fitojmë atë; dhe një thirrje nën armë, që të dimë se përse jemi aty.

Shënim: David Brooks, është një kolumnist i gazetës që nga viti 2003. Ai është autori i librit “Rruga drejt karakterit”, dhe i librit të ardhshëm “Jeta e përkushtuar:Kur e lini veten pas dore”

Burimi: “The New York Times”/ bota.al

Loading...