Loading...

Ornela Manani – Kreu i Agjencisë së Kadastrës, Artan Lame dhe një nga juristet e këtij institucioni kanë shpjeguar për qytetarët rrugën që duhet të ndjekin për regjistrimin e pronave, shtëpive apo tokave të fituara me ligjin 7501 si dhe mënyrën se si zgjidhen rastet e mbivendosjes. Artan Lame u ka bërë thirrje qytetarëve që për çdo problem që kanë me pronën të bëjnë kërkesë me shkrim, se vetëm në këtë rast procedura do të ndiqet nga punonjësit e Kadastrës dhe do të marrin përgjigje përsëri me shkrim. Gjithashtu, Lame u ka bërë apel të gjithë banorëve që jetojnë në pallate të palegalizuara, që janë lënë në mëshirë të fatit nga ndërtuesi të bëhen bashkë për të legalizuar banesat. Kreu i Agjencisë së Kadastrës iu përgjigjet pyetjeve të qytetarëve në një komunikim të drejtpërdrejtë në “Facebook” dhe kjo praktikë do të ndiqet çdo të enjte, ku specialist të Agjencisë së Kadastrës do t’u japin përgjigje pyetjeve të qytetarëve.

Si regjistrohet trualli i marrë me legalizim, kur nuk je në truallin tënd, por në tokën e një të treti?
Duhet të bëhet një aplikim pranë drejtorisë vendore ose ADISË-s për të aplikuar për regjistrim dhe punonjësit do bëjnë praktikën. Për rastet kur toka është shitur nga pronari, do të bëhet ndryshimi i VKM-së, sepse nuk mund të bëhet regjistrimi i lejes së legalizimit për shkak të transaksionit. Pra, personi duhet të bëjë kërkesën dhe të gjithë punën e bën drejtoria vendore që e mbulon, e cila përgatit dosjen dhe e përfundon atë.

Për rastet që nuk regjistrojnë pronën me vendimin e kthimit të pronave kur harta që e shoqëron ka probleme?
Nuk u lejohet punonjësve të thonë ka problem dhe kaq. Duhet të kthejnë një përgjigje nga zyrat e Kadastrës për problemet që ka dhe mënyrën se si zgjidhet. Në këtë rast duhet një korrespodencë me ATP dhe akordohet. Drejtoria do të vendosë korrespondencën dhe do të ndjekë të gjithë procedurën për regjistrim. Qytetari duhet të shkojë në zyra të bëjë aplikimin dhe të verë në lëvizje mekanizimin. Çdo qytetar duhet ta paraqesë problemin me shkrim dhe përgjigja do të jetë me shkrim detyruese.

Për rastet kur nuk japin dokument të rifreskuar për tokën bujqësore, sepse më thonë se prona jua nuk ka hartë. Më parë kam marrë dokument, si të veprojmë për të rimarrë dokumentin?
Për rastet që jeni pajisur me certifikatë pronësie, në atë rast duhet të ishit pajisur edhe më hartë. Në rastin kur nuk jeni pajisur me hartë për tokat bujqësore, për të zgjidhur këto probleme është miratuar një VKM për tokat e përfituara me ligjin 7501, unë ju sugjeroj të aplikoni për hartën dhe në rast se do të ketë problem, do të merrni kontakt me njësitë e qeverisjes vendore.

Si veprohet në rastet që kanë dy tituj pronësie?
Nëse ju keni mbivendosje, kur kemi dy tituj pronësie, i pari me leje ndërtimi të para 1991 dhe i dyti me një titull tjetër, që është ai i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në këtë situatë drejtoria vendore nuk mund të operojë me regjistrimin e pronës. Për këtë arsye në momentin e aplikimit, i cili duhet të kryhet patjetër për të bërë trajtimin e praktikës duhet të sqaroni të gjithë procedurën që keni ndjekur. Komisioni i Kthimit të Pronave nuk duhet ta kishte bërë këtë, pasi duhet të kishte verifikuar statusin juridik të pasurisë. Nëse ju keni mbivendosje të pjesshme, nuk bëhet bllokimi i gjithë pasurisë, por vetëm i pjesës që ka mbivendosje duhet t’i drejtoheni gjykatës.
Apartamentet që nuk janë legalizuar dhe pronari është larguar. Cila është mënyra që duhet të ndjekin qytetarët.
Bëhuni bashkë. Kur i thua këtë, thonë ‘ne nuk bëhemi bashkë për të paguar ashensorin, si do bëhemi bashkë për këtë?’. Kur nuk bëheni bashkë, ju do vij unë t’ju bëj bashkë te pallati juaj?! Jo, nuk ju bëjmë dot bashkë. Bashkia ka ndihmuar në këtë proces, po mundohet të vendosë sistemin e administratorit. Përdorni administratorin, nëse kemi një arkitekt apo një jurist, përdoreni atë që të vijë tek ne në emër të pallatit për të filluar për të plotësuar dokumentacionin. Është e kot të vini veç e veç, nuk bëhet një pallat pa u bërë të gjithë banorët bashkë dhe pa zgjedhur një përfaqësi. Duhet të vijë një përfaqësues në emër të të gjithë pallatit. Nuk legalizohet dot një apartament në një pallat. Regjistrohet pallati dhe pasi legalizohet dhe regjistrohet pallati në emër të Kadastrës ose në emër të ndërtuesit dhe më pas me secilin prej qytetarit, bëhet dokumentacioni për t’ia kaluar pronësinë. Bëhuni bashkë dhe zgjidhni një përfaqësues. Mblidhuni një pasdite siç na mblodhi tërmeti dhe dolëm nga pallati dhe njohëm njëri-tjetrin, mos presim tërmetin tjetër për t’u njohur, por dilni atje dhe bëhuni bashkë. Sillni një përfaqësues të merret vesh me institucionin.

Loading...
Loading...
Loading...