Loading...

Një 31-vjeçare nga Mamurrasi, nënë e 4 fëmijëve ka treguar dhunën e ushtruar prej vitesh nga bashkëshorti i saj. Ajo ka rrëfyer për emisionin “Me zemër të hapur” se është martuar me mblesëri 13 vite më parë dhe shkesi ishte kunati. Gruaja ka thënë se është konfliktuar disa herë me bashkëshortin dhe gjërat kanë shkuar deri në dhunë, ku ka rrezikuar edhe etën. Ajo shprehet se ka mbledhur lule në mal, me paratë e të cilave ka ndërtuar edhe shtëpinë.

Gruaja thotë:

Unë mblidhja lule në mal, ai flinte gjumë. Në darkë nuk vinte në shtëpi, lekët që fitoja i shpenzonte për vete. Unë punoja, kam marrë edhe kredi, me ato të ardhura ndërtova tre dhoma. E braktisa atë banesë që e ndërtova me të ardhurat e mia, se jemi në një oborr, ndihem e përbuzur, se e denoncova.
Katër vjet më parë 31-vjeçarja gjeti guximin dhe e denoncoi bashkëshortin. Gjykata e dënoi këtë të fundit me 8 muaj burg, ndërsa gruas i dha urdhër mbrojtjeje. Për shkak të problemeve ekonomike, ajo është detyruar të rikthehet sërish me bashkëshortin. Nuk kaloi shumë kohë dhe ajo u përball sërish me dhunë, por kësaj here pre e saj u bën dhe fëmijët, madje edhe djali i vogël 3 vjeç. Për këtë arsye ajo u detyrua ta denonconte dhe tashmë ai është pas hekurave.

Ajo shprehet:

Djali linte shkollën e vinte me mua, e detyronte ai, për të mbledhur lule në mal. Si mund të punonte ai, vetëm 11 vjeç, e babai të flinte. Më dhunonte në sy të fëmijëve të vegjël, vajza e vogël e kujton edhe sot, ishte i dhunshëm edhe me fëmijët. Edhe më të voglin, tre vjeç e ka dhunuar. Dhunonte se nuk kishte lekë për të dalë, dhe nevrikosej. Durova në fillim se nuk doja të prishja familjen. Duroja dhunën që fëmijët mos rriteshin pa baba.
Më tej ajo shton se gjërat shkuan deri në ekstrem, ku burri i saj mbante armë poshtë jastëkut. Megjithatë ajo është detyruar të durojë, për shkak të turpit. Bashkëshortja madje i thoshte se po të donte mund të rrinte si shërbëtore, ndërsa mund të largohej pa problem.

Gruaja shton:

Herën e fundit më kërcënoi edhe me armë, e përjetonin edhe fëmijët, e mbante poshtë jastëkut. Familja prej turpit më thoshte të duroja, iu kam thënë disa herë që ka edhe armë. Por nga turpi duhet të duroja, në fshat ndryshon gjithçka, gruaja duhet t’i nënshtrohet burrit për gjithçka. Më thonin se duhet të qëndroja, më thonin ‘duroje se burri të rreh’ iu vinte turp që të ndahesha.
Gruaja ka nisur procesin e divorcit, por ndihet e kërcënuar, pasi ka frikë të përballet me bashkëshortin kur ai të dalë prej burgu. Ajo gjithashtu e ka të pamundur të rrisë e vetme fëmijët e saj dhe bën apel për ndihmë.

Loading...
Loading...
Loading...