Loading...

Ulja e dënimit për Dajtin, Gjonaj-Lleshaj: Skandal! KLGJ-ja të procedojë gjyqtarët që meritojnë të jenë pas hekurave
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj e cilësoi vendimin si skandaloz, që rrezikon të kthehet në një precedent të rrezikshëm. Ajo njoftoi se do i drejtohet Këshillit të Lartë Gjyqësor për procedimin e trupës së gjyqtarëve që dha vendimin. Për Gjonajn vendimi është një aferë korruptive nga segmente të drejtësisë, ku ende nuk ka arritur vettingu.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka reaguar pas vendimit të gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda që shpëtoi Dritan Dajtin nga burgu i përjetshëm, pasi pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar duke e dënuar përfundimisht me 25 vite burg. Gjonaj e cilësoi vendimin si skandaloz, që rrezikon të kthehet në një precedent të rrezikshëm për drejtësinë shqiptare. Ajo njoftoi se do i drejtohet Këshillit të Lartë Gjyqësor për procedimin e trupës së gjyqtarëve që dha vendimin. Për Gjonajn vendimi është një aferë korruptive nga segmente të drejtësisë, ku ende nuk ka arritur vettingu.

“Një rast shokues, i paprecedent. Vendimi për të pranuar gjykimin e shkurtuar dhe uljen e dënimit me 25 vite për një të pandehur që akuzohet për vrasjen e katër policëve, tregon qartë se kemi të bëjmë me një aferë korruptive dhe në kundërshtim me kodin penal. Prej 48 orëve kemi punuar për të adresuar një skandal të papranueshëm, të përmasave të pa tolerueshme, që dhanë vendimin në kundërshtim me ligjin. Ky është një lajm i shëmtuar nga segmente të drejtësisë, ku ende nuk ka arritur vettingu. Nuk pajtohemi me rastin, gjyqtarët meritojnë vetëm përbuzje. Vendimi rrezikon që të krijojë një precedent të rrezikshëm.

Qeveria nuk synon vendosjen e kontrollit mbi drejtësinë, por në raste të tilla papërgjegjshmërie nuk mund të rrijë pa reaguar në të gjitha format ligjore. Kjo drejtësi në reformim e sipër, na vendos të gjithëve në një pozitë të vështirë. Vetëm përfundimi i zbatimit të reformës në drejtësi dhe pastrimi nga ata që ulën dënimin për vrasësin e katër policëve është rruga për të ndaluar këto vendime të paligjshme. Ministria e Drejtësisë do i drejtohet KLGJ-së për procedimin disiplinor të gjyqtarëve për këtë rast të paprecedent. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe ONM-ja jo vetëm te pasuria, por të fokusohen në elementë të tillë, ku cdo gjyqtar dhe prokuror me vendimet e tyre kanë mundësuar që grupet kriminale ti shpëtojë forcës së ligjit. Mbështes prokurorinë në ankimimin në gjykatën e Lartë që parregullsitë në apel të rivendosen në vend” tha Gjonaj.

Për vendimin e Gjykatës së Apelit, reagoi ashpër edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. ‘Gjyqtarët meritojnë të bashkohen pas hekurave me klientët e tyre. Operacioni Forca e Ligjit është vendosur në veprim për të adresuar atentatin që i është bërë drejtësisë. Nuk mund dhe nuk do të ketë paqe në shpirtin e policisë derisa ky vendim të zhbëhet nga Gjykata e Lartë dhe autorët e këtij akti të pa shembull të përballen me ligjin. Persona me profil të lartë kriminal, shumica janë pas hekurave. Mostrat politike përpiqen ti kthejnë në armë kundër qeverisë këto vendime. I siguroj familjarët se përgjigja e institucioneve do të jetë e fortë dhe ligjore”.

Dy ditë më parë Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit, i provuar si fajtor për vrasjen e katër efektivëve të policisë në vitin 2009 pranë plazhit “Iliria” në Durrës. Pak kohë më parë ishte Gjykata e Lartë që ktheu dosjen për rigjykim në Apel për shkelje procedurale. Gjykata e shkallës së parë për Krimet e Rënda e kishte dënuar Dritan Dajtin në vitin 2014 me 4 dënime përjetë pas 276 seancave. Por me vendimin e Apelit, ku është pranuar kërkesa për gjykim të shkurtuar, dënimi i përjetshëm bie dhe Dajti dënohet përfundimisht me 25 vite burg (lexo ketu).

Emrat e pesë gjyqtarëve që vendosën të dënojnë me 25 vite burgim Dritan Dajtin, duke prishur kështu vendimin me burgim të përjetshëm të dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë janë; Kryetar i trupit gjykues Fuat Vjerdha, kryetar i Gjykatës së Apelit në Shkodër, dy anëtarët Lindita Hoxha dhe Aleks Nikolli, janë gjyqtarë në Gjykatën e Apelit Shkodër. Pesëshja e gjyqtarëve plotësohej dhe me dy gjyqtarë të tjerë Petrit Aliaj dhe Skënder Damini, të cilët janë gjyqtarë të Apelit në Vlorë (Lexo të plotë). Vendimi për Dritan Dajtin solli reagime të shumta, sidomos nga politika, ndërsa prokuroria ka njoftuar se do të bëjë rekurs në gjykatën e Lartë.Shqiptarja.com

Loading...
Loading...
Loading...