Loading...

Elbasanit i duhet një mrekulli në ndeshjen e fundit ndaj Turbinës në “Elbasan Arena” për të siguruar qëndrimin në Kategorinë e Parë. Fitorja e cërrikasve këtë fundjavë në fushën e tyre ndaj Tomorit në shifrat e thella 4 me 1, i jep mundëisnë që përballë verdhebluve në sfidën e fundit të vijnë me luksin për të mos humbur me më shumë se tri gola. Megjithatë, edhe pse elbasanasit ishin pushim këtë fundjavë, kanë siguruar “play-off” pas ndalesës së Tomorit, me këta të fundit që bien në Kategorinë e Dytë.

Verdiktet e skuadrës që ia del të mbijetojë pa nevojën e një ndeshjeje shtesë do të jepen në 90-të minutat e fundit në derbin midis Elbasanit dhe Turbinës. Cërrikasit janë në kuotën e 19 pikëve ndërsa elbasanasit me 16 të tilla dhe një fitore e skuadrës që drejtohet nga Marsid Dushku do të barazonte me pikë të dyja ekipet.

Por, cila prej tyre qëndron dhe cila shkon në “play-off” nëse do të kemi barazim pikësh? Në bazë të rregullores, kur skuadrat janë me pikë të barabarta, merren pikët në përballjet e tyre direkte për të përcaktuar skuadrën fituese. Deri më tani Elbasani dhe Turbina janë përballur tri herë me njëra-tjetrën, ku dy fitore i përkasin cërrikasve dhe një elbasanasve, me bilancin që është në favor të ekipit që drejtohet nga Sinan Bardhi. Këtyre të fundit u mjafton një barazim ose një humbje me jo më shumë se dy gola diferencë për të mbijetuar në mënyrë direkte.

Shanset më të mëdha i kanë sigurisht cërrikasit, të cilët vijnë në ndeshjen e fundit edhe pas pesë fitoresh radhazi. Gjithsesi, me “play-off” të siguruar, verdheblutë nuk kanë më asgjë për të humbur në ndeshjen e fundit, ndaj do të luajnë për të fituar me mbi tre gola ndaj Turbinës. Një mision shumë i vështirë për t’u finalizuar me sukses, por jo i pamundur, pasi në futboll mund të ndodhë gjithçka.Elbasaninews

Loading...
Loading...
Loading...