Loading...

Avokati Kieran Both sqaron çështje të emigracionit në SHBA.

Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara (USCIS) shpalli një rregull përfundimtar i cili parashtron mënyrën sesi Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) do të vendosë se kush duhet lejuar të hyjë në Shtetet e Bashkuara dhe kush jo bazuar kjo në gjasat që një person të mund të kthehet në një barrë publike. Sipas këtij rregulli, jo-emigrantët që kanë marrë përfitime (benefite) publike të cilat kalojnë një kufi të caktuar nuk kualifikohen më për shtyrje të qendrimit apo për ndryshim të statusit.

Mos merrni benefite publike nëse doni green card. Nëse keni marrë në të kaluarën, merruni seriozisht me gjetjen e një dokumenti që vërteton që gjëndja juaj financiare është përmirësuar në atë pikë sa nuk keni më nevojë për përfitime publike.

(Avokati Kieran Both në foto)

ImageSipas Ligjeve të Emigracionit (INA), një personi mund të mos i lejohet të futet në Shtetet e Bashkuara ose mund të mos i jepet statusi i residentit të përhershëm (green card-a) nëse personi në fjalë “ka të ngjarë që në çdo kohë të kthehet në një barrë publike”. Një person që është lejuar të futet [në Shtetet e Bashkuara] mund të bëhet gjithashtu subjekt largimi nga Shtetet e Bashkuara vendim ky i bazuar në një arsye tjetër deportimi të parashikuar nga rregulli i sipërpërmendur i barrës publike; kjo arsye përdoret rrallë. Kategori të caktuara personash siç janë refugjatët dhe azilantët, për momentin janë përjashtuar nga zbatimi i rregullit të barrës publike.

DHS-ja dhe Departamenti i Shtetit (DOS) mbajnë përgjegjësinë kryesore për vënien në jetë të dispozitave të rregullit të barrës publike të parashikuara nga INA. USCIS-i mund të vendosë lidhur me një çështje të barrës publike në momentin kur një person bën kërkesë për green card. Jashtë vendit, punonjësit konsullorë të Departamentit të Shtetit mund të marrin vendim lidhur me çështjen e barrës publike nëse personi bën kërkesë për vizë.

Megjithëse INA nuk e përkufizon qartë termin “barrë publikë”, që prej vitit 1999, sipas dokumentave udhëzues ky term nënkupton një individ që është ose ka të ngjarë të bëhet dikush që “është kryesisht në varësi” të “ndihmës publike në të holla si mjet sigurimi të të ardhurave” ose “nën kujdesin afatgjatë të një institucioni të specializuar, me shpenzimet e qeverisë”. Rregulli i ri përpiqet ta ngushtojë edhe më tej këtë përkufizim.

Rregulli i barrës publike i pengon emigrantët të marrin green card (residencën e përhershme) dhe të rrinë pranë familjeve në Shtetet e Bashkuara, thjesht për arsyen që në një periudhë në të kaluarën, kanë marrë ndihmë mjekësore bazë, ndihmë ushqimore ose ndonjë shërbim tjetër me rëndësi jetike. Miliona emigrantë të ditëve tona që aspirojnë për status, që nuk kanë bërë asgjë të keqe dhe thjesht kanë ndjekur rregullat, mund të ndahen nga familjet e tyre dhe të mos lejohen të ndjekin ëndrrën amerikane.

Sipas DHS-së, në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të barra publike ka qenë një ndër arsyet më të zakonshme për t’i refuzuar dikujt hyrjen në Shtetet e Bashkuara. DHS-ja pohon gjithashtu që rregulli i barrës publike do të shërbejë si shtysë për pavarësi ekonomike të emigrantëve si dhe për mbrojtjen e burimeve ekonomike duke garantuar kështu që këta emigrantë nuk ka të ngjarë të kthehen në barrë për taksapaguesin amerikan.

Kriteret e Përcaktuara nga Rregulli i Barrës Publike

DHS vendos nëse një emigrant kualifikohet ose jo për t’u futur në Shtetet e Bashkuara bazuar në gjasat që ai ose ajo mund të kthehen në çdo moment në barrë publike. Sipas vendimit përfundimtar, me barrë publike nënkuptohet një i huaj që merr një ose më shumë përfitime të caktuara publike për më shumë se 12 muaj, në total, brenda një periudhe 36 mujore.

Përfitimet e Caktuara Publike

Sipas përkufizimit që ofron rregulli më lart, në termin “përfitim publik” përfshihen përfitimet në të holla si mjet për sigurimin e të ardhurave, e ardhura shtesë në të holla për të moshuarit dhe të paaftët (SSI), ndihma e përkohshme për familjet në nevojë (TANF), programi për ndihmë me ushqime (SNAP), shumica e formave të tjera të ndihmës si Medicaid, Seksioni 8 i ndihmës për strehim, Seksioni 8 i ndihmës për qiranë e banimit në ndërtesat për të varfrit si dhe strehimi publik i subvencionuar nga qeveria. Në vendimin përfundimtar përfshihet një listë e plotë e përfitimeve publike që nuk janë në të holla. Gjithsesi, përfitimet publike për sigurimin e të ardhurave mund të përfshijnë një larmi përfitimesh në të holla të dhëna për arsye të përgjithshme, pasi është testuar më parë legjitimiteti i nevojës për to, nga agjenci ndihmash të pushtetit federal, të shteteve përkatëse, të pushtetit lokal ose fisnor. Rregulli në fjalë do të marrë në konsideratë vetëm përfitimet publike të përmendura në të. Përfitimet publike që nuk citohen në rregullore, nuk do të merren në konsideratë për të vendosur nëse dikush mund të bëhet ose jo barrë publike. Një shembull përfitimi që nuk përfshihet në rregullin më lart është ndihma urgjente mjekësore, ndihma në rast fatkeqësish natyrore, programet kombëtare që ofrojnë drekën në shkolla, birësimet apo adoptimet, programet e ndihmës për fëmijët e vegjël të familjeve të varfra, huatë për studim apo strehim.

Sipas përkufizimit që ofron rregullorja në fjalë, përbën barrë publike ai person që merr përfitime të caktuara publike përtej një shume të caktuar ose përtej një periudhe të caktuar kohe. DHS e bazon vendimin e saj në faktorë si mosha, shëndeti, statusi familjar, pasuria, burimet e ndryshme të të ardhurave, gjëndja financiare, arsimimi dhe aftësitë. DHS do që ta konsiderojë përfitimin në të shkuarën dhe të tashmen nga ndihmat e caktuara publike që kalojnë nivele të caktuara si faktor negativ me shumë peshë. Në përgjithësi, rregulli në fjalë i bën të pakualifikueshëm për ndryshim statusi ose shtyrje të qendrimit (vizës) jo-emigrantët që përfitojnë ose ka të ngjarë të përfitojnë ndihma publike që kalojnë masën.

Rregulli i barrës publike vë në rrezik mundësinë e imigrantëve që janë punëtorë të palodhur dhe që hapin bizneset e tyre për të marrë green card. Ky rregull do ta dobësonte ekonominë në vend duke krijuar barriera arbitrare në marrjen e statusit atyre që mund të jenë në hapat e parë të rrugës drejt begatisë ekonomike.

Nga pikëpamje operacionale, vënia në jetë e këtij rregulli do të rrisë më tej vonesat në shqyrtimin e çështjeve, vonesa që aktualisht kanë kapur përpjestime krize. Vonesat shtesë në shqyrtimin e aplikimeve të imigrantëve lënë pezull si jetën e imigrantëve ashtu dhe atë të shtetasve amerikanë. Ato çojnë në humbje të vendit të punës, lënë të ndara familjet për një kohë edhe më të gjatë si dhe kërcënojnë qëndrueshmërinë e bizneseve amerikane. Një rregull i tillë do t’i vinte një barrë të rëndë administrative USCIS-it që vetëm sa do të përkeqësonte situatën me vonesat.

Azilantët dhe Refugjatët nuk preken nga rregulli i barrës publike

Me ligj, azilantët, refugjatët dhe kategoritë e tjera të personave në gjendje delikate nuk preken nga rregulli i barrës publike. DHS-ja gjithashtu nuk do të marrë në konsideratë asnjë përfitim publik të marrë nga imigrantët që janë pjesë aktive ose rezervistë të Forcave të Armatosura të SHBA-së ose bashkëshortëve apo fëmijëve të atyre që shërbejnë në forcat e armatosura. Po ashtu, DHS nuk merr në konsideratë përfitimet e marra nga fëmijët me nënshtetësi amerikane të të huajve si dhe përfitimet nga Medicaid të marra nga fëmijët e nënshtetasve amerikanë dhe fëmijët që janë në adoptim e sipër nga nënshtetas amerikanë.

Ky rregull është, edhe një herë tjetër, tregues i përpjekjes së administratës së presidentit Trump për të ndryshuar në mënyrë thelbësore sistemin e emigracionit pa ndërhyrjen e Kongresit amerikan. I bëjmë thirrje edhe njëherë Kongresit që njëherë e mirë të miratojë legjislacionin e emigracionit që njeh rëndësinë e njësisë familjare dhe që bën të lehtë zhvillimin e komuniteteve të forta./Illyria

Loading...
Loading...
Loading...