Loading...

Matësit inteligjentë, një sistem i ri për matjen e energjisë elektrike, por një diskutim “i vjetër” që daton në vitin 2015, kanë nisur të aplikohen nëpërmjet projektit pilot. OSHEE, pas përfundimit të fazës së parë në zonën e Durrësit, ka nisur instalimin e matësve “smart” në Kashar dhe në Vorë. Sipas njoftimit zyrtar, janë në fund të procesit të instalimit 3 mijë e 527 matës inteligjentë, mes së cilëve 1 mijë subjekte private dhe afro 20 shtetërore. Procesi i instalimit të këtyre matësve u ndoq nga afër nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila u njoh me ecurinë e punës dhe mënyrën e aplikimit të tij. Sipas Ballukut, ky proces është një komponent i rëndësishëm i reformës në sektorin energjetik. “Ky është një sistem, i cili nuk lë asnjë rrugë për abuzime, qoftë nga abonenti, por qoftë edhe nga punonjësit e OSHEE-së. Tashmë faturat printohen direkt sipas të dhënave që ky sistem nxjerr.

Për më tepër, sistemi i matësve inteligjentë ofron gjithashtu kontrollin e automatizuar për të gjitha problemet gjatë shkëputjes së energjisë elektrike apo rilidhjes së saj nga qendra”, u shpreh ministrja. Nga ana tjetër, Balluku theksoi se matësit inteligjentë do të jenë një përfitim si për abonentin, ashtu edhe për sistemin e shpërndarjes. “Projekti i Durrësit dhe projekti i Kashar-Vorës, janë dy projektet e para pilot për të vijuar më tej dhe në bashkëpunim me Bankën Botërore për ta aplikuar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë matësit inteligjentë, të cilët kanë të gjitha këto veti të dobishme si për abonentin, ashtu dhe për sistemin e shpërndarjes”, shtoi ministrja. Nëpërmjet matësve inteligjentë, çdo qytetar do të mund të shohë konsumin e tij ditor dhe mujor të energjisë elektrike nëpërmjet një aplikacioni të dedikuar në celular, duke aksesuar në kohë reale. Nga ana tjetër, matësit inteligjentë do të bëjnë të mundur kontrollin direkt nga OSHEE, për të menaxhuar dhe kuptuar ngarkesën në rrjet.

Loading...
Loading...
Loading...