Loading...

Niset për kurim të specializuar në Stamboll vajza 15-vjeçare nga Fushë-Kruja që prej një jave ndodhej në gjendje të rëndë në QSUT, me një sëmundje të rrallë që nga lindja e cila nuk kurohet në Shqipëri. Nëna e Elona Kubures për Report Tv: Na duhen edhe 30 mijë euro për kurimin: Dua që t’i bëj një apel të gjithë shqiptarëve të më ndihmojnë për jetën e vajzës, sadopak të kontribuojnë për të

TIRANE – Niset për kurim të specializuar në Stamboll vajza 15-vjeçare nga Fushë-Kruja që prej një jave ndodhej në gjendje të rëndë në QSUT, me një sëmundje të rrallë që nga lindja e cila nuk kurohet në Shqipëri.

***

Elona Kuburja është vetëm 15 vjeç. Prej një jave ajo luftonte me vdekjen në një nga shtratet e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza. Vuan nga një sëmundje e rëndë, e po ashtu e rrallë me të cilën janë të raportuara vetëm 250 raste në botë. Nuk mundet të gjejë dot kurim në Shqipëri, dhe për këtë vajzës i duhet të kurohet në një spital privat në Stamboll. Familja e saj mes shumë sakrificave ka mundur të mbledhë vetëm 15 mijë euro përmes shqiptarëve të ndryshëm që i kanë ndihmuar dhe të afërmve të tyre. Kjo është vlera që nevojitet për transportin me urgjencë të vajzës me avion nga Shqipëria në Turqi.

Për kurimin e 15-vjeçarë e cila i ka varur fijet e shpresës në zemrat humane të shqiptarëve, duhen edhe 30 mijë euro. Familja ka hapur një numër llogarie në bankën Credins për të gjithë qytetarët që do të kenë mundësi të kontribuojnë sadopak për shërbimin e Elonës e cila ka lindur me sëmundjen e rrallë. Vajza nga Fushë-Kruja është diagnostikuar me një sëmundje tepër të rrallë dhe të rëndë, që në gjuhën mjekësore njihet si hemangioma kongenitale me evolim drejt sindromës kasabach mërittë.

Në një intervistë për Report Tv, nëna e vajzës, Adelina Kuburja me zërin drithërues, kërkon që shqiptarët të vënë dorën në zemër.

“Dua që t’i bëj një apel të gjithë shqiptarëve të më ndihmojnë për jetën e vajzës, sadopak të kontribuojnë për të”, shprehet Adelina Kuburja.

Mjekët nuk i kanë dhënë shpresa që ajo të jetojë si te gjithë bashkëmoshatarët e saj, nëna e vajzës, Adelina Kuburja ka një apel të fortë për shtetin e të gjithë shqiptarët kudo ndodhen.

Adelina shprehet se gjendja e vajzës së saj po përkeqësohet dhe se një hemorragji e dytë mund t’i marrë jetën. Mjekët shqiptarë nuk i kanë dhënë shpresa jete, ndërkohë që janë dorëzuar para këtij rasti, i cili nuk mund të kurohet në vendin tonë.

“Në operacionin e dytë na njofton doktori dhe na thotë: Elona nuk është për mua, Elonën nuk mund ta kuroj unë. Unë i kam bërë një ndërhyrje për me i zgjat ditët dhe orët dhe jo për ta kuruar, sepse Elona ishte me hemorragji të brendshme”, tha Adelina Kuburja.

Ajo thotë se në spital shkoi edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e cila i ka dhënë mbështetjen e saj.

“Ministrja hyri brenda dhe shikoji gjendjen e vajzës, gjendja e vajzës është e përkeqësuar. Ajo tha jam shumë e shqetësuar për gjendjen e vajzës por akoma nga Turqia nuk kanë kthyer asnjë lloj përgjigje, ne i kemi dërguar të gjitha letrat. Ministrja më tha se do jem krah teje si në privat si në shtet, sepse gjendja e vajzës është shumë kritike”, tregoi nëna e vajzës.

Në momentin kur mjekësia shqiptare dorëzohet përballë kurimit të një sëmundje, Ministria e Shëndetësisë ka marrëveshje me Turqinë, për trajtimin e këtyre rasteve në spitale publike në Stamboll. Por në rastin e Elonës, ministria sqaroi për Shqiptarja.com se dokumentacionet e noterizuara që ka dorëzuar familja Kuburja të premten janë nisur për në spitalin publik dhe po pritet përgjigje nga mjekët atje, për të mësuar nëse shërimi i sëmundjes së 15-vjeçares mund të bëhet prej tyre. Është rast i komplikuar mësohet të jenë shprehur mjekët në Stamboll, ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë thuhet se përgjigja përfundimtare prej tyre nëse mund ta marrin përsipër rastin e 15-vjeçares, do të vijë deri mbrëmjen e sotme.

Por teksa mjekët shqiptarë nuk i dhanë shumë shpresë për shkak të hemorragjisë që vajza ka pasur, familja e saj e ka nisur me urgjencë për në Turqi, privatisht. Në këto kushte, nga ministria e Shëndetësisë thuhet, se nëse përgjigjja e mjekëve turk është pozitive, atëherë do të bëhet transportimi i Elonës në spitalin publik, ku të gjitha shpenzimet për kurimin dhe ndërhyrjen i mundëson shteti shqiptar. Nëse përgjigjja është se ata nuk mund ta marrin përsipër rastin e shqiptares, atëherë – thanë nga ministria – do të shikohet mundësua e një rimbursimi për familjen pas ndërhyrjes që do i bëhet Elonës në spitalin privat turk ku prindërit e saj e çuan me shpenzimet e mbledhura nga të afërm, miq të tyre, dhe shqiptarë të zakonshëm që i kanë ndihmuar.

Vajza është nisur për në Stamboll rreth orës 15:30 të ditës së sotme.

Nr. i llogarisë në Credins Bank ku mund të ndihmoni Elonën: 00001248081 në ALL – Al85 2121 1322 0000 0000 01248081

https://www.facebook.com/arberhajdariofficial/videos/524049445031106/?t=1

Loading...
Loading...
Loading...