Loading...

Nga editori, infoelbasani.al

Ka ekzistuar një emër në Shqipëri për të cilën Nënë Tereza ruante një konsideratë të veçantë. Madje ai ishte njeriu të cilin ajo e vlerësonte më shumë ndër shqiptarë duke i mbajtur portretin dhe veprat e tij. Ai ishte Aleksandër Xhuvani.
Gjatë vizitës që kreu në Shqipëri në vitet 1991-1992 Nënë Tereza erdhi edhe në Elbasan. Me gjithë axhendën e ngjeshur ajo kërkoi me këmbëngulje të njihej nga afër me shtëpinë ku u lind dhe u rrit kolosi i gjuhës dhe arsimit në Shqipëri.
Duke vizituar shtëpinë e prof. Xhuvanit, Nënë Tereza është shprehur: Mos e prishni shtëpinë e Aleksandër Xhuvanit. Portretin dhe veprat e tij unë i kam ruajtur dhe i ruaj me shumë dashuri në Indi. Ai është thesar i çmuar për Kombin Shqiptar”.
Në atë kohë shtëpia u kërkua të merrej nga një prift italian. Kujdestari i shtëpisë muze Arjan Ndria shprehet se u desh të vijë Shenjtorja që shtëpia të mos tjetërsohej. “Unë kujdesem çdo ditë për mirëmbajtjen e shtëpisë. Ajo është shumë e vjetër, mbi 100 vjecare dhe mbahet mirë. Në kohën e diktaturës aty banonin sekretarët e parë. Jashar Mezenxhiu, sekretar i Parë i Elbasanit, jetoi plot 10 vjet në shtëpi aq sa ajo nisi të quhej “shtëpia e Jasharit”.

Në kohën e diktaturës ajo nuk ishte shtëpi muze. Pas ndryshimeve demokratike Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore u kujdes që ajo të kthehej në muze. Në shtëpinë muze është dokumentuar e gjithë jeta dhe vepra e Xhuvanit.
Në të ndodhet salloni dhe dhoma e pritjes. Dhoma ku punonte Xhuvani në të cilën ndodhet tavolina dhe sende personale, dhoma e gjumit etj. Gjatë kohës së trazirave shtëpia muze nuk u cënua dhe të gjitha dokumentat dhe objektet me vlerë ndodhen brenda saj.

Kush ishte shkurtimisht Aleksandër Xhuvani
Aleksandër Xhuvani është personalitet i shquar i gjuhës, arsimit dhe kulturës shqiptare. Ishte veprimtar i denjë politiko-shoqëror dhe mban titujt Profesor, Mësues i Popullit. Prof.dr. Aleksandër Xhuvani u lind në Elbasan më 14 mars 1880.
Mësimet e para fillore i mori në shkollën greke në qytetin e lindjes. Kishte mësues Tush Pinën që fshehtas u mësonte nxënësve edhe gjuhën shqipe. Mbaroi gjimnazin grek në Cotil të Maqedonisë dhe studimet e larta i kreu në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Athinës në vitet 1902-1906. Që kur ishte nxënës e student nis të shkruajë për gjuhën shqipe. Në Gusht të vitit 1906 shkon në Napoli dhe njihet me Luigj Gurakuqin dhe Ismail Qemalin. Me ndihmën e tyre zë punë në kolegjin Arbëresh të Shën Adrianit. Këtu krahas punës nis veprimtarinë patriotike dhe studimore, shkruan në shtypin e kohës artikuj gjyhësorë, letrarë dhe artistike, ndonjëherë edhe politikë. Njihet mirë me gjuhën arbëreshe. Pas shpalljes së Kushtetutës së Perandorisë Osmane më 23 korrik 1908 problemi i organizimit të shkollës në gjuhën shqipe del në plan të parë. Më 2-9 shtator 1909 u mbajt Kongresi i Elbasanit i cili vendosi hapjen e shkollës Normale. Prof. Aleksandër Xhuvani u thirr si mësues në këtë shkollë. Në këtë kohë ai ju fut punës për hartimin e tekstit shkollor të gramatikës shqipe.
Shkolla Normale mbyllet pas ekspeditës ndëshkimore të Shefqet Turgut Pashës në Verën e vitit 1910. Në këtë kohë Xhuvani largohet për në Kajro ku emërohet redaktor i gazetës “ Shkreptima”. Gazeta mbyllet në vitin 1911 dhe A. Xhuvani shkon në Aleksandri ku emërohet si sekretar i shoqërisë Vëllazëria. Kthehet në Atdhe pas Shpalljes së Pavarsisë dhe emrohet drejtor i Normales në vitet 1913-1914 dhe 1917-1920.
Aleksandër Xhuvani nuk ishte thjesht studiues i një fushe të caktuar. Ai u shqua edhe në realitete të tjera shkencore. Vec gjuhesisë dhe letërsisë ai shkëlqeu edhe në pedagogji, psikologji, histori, tekstologji, memorialistikë.
Fushë tjetër e rëndësishme ka qenë gjuhësia. Ai studioi dhe lëvroi Gjuhën Shqipe i frymëzuar nga Rilindasit. Punoi për pasurimin dhe ngritjen lart të kësaj gjuhe, e aktualizoi atë, e praktizoi dhe e kulturoi shqipen e sotme. Në këtë drejtim Xhuvani la një sërë studimesh, tekste, monografi, artikuj shkrime dhe recensione me vlerë. Vepra gjuhësore e prof. Xhuvanit shquhet për qartësinë dhe vlerën shkencore.Ai shkelqeu në gramatikë, leksikologji, leksikografi, studim historik i shqipes në sintaksë etj. Studime me mjaft interes ka kryer për parafjalët, ndajfoljet, përcjelloren, paskajoren etj. Por nuk dalet me kaq. Bashkë me Cabein ai i kushtoi kujdes fjalëformimeve të reja të shqipes. Ai është një leksikograf i talentuar i shqipes.
Tituj dhe grada:
Profesor, Doktor i shkencave
Mësues i Popullit
Nderuar me Urdhrin e Flamurit, Urdhrin e Lirisë etj. infoelbasani.al

Loading...
Loading...
Loading...