Loading...

Nesër do të regjistrohet në gjykatë dhe më pas në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve partia e re ‘Bindja Demokratike’ me kryetar Astrit Patozin. Lajmi konfirmohet për Report Tv nga Fabian Topollaj, anëtar aktual i këshillit bashkiak të Tiranës dhe i njohur si kritik i fortë i Lulzim Bashës. Themeluesit e partisë së re janë; Leonard Olli, Fabian Topollaj, Ardian Kollozi dhe të tjerë.

TIRANE-Nesër do të regjistrohet në gjykatë dhe më pas në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (që është afati i fundit) për vendoret e 30 qershorit, partia e re ‘Bindja Demokratike’ me kryetar Astrit Patozin.

Lajmin për themelimin e partisë së re e konfirmoi për Report Tv Fabian Topollaj, anëtar aktual i këshillit bashkiak të Tiranës dhe i njohur si kritik i fortë i Lulzim Bashës. “Bindja Demokratike’ do marrë pjesë në zgjedhje. Unë do të jem anëtar i ‘Bindjes Demokratike’. Po përgatisim dokumentacionin, nesër e dorëzojmë në gjykatën” tha ai.

Fillimisht u lakua emri i Rudina Hajdarit si kryetare e partisë, por vajza e Azem Hajdarit, aktualisht kryetare e grupit demokrat në Kuvendin e Shqipërisë e mohoi. Burime për Report Tv pohuan se Astrit Patozi, ish-n/kryetar i PD-së në kohën e Berishës do të drejtojë partinë ‘Bindja Demokratike’.


Pak kohë më parë ai ndërmori edhe një lëvizje për “Ringritjen e Partisë Demokratike”, që synonte demokratizimin e kësaj force politike, ndërsa nesër zyrtarizon partinë në gjykatë. Patozi i njohur për divergjencat e forta me kryetarin aktual të PD-së, pritet që të mbledhë në subjektin e ri ‘gardën’ e vjetër që u largua nga Lulzim Basha para zgjedhjeve të qershorit të 2017, por edhe të zhgënjyerit nga lidershipi i partisë më të madhe opozitare në Shqipëri.

Report Tv mëson se themeluesit e partisë së re ‘Bindja Demokratike’ që pasditen e sotme po zhvillojnë mbledhjen e fundit para dorëzimit të kërkesës në gjykatë me 3 mijë firma do të jenë; Leonard Olli, Fabian Topollaj, Ardian Kollozi dhe të tjerë. Kjo është partia e parë që krijohet nga përçarja e demokratëve nga drejtimi i Lulzim Bashës.

E ndërsa lideri demokrat Lulzim Basha është shprehur i vendosur që të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019, të cilat sipas tij nuk mund të mbahen pa opozitën, por vendos tre kushte për pjesëmarrjen, ‘Bindja Demokratike’ nesër regjistrohet për futjen në zgjedhjet lokale.

Loading...
Loading...
Loading...